Kryeministri shqiptar mbajti seancën e parë konstitutive të Qeverisë

Kur pranova emërimin për të qenë kandidati i parë shqiptar për Kryeministër, unë në thelb kisha dy mendime të rëndësishme por edhe thjeshtë udhëzuese, – ta shfrytëzoja këtë mundësi historike, për të bërë mirë për komunitetin shqiptar, dhe për të bërë mirë për të gjithë vendin.

Ditë më parë në Prespë kam deklaruar se një kryeministër shqiptar mund të jetë një hap i madh përpara jo vetëm për komunitetin tonë, por edhe për Maqedoninë e Veriut. Nëse duam një jetë më të mirë për veten në këtë vend, një shans më të mirë për brezat që vijnë – ne duhet të ndryshojmë mënyrën se si bëhet politika këtu, duhet të shkatërrojmë dypolëshin e dy partive kryesore maqedonase. Në këtë luftë të vazhdueshme politike të ftohtë, në këtë luftë të përhershme midis grupeve të interesit, askush nuk fitoi. Shumë kishin bërtitur fitoren, por askush me të vërtetë nuk mbizotëroi.

Megjithatë, një gjë është e sigurt: se ne, qytetarët, edhe maqedonasit e edhe ne shqiptarët kemi humbur. Nëse nuk e ndalojmë këtë, për fat të keq jo vetëm betejat e së kaluarës do të jenë të humbura, por edhe betejat e së ardhmes. Prandaj, unë u bëj thirrje të gjithëve që nuk janë të lidhur me politikën, dhe të gjithë ata që mendojnë se meritojmë më mirë si qytetarë, dhe si vend – ta mbështesin idenë e një Kryeministri jo-Partiak.

Ne kemi nevojë për një lloj udhëheqjeje të re, që do t’ju shërbejë Juve, jo partive. Sot, unë qëndroj para jush me planin tim: një plan jo-partiak, që do t’ju shërbejë juve, jo partive. Një plan i mirë për komunitetin tonë dhe për vendin. Ky nuk është një program zgjedhor, nuk është një përmbledhje e premtimeve – janë 25 iniciativa dhe hapa konkrete. Këto janë prioritetet e mia për 100 ditët e para të mandatit tim si Kryeministër. Këto janë
premtimet e mia për ju, qytetarët e vendit. Asnjë frazë gjenerike, nuk ka parulla politike, as kështjella rëre në ajër. Por masa konkrete, të sinqerta dhe të arritshme që qeveria duhet medoemos t’i ndërmerr sa më shpejt të jetë e mundur në fushat e rimëkëmbjes ekonomike, mbrojtjes së vendeve të punës, arsimit, zhvillimit të infrastrukturës, drejtësisë dhe barazisë.

Më lejoni ju lutem që t’i prezantoj shkurtimisht 5 shtyllat e këtij plani të veprimit (qeveritar). Është detyra jonë të krijojmë një shoqëri shansesh, ku etnia nuk është më një kufizim. Nëse

jeni shqiptar, turk, boshnjak, rom apo vlleh, ky është vendi juaj, shtëpia juaj gjithashtu. Dhe duhet ta ndjeni, dhe duhet të jeni krenar për këtë. Qëllimi im kryesor është të arrij diçka të rëndësishme, diçka që ne e kërkojmë prej vitesh: të jesh anëtar i një komuniteti etnik është një pasuri, dhe jo një aftësi e kufizuar. Një vend i barazisë – kjo është ajo që duam. Dhe kjo është shtylla dhe zotimi i parë i planit tim të veprimit.

Maqedonasit nuk duhet ta shohin barazinë si kërcënim. Askush nuk dëshiron të merr asgjë prej tyre – përkundrazi, barazia do të na shërbejë të gjithëve dhe ta çojë vendin tonë përpara. Besimi im i fortë është se ajo që është e mirë për shqiptarët në këtë vend, është e mirë edhe për maqedonasit.

Ky Zotim i parë përmban 5 iniciativa konkrete:
1. Detyra ime si Kryeministër është ta kaloj dhe ta zbatoj legjislacionin e vendimmarrjes konsensuale dhe përgjegjësisë së përbashkët. Do të thotë, që 10 institucionet shtetërore strategjike do të drejtohen bashkërisht nga një maqedonas dhe një shqiptar, me të drejta të përbashkëta nënshkrimi.
2. Do të kujdesem për shpërndarjen e barabartë të investimeve publike. Kjo do të thotë që vendimet kryesore ekonomike (buxheti, investimet, taksat) nga qeveria nuk mund të kalojnë pa mbështetjen e shumicës së anëtarëve shqiptarë të kabinetit.
3. E di që, atë që do të them tani do t’ju duket e guximshme, por duhet të kemi guxim, besim dhe respekt, për të ecur përpara në rrugën e barazisë së vërtetë. Unë gjithashtu besoj, se kjo iniciativë do t’i shërbejë jo vetëm shqiptarëve, por edhe maqedonasve. Ne propozojmë që të kemi klasa të detyrueshme të gjuhës shqipe në
çdo shkollë, duke filluar nga klasa e 5-të.
4. Respekti për të gjithë do të thotë ta respektojmë kulturën, vlerat dhe historinë e njëri-tjetrit. Unë propozoj që të shpallet 13 Gushti, dita e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, si Festë Kombëtare.
5. Një vend i barabartë do të thotë që ne i respektojmë larmitë multietnike dhe multikulturore. Kjo është arsyeja se pse unë propozoj të arrihet një konsensus në lidhje me himnin e vendit tonë, për ta pasqyruar këtë diversitet – sepse ky simbol nuk duhet të jetë simbol i përjashtimit dhe pabarazisë, por të gjith-përfshirjes dhe barazisë.

Zotimi i dytë:
Mirëqenia e qytetarëve tanë varet para së gjithash nga rilindja jonë ekonomike – nga aftësia e qeverisë për të marrë masa të caktuara për të ndihmuar pronarët e bizneseve dhe për të mbrojtur të punësuarit. Kjo është shtylla e dytë e planit tim të veprimit. Propozimet e mia në këtë drejtim janë të qarta dhe të thjeshta: shteti duhet të ndihmojë dhe të japë subvencione për të gjithë ata që duan të punojnë dhe të krijojnë vende pune.
6. Unë urgjentisht do të inicioj një politikë të taksave zero. Që nënkupton: taksa zero të të ardhurave për tre vjet për çdo të punësuar për herë të parë nën moshën 35 vjeç; dhe taksa zero për kompanitë për tre vjet për çdo të vetëpunësuar nën moshën 35 vjeç.
7. Ne duhet gjithashtu ta vazhdojmë edhe luftën tonë për barazi ekonomike. Kështu që unë do të propozoj që Qeveria të subvencionojë 50% të kontributeve sociale për çdo punësim të ri që do ta përmirësojë përfaqësimin e drejtë të të gjitha bashkësive etnike në ndërmarrjet private.

Premtimi im është për qytetarët, jo për partitë. Dhe po e them me zë të lartë dhe të qartë, se të gjithë (çdo politikan, i zgjedhur ose i emëruar zyrtar dhe punonjës i shtetit) ta kuptojnë: nëse shteti dëshiron të rimarrë besimin e popullit të vet – ai duhet të ndryshojë vetë, jo qytetarët. Shteti ekziston për qytetarët e tij – jo anasjelltas.

Trajtimi i drejtë dhe drejtësi për të gjithë është shtylla dhe zotimi i tretë.

8. Unë propozoj krijimin e Gjykatës së Barazisë, që do të hetojë diskriminimin në nivelin shtetëror – nëse ndodh në sallën e gjyqit, në punë, në shkollë, në komunë.

9. Kjo u debatuar gjatë, por tani duhet të kemi guxim ta zbatojmë. Jam plotësisht dakord me këtë dhe si kryeministër do të zbatoj vetingun e detyrueshëm për çdo politikan, gjykatës dhe funksionar shtetëror. Jam i bindur se kjo do të na jet një mjet i fuqishëm kundër korrupsionit dhe nepotizmit.
10. Me ligj do obligojmë Këshillin prokurorial dhe gjyqsor që cdo 6 muaj të bëjnë raport publiktë konkretizuar për rezultatet e luftës ndaj korupcionit të bartësve të funkcioneve publike

Detyra e çdo politikani të përgjegjshëm është që vazhdimisht të punojë për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve. Shtylla e katërt e planit të veprimit është kjo: ne dëshirojmë jetë më të mirë për ne, për fëmijët dhe nipërit tanë. Kjo është ajo që na motivon ne që kandidojmë për poste publike. Unë kam një listë të propozimeve konkrete që mund të ndihmojnë në arritjen e kësaj brenda një periudhe të shkurtër kohe. Më lejoni të veçoj vetëm tre tani për tani, dhe unë do t’i lë kolegët e mi të shpjegojnë detajet më tej.
11. Unë e di se mirëqenia ekonomike është thelbësore, por besoj fuqimisht se sasia e kohës që kalojmë me të dashurit tanë mund të na bëjë qenie njerëzore më të mira, dhe gjithashtu mund të përmirësojë produktivitetin tonë. Kjo është arsyeja pse unë po propozoj prezantimin e orarit fleksibël të punës gjatë javës dhe gjysmë ditë pune të Premten.
12. Ne duhet të miratojmë një ligj që ndalon kazinotë dhe shtëpitë e lojërave të fatit në largësi prej një kilometri nga shkollat, kishat dhe xhamit.
13. Respektimi i atyre që punojnë për të ardhmen tonë duhet të jetë shumë më i madh sesa një shtrëngim duarsh ose një diplomë e ngrohtë. Prandaj, ne duhet të bëjmë një përpjekje financiare për t’i mbështetur këta njerëz: të mos largohen nga vendi, të bëjnë punët e tyre si duhet, të mbrojnë shëndetin tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Unë propozoj një pagë minimale prej 600 eurosh për çdo infermier, mësues dhe arsimtar.

Askush i logjikshëm në këtë qark nuk mohon që një nga kërcënimet më të mëdha për vetë ekzistencën e kombit tonë është migrimi – se të rinjtë, që janë aktivë, po e braktisin vendin tonë për një të ardhme më të mirë. Shumë kanë folur për të, por askush me të vërtetë nuk erdhi me një plan konkret dhe të mundshëm për të kundërshtuar efektet e këtij eksodi të dhimbshëm. Mos më keqkuptoni: Unë nuk po them se mund ta ndalojmë këtë, ose se mund të bëjmë mrekulli. Ne nuk mundemi. Por ajo që unë jam plotësisht i vendosur ta bëj është ta bëj këtë çështje një nga prioritetet kryesore të mandatit tim si Kryeministër, dhe të filloj të veproj që ditën e parë në detyrë. Shtylla e pestë e planit të veprimit është dhënia e një shansi për të gjitha familjet e reja. Kjo nuk është shkencë astrologjike – thjesht na duhet vetëm guxim dhe vullnet politik, dhe solidaritet për ta bërë atë.

14. Para së gjithash, ne do të modifikojmë ligjin e arsimit dhe do të prezantojmë arsimin parashkollor të detyrueshëm, së bashku me një plan ambicioz për të rinovuar dhe ndërtuar kopshte në çdo komunë.
15. Do të ofrojmë 20,000 Euro grant në kohë për secilin fermer të ri nën moshën 35 vjeç.

Unë erdha sot para jush me këtë plan nga një ndjenjë obligimi. E pranova emërimin për të qenë kryeministri i parë shqiptar nga e njëjta ndjenjë obligimi.  Detyrë për të krijuar një shoqëri për fëmijët tanë, ku ata të mund të jetojnë në paqe dhe prosperitet, ku ata do të mund të realizojnë ëndrrat e tyre, ku ata kanë shanse të barabarta.
 Detyrë për të ndërtuar një vend, ku fëmijët tanë nuk kanë nevojë të emigrojnë, sepse ata do të kenë mundësi të njëjta apo edhe më të mira këtu, ku kanë lindur dhe ku kanë shtëpinë.
 Detyrë për të ndryshuar politikën në këtë vend. Për t’i dhënë fund duopolit të pushtetit që e ka mbajtur vendin tonë të mbërthyer në lufta politike dhe në regres ekonomik.

Ditë më parë në Prespë, në fillim të kësaj fushate thashë që arritjet e mëdha gjithmonë fillojnë me ëndrrat të mëdha. Të bashkuar, ne do ta bëjmë Maqedoninë e Veriut një vend, ku të gjithë qytetarët janë të barabartë, ku shqiptarët mund të arrijnë gjithçka. Madje edhe të bëhen kryeministër.

Por këto zgjedhje nuk kanë të bëjnë me mua për tu bërë Kryeministër. Ideja është shumë më e madhe se kandidati – dhe plani ynë është shumë më i madh se vetë zyra. Dhe kjo është mirë, sepse kështu duhet të jetë. Jo vetëm tani, por edhe në të ardhmen. Faleminderit për besimin tuaj dhe faleminderit që po më ndihmoni të zbatoj atë që tani është thjesht në letër. Le ta shkruajmë historinë së bashku!