RROKULLIMË – Prof. Dr. Bexhet Asani

RROKULLIMË

Këtë krastë që e shihni në fotografi quhet “Maja e Spasit”. Lart në majë të kodrës ka pasur një kishë mesjetare, gjithnjë sipas arkeologëve dhe historianëve. Kisha gjendet nja tre- katërqind metra larg shtëpisë sime. Shumë vite më vonë, pasi banorët e fshatit pranuan besimin mysliman kjo kishë u shemb nga fshatarët dhe banorët e tjerë të zonës. Kësaj kishe ia rrënuan edhe themelet duke gërmuar që të gjejnë flori! Ç’ gjetën do të thoni ju? Aty gjetën vetëm eshtrat e murgut asket apo heretik…!
Po nuk e kam fjalën për kishën dhe murgun asket që nuk e lanë të prehej në paqe, por diku tjetër! Para pesëdhjetë vjetësh, toka punohej pothuaj çdo pëllëmbë e saj.
Ne si të rinj ngjiteshim lart në majë të krastës sikur të ecnim në rrafsh. Dhe që nga lart e rrokullisnim gurin të rëndë edhe një ton. Sa e lëviznim pak nga vendi dhe ai merrte tatëpjetën me një shpejtësi marramendëse, nga pesha e madhe dhe shpejtësia tundej dheu posht këmbëve tona. Edhe një, edhe një, britmat tona përziheshin me zhurmën e gurit që rrokullisej e mirrte rrugën tatëpjetë, për në fushë. Rrokullenim jo një por disa gurë, si duket nga një për shok! Dhe këtë zakonisht e bënim në muzg të mbrëmjes. Rrëzë Majës së Spasit nëpër arat pjellore gurët mbinin si kërpudhat, sa çil e mbyll sytë! Ja këtu te kjo trëndelinë e egër që të deh me aromën e saj. Në mëngjes, fshatarët shihnin me habi sesi kishin “mbirë”ata gurë gjigantë në arat e tyre! Nga të gjithë gurët e rrokullisur, asnjë nuk u kthye në vend të vet! Mbase nga kjo edhe frazeologjia:

  • Guri i rënd të vet!
    Edhe ne të gjithë djemtë e asaj kohe patëm rrokullisje – kupto ikëm, pa nam pa nishan!
    Sa të ngjashëm jemi unë dhe guri i Majës së Spasit..!
    Rrokullisje, rrokullisje dhe vetëm rrokullisje që kur kam rënë në mend..!
    Ikje, ikje dhe vetëm ikje nga Maja e Spasit dhe nga atdheu!
    Ike ti o gur, ika dhe unë!
    Ikëm të dy, unë dhe ti, o gur..!
    Për t’ u kthyer………kurrë më!
    Ikëm…!
    Ikët dhe ju…!?