Shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Maqedoninë e Veriut.Gjendja e jashtëzakonshme do të zgjasë 8 ditë.

Gjendje e jashtëzakonshme edhe për 8 ditë

Presidenti Stevo Pendarovski rishpalli gjendje të jashtëzakonshme në territorin e tërë vendit, në mënyrë që të mundësojë përgatitjen e zgjedhjeve të 15 korrikut.

Vendimi, siç raportohet nga Zyra e Presidentit, është marrë në bazë të nenit 125 dhe nenit 126 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, pas propozimit të paraqitur nga Qeveria dhe zgjat tetë ditë, nga 15 deri 22 qershor 2020.

” Partitë politike kanë arritur një marrëveshje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 15 korrik 2020. Në këtë drejtim, vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme merret me qëllim që të mundësohet përgatitja pa pengesa të zgjedhjeve, dhe veçanërisht zbatimi e masave për mbrojtjen e shëndetit publik gjatë procesit zgjedhor, në kushtet e pandemisë së virusit Korona të shpallur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë” , shkruan në komunikatë.

Presidenti Pendarovski pret që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të jenë të drejta, të lira dhe demokratike, duke pasur parasysh perspektivën euro-atlantike të vendit.