Resul Shabani: Krijuesi është rob i iluzionit të vet

“Unë vdes t’i ngjasoj Lasgushit në gjithçka. Nuk e fsheh që e kam idhull. Këtë e kanë vërejtur edhe miqtë e mi krijues. P.sh., duke shkruar për tregimet e mia, romansieri i veçantë Zija Çela thotë: Nuk e kisha ditur se Nositi i pakthyeshëm i poezisë shqipe, Lasgushi tempullar, kishte lënë në bregun tjetër, karshi Poradecit, një nxënës të ndjeshëm, një prozator lirik, që i këndonte liqenit deri në atë shkallë e përkushtim, sa ta identifikonte gjithashtu me vetveten.”

Intervistoi: Bujar Hudhri

Kritiku i njohur Ali Aliu shkruan diku se tërë krijimtaria e Resul Shabanit është në lidhje jetike me vendlindjen, me kujtimet e fëmijërisë: liqeni, lumi (Drini) dhe fshati juaj, Kalisht, buzë gjolit. Nëvendlindje keni kryer deri edhe shkollëne mesme. Besoj, këtubuzë liqerit, keni nisur të shkruani vjershat e para.

Akademiku Ali Aliu është njohësi më i mirë i krijimtarisë sime, por, në të njëjtën kohë, është edhe njohësi më i mirë i poezisë bashkëkohore shqiptare. Është lexues aq i vëmendshëm i saj, sa të impresionon, kur ke parasysh edhe moshën e tij (86 vjeç). Profesori ka shumë të drejtë dhe këtë konstatim të tij e përforcojnë edhe mendimet e Luan Starovës, Zija Çelës, Visar Zhitit, Ahmet Selmanit, e të ndonjë tjetri. Frymëzimin magjik të muzave, qetësinë shpirtërore, çlodhjen fizike, e gjej vetëm në Kalishtin buzë gjolit margaritar të Ohrit, Poradecit e Strugës. Kalishti dhe Struga më janë imponuar aq fuqishëm, saqë u bënë emra toponimikë që u lidhën në mënyrë të pashmangshme me emrin e krijuesit. “Një mal si Kilimanxharo na sjell ndër mend Heminguejin, ashtu si Makondoja na kujton Markezin, Korça pikturat e Mios, Shkodra Fishtën, Koliqin e Migjenin. Janë emra të mëdhenj dhe, natyrisht, nuk i sjellim për ndonjë familjarizim, por për të përmendur sado shkarazi se çfarë fuqie ka arti dhe ç’nder u takon artistëve” (Zija Çela). Hamendësimi juaj se këtu zë fill krijimtaria ime, është i saktë. Më 1963 kam shkruar dhe botuar në gazetën “Flaka e vëllazërimit” të Shkupit tregimin e parë, Bamirësia, që flet për gjestin e një fëmije i cili zgjon nga gjumi një pushues breg liqenit, pasi kujtonte se kërcënohej nga kafshimi i gjarprit. Atëherë nuk e kam ditur se gjarpri i ujit nuk është helmues. Historia e letërsisë ka dëshmuar se fëmijëria është shoqëruesja më besnike e autorit. Është si lëkura e trupit. As vetë s’e di se sa poezi e tregime kam shkruar për vendlindjen time. Ajo është: …mjafton njëherë me shigjetë/ të më ther në zemër/ dashuria për Ty/ që ke ujin e kulluar/ që ke malin e gjelbëruar/ që ke tokën pjellore/ që ke qiellin mbi kokë/ që ke arteret e jetës/ dhe oxhakun e lartë/ – këto më bëjnë ilaç/ o vend-lindja ime .

Keni qenë student në Shkup së pari, pastaj keni vazhduar në Prishtinë. Ishit me fat, besoj, se në atë kohë Prishtina ishte kthyer në një qendër të rëndësishme kulturore. Çfarë do të veçonit nga jeta studentore në Prishtinë?

Pasi mbarova Akademinë Pedagogjike për gjuhë dhe letërsi shqipe dhe maqedonase në Shkup, vazhdova studimet në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Filozofik. Në Shkup kishim vetëm tri-katër lëndë në gjuhën shqipe, ashtu siç i kishim të pakta edhe në gjimnazin e Strugës, për këtë arsye, në janar të vitit 1964, klasa jonë bëri një protestë duke kërkuar profesorë shqiptarë.

Për ne shqiptarët që jetonim në Maqedoni, Prishtina ishte Qabeja dhe Jerusalemi ynë. Ishte shpresa dhe siguria (edhe imagjinare) jonë. Ishte vatra e arsimit, panteoni i kulturës që rrezatonte sadopak edhe përtej kufirit administrativ të kohës. Ishte një përparësi e madhe qarkullimi i lirë i njerëzve, mallrave dhe ideve. Ishim një shtet. Studentët shqiptarë që vinin nga Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës, në Prishtinë gjetën dorën e ngrohtë të zgjatur të autoriteteve qeveritare, të institucioneve dhe kosovarëve. Gjetën ambientin frymëzues patriotik, gjetën kulturën dhe shkencën kombëtare. Shumica syresh u kthyen nga kishin ardhur për të shpërndarë ato rreze dije e drite. Një pjesë tjetër, krijuan familje atje dhe mbetën. Atë që bëri Prishtina ato vite të vështira për ne (se në vendlindjet tona mbretëronte një atmosferë politike ngulfatëse), nuk e bëri Tirana zyrtare as atëherë as sot. Në kuadër të universitetit vepronte edhe grupi letrar, ku ishin të anëtarësuar talentet e reja, si Teki Dervishi, Musa Ramadani, Beqir Musliu, Eqrem Basha, Ymer Shkreli, Milazim Krasniqi, Abdullah Konushevci, Hasan Hasani, Nexhat Halimi, unë, e shumë të tjerë. Ishte kjo edhe bërthama e brezit të artë të letërsisë shqipe në këto anë, bashkë me Ali Podrimjen, Sabri Hamitin, Ibrahim Rugovën, Zejnullah Rrahmanin, Mehmet Krajën, ishte brezi që iu kundërvu metodës socrealiste, e cila përkrahej (me botime) nga Tirana. E ne na kishte shpallur për dekadentë.

Kur u kthyet në vitin 1971 në Shkup, filluat punë në gazetën “Flaka e vëllazërimit” (revistat “Jehona”, “Gëzimi”, redaksia e librit artistik),cilat dhanënjëkontribut tëmadh përkulturënshqiptare nëMaqedoni. Si ka ndikuar te ju si autor kjo periudhë?

Gazeta “Flaka e vëllazërimit” atëherë filloi të dilte tri herë në javë, prandaj dhe kishte nevojë për gazetarë. Me sugjerimin e disa shokëve, unë duhej të kthehesha në Shkup për të kontribuar me aq sa mundnim. Dalëngadalë, numri i gazetarëve po shtohej dhe ne po bëheshim të dobishëm. “Flaka e vëllazërimit” ishte një njësi punuese në kuadër të një sipërmarrjeje të madhe, “Nova Makedonija”. Në gjirin e saj “Flaka…” kishte edhe revistat për fëmijë “Gëzimi” dhe “Fatosi”, revistën për çështje artistike, kulturore dhe shkencore “Jehona” (10 numra në vit) dhe redaksinë e botimit të librit artistik, themeluar nga Ali Aliu më 1971, i cili ishte larguar në Prishtinë. Për shqiptarët në Maqedoni kjo përbënte një qendër informative, kulturore, artistike dhe shkencore, duke dhënë kështu një kontribut të jashtëzakonshëm në emancipimin e popullatës shqiptare. Gazeta pasqyronte jetën e shqiptarëve (me kufizimet e imponuara politike) me të gjitha problematikat e saj. Ka pasur edhe periudha shumë të vështira, kur duhej t’i thoshe të zezës e bardhë apo, si thotë populli, derrit – dajë. Në faqet e gazetës defiluan gati të gjitha penat gazetareske dhe letrare të shqiptarëve. Në periudha të caktuara, “Flaka…” botonte edhe autorë nga Kosova, të cilët kishin rënë ndesh me politikën e atjeshme. Gjithashtu, ka botuar edhe autorë nga Republika e Shqipërisë, gjë të cilën nuk e bënte ajo për ne. Në Shkup shkrova dhe botova shumicën e veprave të mia. Një pjesë i kam botuar në Prishtinë dhe disa tek Onufri në Tiranë, që është i vetmi botues me karakter mbarëkombëtar, duke zëvendësuar neglizhencën e Ministrisë së Kulturës. Vështirësitë kanë qenë të shumta, si në aspektin e kushteve (pa kohë dhe komoditet të mjaftueshëm), nën trysninë e censurës dhe sidomos, autocensurës. Gjuha e Ezopit dhe aluzionit na ishin bërë “veglat” më të domosdoshme të punës.

Ndryshe nga çmund tëpritej normalisht, libri juaj i parëLiqeni (1974), është një vëllim me tregime dhe jo me poezi. Ështëkjo njërastësi?

Jo, s’është rastësi. Poezitë kanë ardhur pas tregimeve. Nuk them se ka ndikuar tregu, por është fakt se redaksitë i kërkonin më shumë tregimet, meqë proza ka qenë gjithmonë më deficitare. Ashtu më kanë ardhur.

Më pas vijoni me dy vëllimet e para me poezi dhe në vitin 1982 botoni në “Rilindja” të Prishtinës librin Anija e vjetër, qëpërmbante dy drama. A mund tëna shpjegoni se si bëni që kaloni nga njëra gjini tek tjetra dhe a keni një ide se ku jeni më i realizuar (ndiheni më mirë)?

Shkrimtari është rob i iluzioneve të veta. Poezia shpesh lind si ngacmim i çastit, që të trazon dhe shtendosesh kur e nxjerr në letër. Poezisë i mjafton motivi, kurse proza kërkon temën. Ndodh rrallë që t’i thuash vetes: Do të ulem të shkruaj një poezi! Por kur shqetësimi bëhet i padurueshëm, torturues për shpirtin, si dhimbja e dhëmbit për trupin, e shkruan. Me tregimin, që s’është e thënë të ketë një ngjarje të madhe, por mjafton atmosfera, ndodh pak më ndryshe. Lindja e tij pret pak më tepër. Ndërsa me romanin, e sidomos me dramën, ku me patjetër ka një ngjarje të shtrirë; ka personazhe me  karaktere të ndryshme; ke intrigën dhe kërkohet zgjidhja e saj; të kërkohen edhe fakte historike; përgatit një sinopsis, e ndan lëndën në pjesë ose kapituj etj., etj., pra bën parapërgatitje, bën sistemimin e lëndës. Te proza nuk të mjafton vokacioni prej krijuesi, siç ndodh me poezinë. Proza krijuesin pa talent, të papërgatitur, pa kulturë, e nxjerr zbuluar. Diversioni dhe kamuflimi është i pamundshëm. Edhe këtu, si në poezi, autori është rob i iluzioneve. Edhe pse është shumë i sigurt se me veprën e tij ai nuk ndryshon asgjë në shoqëri, – as ndikon në vendimet e qeverive, as të ministrive, as të prokurorive, as të gjykatave, as të bankave, as të akademive etj., – ai përsëri ngulmon të shkruajë e të botojë, duke shpresuar se njëherë do të merret seriozisht. Gjë që s’ndodh. Ai kurrë nuk vendos për fatin e të tjerëve, por gjithmonë ndodh e kundërta. Autori nga qarqet vendimmarrëse trajtohet si lolo, qesëndiset. Mjafton t’u hidhet një sy fateve të jetëve të tyre, të pozitave të tyre shoqërore. Nëntëdhjetë e pesë për qind e tyre vuajnë edhe për bukë e ilaçe, por nuk ndodh që një ministër apo deputet ta përjetojë këtë fatkeqësi. Megjithatë, krijuesi vazhdon të mbetet peng i këtyre iluzioneve që, në shikim të parë, i duken të ëmbla e të dobishme. Nga ky rregull nuk bëj përjashtim as unë. P.sh., më 1965 botova në gazetë (3 vjet më vonë te libri Hamleti me plis të zi) poezinë Diçka po ndodh në skenë. Po citoj 3-4 vargje me helm për sistemin e kohës: …Përse nuk ngrihemi e të shohim se ç’ndodh?/ Të dalim edhe ne njëherë në skenë!/ Dhe aktorët që na lodhën me fjalë/ Le të ulen e të na dëgjojnë…/ T’ia marrim shtruar edhe njëherë edhe ne/ Le të dalë, ku të dalë, le të na prishet hekuri./ Më vonë botova dramën Shi në Uertomonto (1979 në revistë dhe më 1982 si libër), një dramë kundër dhunës së pushtetit mbi krijuesin, mbi individin. M’u desh ta “shpërngul” ngjarjen në Kili, se gjoja po kritikoj diktatorin Pinoçet dhe po mbroj Pablo Nerudën; në fakt, i sulesha çiftit diktatorial Tito-Enver. Drama u inskenua nga regjisori Vladimir Milçin (prisja rrëmujë, prandaj insistova që regjisori të jetë maqedonas). U bë një shfaqje-film. Mori disa çmime në Festivalin Federativ të Sarajevës (1986). Ç’ndodhi? Asgjë! Qeverisë dhe partisë nuk i interesoi. Vetëm unë flija si lepuri, duke pritur policinë të më arrestojë. As kjo nuk ndodhi! Dhe tani lexuesi mund të pyesë: Po përse shkrimtari vazhdon të shkruajë? Sipas meje, përgjigjja është kjo: Iluzioni është më ngjitës se duhani, se pija, se kumari, se droga… Është mallkim perëndie. Edhe kur autori zhgënjehet tmerrësisht, në një skutë të shpirtit gjallon shpresa se me veprën e tij do të ndryshojë diçka. Më në fund, mjaftohet nëse me krijimin e tij ka fisnikëruar sadopak shpirtin e egërsuar të akëcilit lexues. Ai bindet se kaq është fuqia e artit, këtë përkufizim ka misioni i tij. Dhe kjo nuk është pak.

Resul Shabani

Dashuria e kapitenit është një roman i suksesshëm, i botuar tetë herë (dy herë tek Onufri), i përkthyer dhe i përfshirë edhe në programet shkollore. Si ka ndikuar në krejt krijimtarinë dhe emrin tuaj si autor?

Është një roman që flet për koncepte dhe filozofi të ndryshme mbi luftën. Është konflikti midis një profesori, i cili mendon se lufta për çlirim (të Strugës) bëhet kudo qoftë dhe me disa mjete, dhe kapitenit (oficer i ushtrisë së Mbretit), që mendon se lufta duhet të bëhet vetëm në Strugë. Përshkruhen edhe fatet e bashkëpunëtorëve të okupatorit dhe të asnjanësve. I kam rënë edhe segmentit intim: raportit bashkëshortor, duke dashur të vë në spikamë një tabu, se dashuria përfunduaka me martesën. Romani u prit shumë mirë. Dy herë është përfshirë në programet shkollore, këtu. Ma ka rritur namin! Romani u dramatizua dhe u vu në skenë nga regjisori vlonjat Armando Bora.

Çdo verë, nëanëntjetërtë liqenit, në kullën e tij, jashtë vëmendjes së të gjithëve, jetonte liriku i madh i poezisë shqipe, Lasgushi. Si e keni ndier në jetën dhe veprën tuaj këtë poet?

Unë vdes t’i ngjasoj Lasgushit në gjithçka. Nuk e fsheh që e kam idhull. Këtë e kanë vërejtur edhe miqtë e mi krijues. P.sh., duke shkruar për tregimet e mia, romansieri i veçantë Zija Çela thotë: “Nuk e kisha ditur se Nositi i pakthyeshëm i poezisë shqipe, Lasgushi tempullar, kishte lënë në bregun tjetër, karshi Poradecit, një nxënës të ndjeshëm, një prozator lirik, që i këndonte liqenit deri në atë shkallë e përkushtim, sa ta identifikonte gjithashtu me vetveten.” Natyrisht që ky vlerësim më bën krenar. Edhe me sjelljen në jetë përpiqem t’i ngjasoj. Dikush mund të më akuzojë për epigonizëm. Punë e madhe! Më pëlqen. Kështu veproj edhe me daljen time publike. Jam shumë i kursyer. Nuk më pëlqen të dal. Në raste të tilla, e thirr për arsyetim sjelljen e Lasgushit. Pyes veten: A do të dilte Lasgushi? Jo. Çfarë humbi ai që s’doli me dekada? Asgjë. Atëherë? Lëshoje teposhtë! Më 1993-94, me botuesin Fahri Balliu, atëherë diplomat në Shkup, shkuam në Poradec. Desha ta shoh, të paktën, shtëpinë e Lasgushit. Vajtëm. Ç’të shohësh?! Një gjysmë rrënoje. Na del pronari, i cili në oborrin e kësaj shtëpie po ndërtonte një vilë, dhe na pyet se ç’kërkojmë. I thamë: Përse nuk e rindërton shtëpinë e poetit (e kishte blerë për 4000 dollarë, me sa mbaj mend), por ndërton vilë? Do ta bëj muze që të çuditeni, na tha. Akoma po bëhet! Më 2012 shkrova dhe botova poezinë Përsiatje tri ditë para vjeshte. Poezia brenda vitit u ribotua 14 herë. Një regjisore strugane më tha: Z. Resul, ma përkujton Lasgushin. Unë u mburra, nuk u preka.

Shumë nga librat tuaj janë përkthyer në disa gjuhë të ndryshme. Jeni ndër të paktët shkrimtarë shqiptarëi pranuar nëshkallështetërore dhe kombëtare. Keni marrë çmime tërëndësishme kombëtare etj. Çfarë do të veçonit me këtë rast?

Ashtu qoftë! Çmimet në një moshë më të re edhe mund të stimulojnë krijimtarinë e autorit, por në moshën më të shtyrë vetëm sa përkëdhelin sedrën e tij. Zakonisht, çmimet vijnë vonë. Më në fund, edhe ato në njëfarë mënyre dëshmojnë për vlerat e veprës. Janë një mirënjohje e vakët. Në shoqërinë tonë çmimet nuk shoqërohen me ndonjë sasi mjetesh financiare, sa të të zgjidhin një hall. Më në fund, janë të mirëseardhur. Kryesorja, të jenë të merituara. Nuk e di kush e ka thënë se “autori të mos bëjë asgjë (të pahijshme) për ta marrë një çmim, por, kur i jepet, duhet ta pranojë”. Jam udhëhequr nga ky parim dhe kam marrë mbase rreth 15 çmime, por asnjë nga institucionet zyrtare të Tiranës.

Do të veçoja kontributin tuaj të madh në promovimin e letërsisë shqiptare në Maqedoni. Janë dhjetëra shkrimtarë nga Tirana që ju i keni botuar, i keni promovuar dhe i keni ftuar në festivale të ndryshme letrare. Sidomos, në aktivitetin e rëndësishëm dhe dinjitoz “Netët struganepoezisë”, kur ishit nëkomitetin organizatorE di shumë mirë këtë, se e keni bërë me pasion, me dashuri, por edhe për një dialog mes fqinjësh. Çfarë mbresash ju kanë ngelur në zemër dhe mendje më tepër?

Gjithmonë në jetë jam udhëhequr nga parimi: Përpiqu të ndryshosh për mirë gjendjen që ke gjetur; përpiqu të lësh gjurmën tënde, përndryshe, mos prano post e pozitë, mos merr përgjegjësi. Në këtë vazhdë më duhet t’i them dy-tri fjalë. Më 1976, kur u emërova redaktor përgjegjës i revistës “Jehona” dhe i redaksisë së botimeve letrare, këto i gjeta në një gjendje jo të lakmueshme. Revista dilte me dy-tri vëllime në vit dhe libra botoheshin 3-4. Deri më 1979, kur m’u desh “vullnetarisht” të jap dorëheqjen, pasi në edicionin e botimeve kisha botuar librin me poezi Shenjat e shenjta të poetit, përkthyesit e veprimtarit Jusuf Gërvalla, i cili në dhjetor të atij viti u arratis në Gjermani, revista dilte 8-10 numra në vit, me faqe të shtuara, kurse botimet arritën deri në 23 tituj. Kështu u solla edhe kur isha anëtar i Këshillit Drejtues të Festivalit të Strugës. Ndikova që të rritet numri i poetëve shqiptarë nga të gjitha trojet. Në kuadër të Festivalit përktheva dhe botova poetin Fatos Arapi, që më vonë u bë edhe laureat i çmimit “Kurora poetike”. Më 1996 u organizua Nata e Poezisë së Shqipërisë (e Kosovës kishte ndodhur vite më parë). Ishte një natë magjike. Me poetët Bardhyl Londo, Xhevahir Spahiu, Ndoc Gjetja, Andi Bejtja, Jorgo Bllaci. Me aktorët Yllka Mujo e Bajrush Mjaku. Ishte mbrëmja e vizituar e festivalit. Në këtë kuadër, u botua edhe Antologjia e poezisë shqipe, me autor Ali Aliun.

Kadare dhe Resul Shabani, Shkup, dhjetor 1999.

Po. më kujtohet që mbrëmja u çel me këngën Mora rrugën për Janinë. A mund të na tregoni më shumë për këtë ngjarje të bukur?

Meqë përgjigjja nga Tirana po vonohej, e binda drejtorin e Festivalit, z. Paskal Gilevski, se duhet të shkojmë në Tiranë për t’ua dorëzuar ftesën në dorë, meqenëse ishte dhe 35-vjetori i Festivalit. Shkuam, biseduam me London dhe Spahiun (kryetarin dhe sekretarin e Lidhjes). Ata na ofruan që të rrimë dy net. Ditën e pushimit vajtëm në Berat, të shoqëruar nga poeti e përkthyesi Jorgo Bllaci, drejtor i shtëpisë botuese “Naim Frashëri” atë kohë. Rrugës në makinë shoferi kishte lëshuar muzikë. Aty e dëgjuam edhe këngën Mora rrugën për Janinë. Drejtorit i pëlqeu dhe u bë.

Këtë parim kam ndjekur edhe kur kam qenë anëtar i Kryesisë së PEN Qendrës së Shkupit, duke pranuar për çdo vit nga një anëtar shqiptar. Pastaj gjatë konferencave të tij në Ohër bëra çmos, bashkë me poeten dhe përkthyesen Entela Safeti, për aktivizimin e PEN Qendrave të Kosovës dhe të Shqipërisë. Edhe si anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë kam ndikuar që të pranohet çdo vit nga një anëtar shqiptar, të themelohet çmimi për autor jomaqedonas Ura letrare (fituese e parë u bë shkrimtarja e talentuar Delvina Kërluku) dhe që çmimin Skeptri letrar ta marrin poetët Sadik Bejko dhe Eqrem Basha. Pastaj edhe Arian Leka. Kjo s’do të thotë se kushedi çfarë kam bërë, por desha ta dëshmoj rolin e individit në situata vendimmarrëse.

Nga ana tjetër, jam i sigurt se edhe kultura maqedonase duhet t’ju jetë mirënjohëse për dhjetëra autorët e tyre që i keni sjellë në shqip, duke kulmuar me Antologjinë e poezisë maqedonase. Njerëz si ju janë kaq të nevojshëm sot në Ballkan, për të njohur dhe për të kuptuar më mirë njëri-tjetrin nëpërmjet kulturës, ku libri është kryesori. Nga përvoja juaj, si mund të çohen më përpara bashkëpunime të tilla?

Për t’i shtyrë punët përpara duhet vullnet, dëshirë, këmbëngulje, disponim pozitiv. Jo gjithmonë institucionet dhe individët e kanë këtë predispozitë. Nga kjo vuajnë kulturat dhe shoqëritë. Për fat të keq, në këto raporte më zvarranike ka qenë pala shqiptare. Ajo as boton libra, as organizon festivale, as fton krijues, as… S’e kuptoj dot. Të gjitha qeveritë përreth interesohen për pjesët e popullit të vet në shtetet e tjera, përveç Shqipërisë. P.sh., Ministria e Kulturës e Maqedonisë financon gazeta e libra të maqedonasve që botohen edhe në Australi. Kështu vepron edhe qeveria turke, greke, serbe, bullgare etj., kurse ministria shqiptare nuk mbahet mend të ketë ndarë gjysmë leku për botimin e librave tanë, për promovimin e vlerave tona.

Tani jeni kthyer në Kalisht, tek “e vjetra shtëpi bregliqenore”. Jeni kthyer te fëmijëria juaj dhe ju përfytyroj me Lirikun dhe Lirianin, nipat tuaj të dashur, bregut të liqenit, aty ku Drini nis udhën për në Shqipëri. Por nuk e marr me mend se çndieni, nuk e di se çfarë bëni konkretisht pas gjithë kësaj jete intensive: poezi, tregime, dramë, gazetari, po përktheni, mbase po shkruani kujtimet?

Krijimi kalon përmes meditimit. Kujtimet i presin të gjithë. Liriku e Liriani mezi e presin Panairin e Librit për ta parë Tiranën. I ka marrë malli për sheshin Skënderbej. /Marrë nga Exlibris