Leibniz, albanologu që e vendosi shqipen në hartën e botës.

Gjeniu i fundit universal.

Leibniz, albanologu që e vendosi shqipen në hartën e botës.

Më 1 korrik 1646 lindi Gottfried Wilhelm Leibniz, matematikan dhe filozof gjerman, gjuhëtar, albanolog (vdiq më 1716).

Leibniz, ndonjëherë i quajtur gjeniu i fundit universal, shpiku të paktën dy gjëra që janë thelbësore për botën moderne: kalkuluset dhe aritmetikën binare, duke hedhur bazat e matematikës moderne dhe shkencës kompjuterike (arithmetika binare është bazë për thuajse të gjithë komjuterat e sotëm).

Leibniz, matematika, ilirishtja dhe shqipja

Më 11 nëntor 1675 – Gottfried Wilhelm Leibniz demonstron për herë të parë kalkulusin integral y = ƒ(x), paralelisht me dhe në mënyrë të pavarur nga Isak Njutoni, duke u bërë bashkë-themelues i kësaj fushe të matematikës. Leibniz – filozof, historian, matematikan, jurist, diplomat, filolog – figurë e rëndësishme në mendimin perëndimor, lindi në Leipzig. Ai ishte presidenti i parë i Akademisë Prusiane të Shkencave.

Në 10 vitet e fundit të jetës, një nga përkushtimet e tij u bë edhe gjuha shqipe. Së pari, Leibnizi goditi mitin se shqipja, meqenëse flitej në Ballkan, bënte medoemos pjesë në grupin e gjuhëve sllave, apo rridhte nga greqishtja ose latinishtja.
Ai besonte se shqipja ishte ilirishte (siç do të demonstrohej nga Franz Bopp më shumë se një shekull më vonë); Leibniz mendonte se shqipja kishte lidhje me gjermanishten dhe këto ngjashmëri ai i kërkon në keltishten e lashtë.

Mendimet mbi shqipen, Leibniz i shprehu në letërkëmbimet e tij (1705 – 1715) me shkencëtarë, studiues e intelektualë të kohës – gjithsej 5 letra mbi shqipen (FESH). Ja si shkruante Leibniz – ndër të parët, në mos i pari albanolog që e vendosi shqipen në hartën e botës së studimeve gjuhësore:
“Sa për gjuhën e shqiptarëve, e njohur si Linguam Illiricam…mendoj se është e denjë të studiohet….Të dhënat që kam tregojnë se shqipja përmban shumë latinisht dhe pak gjermanisht. Dhe ky është mendimi im mbi disa fjalë shqipe: ‘hundë’ nga keltishtja e vjetër ka dhënë gjermanishten ‘wen’ – ‘qen’, kafshë që karakterizohet nga përdorimi i hundës ‘nose’ – ‘nuhatje’. Fjala ‘gjueti’, anglisht “hint” – ‘gjurmë’ – ‘shenjë’; gjermanisht ‘spuhr’, nga ‘kunde’ – ‘dije, njohje’. Fjala ‘krah’ lidhet me ‘krezzen, crabbe’ – ‘gaforre’ nga rrjedhin kthetër, zvarrë, rrafsh, zero. ‘Gaforrja’ mund të ketë lidhje edhe me ‘furkën, pirunin’. Fjala ‘burrë’ mund të jetë e lidhur me ‘brautigam’ ‘dhëndër’. Ndërsa fjalët shqipe për numrat nuk kanë asgjë që mund të rrjedhin nga gjuhët fqinje, por, duke ditur shumë gjuhë të tjera, studiuesi mund të jetë në gjendje të kuptojë shumë fjalë të shqipes; fjala ‘det’ nga Delt, dmth Thalassa, Thellësi, Perëndia e Detit në mitologjinë greke.

Është e qartë se reliket e ilirishtes janë ruajtur në gjuhët moderne, veçanërisht në atë të shqiptarëve”, shkruan Leibniz, në “Opera Philologica”, përkthyer nga frëngjishtja në anglisht nga Robert Elsie.

Vlera e ideve të Leibnizit qëndron edhe në faktin se si shkencëtar serioz, ai tërhoqi vëmendjen e shkencëtarëve të tjerë për t’u marrë me studime në fushë të shqipes.
Ky interesim i Leibnizit mund të shpjegojë ndoshta edhe arsyen pse albanologjia ka tërhequr vazhdimisht shkencëtarë, gjuhëtarë e filologë ndër më të shquarit gjermanë e nga bota. Leibniz shkroi kryesisht frëngjisht e latinisht, dhe pak gjermanisht.

Shumica e shkrimeve të tij ndodhen ende të pa botuara, dhe janë marrë në mbrojtje nga UNESKO. Në vitin 1985, qeveria gjermane krijoi Çmimin Leibniz, duke ofruar një shpërblim vjetor prej 1-milionë e 550-mijë euro për rezultate praktike dhe 770-mijë euro për ato teorike në shkencë. Ky është çmimi më i lartë në botë për arritje shkencore.