Spanja më në fund shfuqizon gjendjen emergjente, mirëpret turistët

Qeveria spanjolle e ka shfuqizuar gjendjen emergjente dhe i ka hapur kufijtë për turistët nga pjesa më e madhe e Evropës. Ky shtet do ta lejojë edhe hyrjen e vizitorëve britanikë pa pasur nevojë për karantinë.

Për tre muaj, Spanja ka qenë nën një prej izolimeve më të rrepta në Evropë si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, paralajmëroi se kontrollet për higjienë duhet të kryhen në mënyrë të rreptë, pavarësisht lehtësimit të kufizimeve.

Deri më tani, në Spanjë nga Covid-19 kanë vdekur 28,322 persona, duke e zënë vendin e tretë në Bashkimin Evropian.

Gjendja emergjente ishte vendosur më 14 mars dhe për disa javë, njerëzit nuk kishin të drejtë të dilnin jashtë për të bërë ushtrime dhe as fëmijët nuk mund të dilnin për asnjë arsye.

Zakonisht, Spanjën e vizitojnë rreth 80 milionë turistë në vit, ndërsa turizmi sjell 12 për qind të prodhimit vendor.

Rihapja e sektorit të turizmit para përfundimit të sezonit veror vlerësohet si jetike për ekonominë spanjolle.

Personat që hyjnë në territorin e Spanjës do të kontrollohen për temperaturë. Ata gjithashtu duhet të tregojnë nëse kanë qenë të infektuar më herët dhe t’i ofrojnë të dhënat e kontaktit.