E keni pyetur ndonjëherë veten pse Profeti Muhamed a.s na ka kërkuar të recitojmë suren Kehf çdo të premte? – Sekretet e sures Kehf

E keni pyetur ndonjëherë veten pse Profeti Muhamed a.s na ka kërkuar të recitojmë suren Kehf çdo të premte?

Kjo sure përmban 4 histori. Të shikojmë çfarë mësimesh mund të nxjerrim prej tyre.

Njerëzit e shpellës

Është historia e disa djelmoshave që jetonin në një qytet mosbesimtarësh, prandaj vendosën të emigronin, të largoheshin për hir të Allahut. Allahu i shpërblen ata me mëshirë dhe mbrojtje nga dielli, në shpellën ku u strehuan, derisa u zgjuan dhe zbuluan se të gjithë banorët e qytetit ishin bërë besimtarë.

Mësimi: sprova e besimit

Pronari i dy kopshteve

Historia e një burri të cilin Allahu e kishte begatuar me dy kopshte të bukur, por burri harroi të falendëronte Atë që e kishte bekuar me gjithçka që kishte. Madje ai guxoi të vinte në dyshim amëshimin apo botën e përtejme të premtuar nga Allahu. Për këtë arsye kopshtet e tij u shkatërruan. Ai u pendua, por pendimi i tij ishte i vonuar dhe nuk i shërbeu për asgjë.

Mësimi: sprova e pasurisë

Musai a.s dhe Hidri a.s

Kur Musai u pyet “kush është njeriu më i ditur në sipërfaqen e tokës?, ai u përgjigj: “Unë jam”, duke menduar se ishte Profeti i vetëm në tokë për kohën. Por Allahu i shpalli se një burrë tjetër dinte më shumë se ai në disa çështje të caktuara. Musa udhëtoi për ta kërkuar dhe arriti të mësonte se ndonjëherë, urtësia mund të fshihet në çështje të cilat ne i perceptojmë si të këqija.

Mësimi: sprova e dijes

Dhul Karnejni

Allahu përmend historinë e një mbreti të fuqishëm që zotëronte dije dhe pushtet dhe që udhëtonte nëpër botë për të ndihmuar njerëzit dhe për të përhapur mirësi. Ai arriti të zgjidhte problemin e Jexhuxh Maxhuxhëve duke ndërtuar një ditë gjigante me ndihmën e njerëzve që nuk ishte në gjendje as t’i kuptonte.

Mësimi: sprova e pushtetit (fuqisë)

Në mes të sures Allahu përmend Iblisin si qenien që shkakton këto sprova: “Kur u thamë engjëjve: “Përuluni në sexhde para Ademit”, ata u përulën, përveç Iblisit. Ai ishte një nga xhindet dhe nuk iu bind urdhrit të Zotit të vet. Atëherë, a do t’a merrnit atë dhe pasardhësit e tij për mbrojtës në vendin Tim, edhe pse ata janë armiqtë tuaj?! Sa këmbim i shëmtuar që është ky për keqbërësit!” (Surja Kehf 18:50)

Në shumë hadithe, Profeti Muhamed a.s përmend se ai i cili lexon dhe mëson përmendësh Suren Kehf do të jetë i mbrojtur nga sprovat e Dexhalit. Ebu Derda r.a transmeton se Profeti a.s ka thënë: “Ai që mëson përmendësh 10 ajetet e para të Sures Kehf do të jetë i mbrojtur nga sprovat e Dexhalit.”

Tashmë të analizojmë lidhjen mes Sures Kehf dhe Dexhalit:

Dexhali do të shfaqet para Ditë së Gjykimit me 4 sprova”
Do t’ju kërkojë njerëzve që të adhurojnë atë dhe jo Allahun: Sprova e besimit.
Do të ketë fuqinë të shkaktojë dhe ndalojë shiun dhe të tundojë njerëzit me pasurinë e tij: Sprova e pasurisë
Do të sprovojë njerëzit me “dijen” dhe lajmet që do t’ju japë: Sprova e dijes
Do të kontrollojë një pjesë të madhe të tokës: Sprova e pushtetit.
Si t’ju mbijetojmë këtyre sprovave

Miqësia e mirë dhe e drejtë

“Dhe qëndro me ata që i luten Zotit të vet në mëngjes dhe mbrëmje, duke dëshiruar Fytyrën (kënaqësinë) e Tij dhe mos i shmang sytë nga ata (tek të tjerët), duke dëshiruar stolitë e shkëlqimin e kësaj jete. Mos dëgjo atë zemrën e të cilit ia kemi lënë mospërfillëse ndaj përmendjes Sonë e, që shkon pas dëshirave të veta, duke shkelur çdo kufi në veprimet e veta.” (Kurani 18:28)

Njohja e të vërtetës së kësaj bote

“Jepu atyre shembullin e jetës së kësaj bote: ajo është si uji që Ne e lëshojmë nga qielli; bimësia në tokë përzihet me të, por pastaj bëhet si bar i thatë të cilin e shpërndan era. Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë!” (Surja Kehf 18:45)

Modestia (përulësia)

“(Musai) tha: “Do të më gjesh të durueshëm, në dashtë Allahu e nuk do të të kundërshtoj për asgjë.” (Kurani 18:69)

Sinqeriteti

“Thuaj: “Unë jam vetëm një vdekatar si ju, që më është shpallur se Zoti juaj është një Zot i Vetëm. Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!” (Surja Kehf 18:110)

Thirrja (lutja) ndaj Allahut

“Dhe lexo atë që të është shpallur ty nga Libri i Zotit tënd! Askush nuk mund t’i ndryshojë fjalët e Tij dhe ti nuk ke për të gjetur kurrfarë strehe, përveçse tek Ai.” (Surja Kehf 18:27)

Përkujtimi i jetës së përtejme

“Ditën, kur Ne do t’i shkulim malet, do ta shohësh tokën të zhveshur dhe do t’i tubojmë të gjithë njerëzit, pa lënë askënd prapa. Ata do të sillen të radhitur para Zotit tënd (e do t’u thuhet): “Tashmë Na erdhët, ashtu siç ju krijuam herën e parë, ndonëse ju (o jobesimtarë) pretendonit se nuk do t’ju caktonim një takim (ringjalljen)”. Dhe Libri (i veprave të tyre) do t’u vihet përpara, e do t’i shohësh gjynahqarët se si do të tmerrohen nga ato që gjenden në të dhe do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër që nuk paska lënë asnjë vepër të madhe apo të vogël pa e shënuar atë”. Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë punuar. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.” (Surja Kehf 18:47-49)

Burimi: ilmfeed.com