Indrit VOKSHI
Kur isha në Maqedoni para disa vitesh, po bisedonim mbi shqiptarët dhe dikush përmendi fshatin Gurgunicë. Pyeta, ku ndodhet ky fshat? Drejtuan dorën nga Lindja, malet përballë Tetovës, larg në lindje. Atje, thanë, shumë larg tek ato malet. Më kapi kureshtja. Hulumtova për ato vise. Pashë se kishin flamurin shqiptar të pazëvëndësueshëm, kishin veshje dhe këngë të veçanta dhe tani që po hulumtoja përsëri po shoh se në vitin 2019 aty qenka mbajtur festival folklori. Ne si shqiptarë kemi një thesar njerëzor e kulturor në Maqedoni.
Lufta ruso-turke e vitit 1878 dhe luftrat ballkanike na e kanë copëtuar dhe gjymtuar, se asokohe nuk kishim struktura e as institucione. Ndërsa sot kur kemi dy shtete, nuk u falet shqiptarëve të mos e ndalojnë erozionin njerëzor e kulturor. Nuk mund të vazhdojë rrjedha dhe rrjedhja e nisur 150 vjet më parë.
Ne nuk duhet të paksohemi por vetëm të forcohemi. Duhet t’i mësojmë njerëzit se Shqiptari nuk është vetëm në Shqipëri a Kosovë por edhe në Tutin, Tuz, Plavë, Ohër e Prespë, Gradec e Rrahmanli, Gurgunicë, Kotare e Çegran, Kërçovë e Zajaz. Ne shqiptarët në Shqipëri sidomos, duhet ta ndryshojmë mendjen dhe të shohim më gjerë e më larg. Nuk jemi vetëm ne Shqipëri. Gjithmonë e has pohimin “Janë futur shumë turqit në Maqedoni, kanë turqizuar shqiptarët”. Po sigurisht! Të futet tjetri. A punoi Tirana për ta? A u doli në mbrojtje? A flenë politikanët e Tiranës duke menduar për shqiptarët jashtë kufinjve? A dhurojmë ne për ta? Jo.
Më parë u dhurohen canta 5000 euroshe dashnoreve vip, sesa shkon një burrë shteti dhuron 100 abetare për një shkollë. Atëherë le ta shohim fajin tek vetja.