SHBA-të festojnë sot Ditën e Pavarësisë, koronavirusi i privon nga ‘tradita’, fishekzjarrët do shijohen nga shtëpia

Sot Amerika feston 244 vjetorin e Pavarësisë. Në vitin 1776, delegatët nga 13 kolonitë e Shteteve të Bashkuara miratuan ‘Deklaratën e Pavarësisë’, duke njoftuar shkëputjen nga Britania.

SHBA– Amerika feston sot “4 korrikun”, ose e njohur ndryshe si Dita e Pavarësisë. Në vitin 1776, delegatët nga 13 kolonitë e Shteteve të Bashkuara miratuan ‘Deklaratën e Pavarësisë’, duke njoftuar shkëputjen nga Britania.

Kjo ditë është festë federale në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1941 dhe tradicionalisht është një ditë kur amerikanët festojnë me fishekzjarre, parada, koncerte dhe piknikë. 4 korrik është i njohur në të gjithë vendin si dita e fishekzjarreve. Por për shkak të pandemisë së koronavirusit, qytetarët amerikanë nuk do të mund të festojë 244 vjetorin e Pavarësisë dhe t’i shikojnë fishekzjarret nga banesat e tyre, duke ‘harruar’ traditat e përvitshme.

Edhe këtu në Shqipëri, Ambasada Amerikane organizoi festime disa ditë më parë. Ambasadorja Yuri Kim ftoi një grupim të vogël njerëzit në rezidencën e saj për të mbajtur festimet. Nuk munguan “kokat” e politikës shqiptare dhe bashkëshortet e tyre.

Më 2 korrik 1776, Kongresi Kontinental votoi në favor të pavarësisë. Dy ditë më vonë, delegatët nga 13 kolonitë amerikane miratuan Deklaratën e Pavarësisë, të hartuar nga Thomas Jefferson.

Disa studiues konstitucionalë argumentojnë se amerikanët duhet të festojnë në të vërtetë më 2 korrik – dhe jo 4 korrik – për shkak të votimit historik.

Rebelimi i Shteteve të Bashkuara kundër britanikëve kishte filluar një vit më parë, më 1775 dhe vazhdoi derisa Shtetet e Bashkuara dhe Britania nënshkruan Traktatin e Parisit në vitin 1783, i cili zyrtarisht njohu pavarësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.