SINQERITETI VIRTYT I RREZIKSHËM – Prof. Xhemi Hajredini

Nga një këndvështrim tjetër

SINQERITETI VIRTYT I RREZIKSHËM

Të jesh a të mos jesh i hapur, në vendin e punës apo gjetkë, kjo është çështja. Ata më me përvojë të këshillojnë se sinqeriteti i tepëruar nuk është i dobishëm. Nga ana tjetër normat etike dhe parimet morale kërkojnë vetëm të vërtetën. Hajde e më thoni si të zgjidhet kjo dilemë. Cilën këshillë ta marr të mirëqenë?! Sinqeriteti na qenka vlerë e mirë njerëzore por nuk bëka për karrierën. Na qenka, madje, i rrezikshëm, i bezdisshëm dhe irritues. Këto lëkundje qëndrimesh, se si duhet të veprosh në një rast konkret, të detyrojnë t’i shmangesh sinqeritetit pa u shndrruar në gënjeshtar dhe frikacak. Për shumë arsye dhe për t’u shfaqur i sjellshëm dhe në dispozicion të të tjerëve, nuk lypset të thuhet e vërteta objektive ngase të tjerëve kjo gjë nuk u intereson. Në pyetjen, bie fjala, ku do të arrish pas 5 vjetësh, duhet të jesh i kujdesshëm. Përgjigjja duhet të jetë e tërthortë se e lëndon personin përballë. Ai nuk do të dëgjojë shumë për suksesin tënd. Nëse ndonjë ditë nuk jeni për punë, mos u lodhni të arsyetoheni se ç’të ka ndodhur. Nuk ta var veshin kush. Kërko një ditë të lirë dhe mos e zgjat! Kur të të pyesin për performancën e punës së dikujt bëju si nuse gojëmbël! Kur të të pyesin si je, thuaju vetëm mirë. Nuk të dëgjon kush të flasësh më shumë për veten. Është si një shtrëngim dore dhe aq. Mos u hap më shumë. Nëse vendos ta lësh punën, mos akuzo të tjerët të cilët edhe mund të kenë qenë shkaktarë të largimit tënd nga puna. Përpiqu të japësh arsye më fisnike! Sinqeriteti mund të jetë “djalë i bukur” por i padëshiruar. Ti mund të thuash gjithë ditën, me sinqeritetin më të madh, se ke vjedhur ku ke mundur e mbërrirë por kjo nuk do të thotë se nuk je hajdut. Nëse dikush i ndërmarrjes apo i partisë politike të pyet rreth një ideje, përgjigjja duhet të vi nga Kina, rreth e rrotull. Mund të lëndosh njeriun e ndërmarrjes, apo atë tjetrin të partisë, respektivisht njerëzit me pushtet financiar dhe politik. Mos u ngut se ike për lesh! Avash more njeri! Po të kërkosh në të gjithë fjalorët e gjuhëve, duke filluar nga ai i gjuhës shqipe, fjala sinqeritet shpjegohet kështu: #SINQERITET m.

Vetia e atij që është i sinqertë, çiltëri; kund. hipokrizi. Mungesë sinqeriteti. Flet me sinqeritet. Ia tha me sinqeritet. Si do të ishit përgjigjur ju nëse ju pyet shefi se ç’udhëheqës është? Po të jetë një udhëheqës i zoti, pa mëdyshje do ta thoni me plot gojë të vërtetën. Po nuk qe i zoti, do ta thuash të vërtetën?! Këtu qëndron dilema. Do gënjesh? Ke frikë? Në këto raste, ata me përvojë të mësojnë të thuash vetëm fjalë të mira. Duhet të gërrmosh ndonjë anë pozitive. Duhet të tregoheni i sjellshëm dhe i vëmendshëm, paçka se shefi është “tallava”. Edhe kur të të pyesin për zotësinë apo dobësinë që ke mos thuaj jam kështu apo jam ashtu. Pra as mos u mburr, as mos u tkurr. Duhet gjetur, me diplomaci, një rrugë të tretë. Sajo ndonjë gënjeshtër të bardhë bindëse. Po kur duhet të godasësh hajdutërinë dhe hipokrizinë, si duhet të veprosh?! Ata me përvojë do të të këshillojnë e qortojnë. Po ç’të duhet kjo punë ty?! Pse merresh me këto gjëra? Shih punën tënde! Do të zemërosh dikë dhe s’ke për të gjetur punë asnjëherë (nëse nuk je i punësuar). Do ta pësojnë edhe familijarët e tu. Ku e kam hallin, do të pyesni ju?! Po pra, një hall kam. Ta them a mos ta them të vëretën. Kjo është çështja. Sipas atyre me përvojë qenka normë etike të qenurit “bisht tundur”. Edhe nëse e di të vërtetën, thuaj nuk e di. Luaj një çikë rolin e trashaluqit apo dudukut. Është më mirë, thonë. Delet në numër dhe ujku i ngopur. Shkrova gjithçka por nuk arrita ta kuptojë se cili është dallimi mes sinqeritetit dhe të vërtetës?!

Strugë, 29/06/2017 Përgatiti: #XhemiHajredini