Tre vjet pa ty..!
Shkruan:
Bexhet Asani KUMT PSE S’ MË PRITE? (Subi Kazaferit)
Më premtove se do të më prisje miku im
Më premtve se do ta pinim kafenë
Si ngaherë
Te restoranti i preferuar buzë liqenit
Ku pulëbardhat hareshëm vallëzojnë
Ku mjellmat lozonjare çajnë dallgët
Ku ndonjë çift çuçurit si dallëndyshet
Për jetën e re
The se do të më prisje
O dollibash
Përmallshëm ta ngrinim dollinë
Për shëndetin tënd
Burrë i rrallë
Që mban konak
O fjalë xhevahir
S’ të pa njeri
Të dergjesh
Në shtrat
Mbete si
Lis
Në këmbë
Si kreshnik
Po ti ike
Subi
në përjetësi
Pa na thënë
Lamtumrë
Ti ike
Subi
S’ më besohet
Për perëndi
Si do ta pimë
Kafenë pa ty
S’ ngrem dot asnjë dolli
Na ike pa na thënë
Lamtumirë
Ike
Në përjetësi!
7 qershor 2017
SUBI KAZAFERI
NJË MIK, MË SHUMË SE MIK
Ky zotëri që e shihni në fotografi, është miku im Subi Kazaferi. Një mik që e kam më shumë se mik.Një shok që e kam më shumë se shok. Ky burrë, është burrë i rrallë me plot kuptimin e fjalës. Ai është i qetë, i matur, i urtë, i mençur. Di të jap këshilla të vlefshme për shokët e tij. Di të japë fjalë e di ta mbajë fjalën. Njeri i besës që s’ e ka shoqin jo vetëm në këto anë. Di të ndajë drejtësi kur e do nevoja. Nuk di të mbajë anë.Fjala e tij ndanë drejtësi, në çdo ngatërresë. Nuk duron dot padrejtësinë. Ai nderon dhe respekton të madh e të vogël. Ai është i nderuar nga të gjithë pa përjashtim. Ai është i ngarkuar me energji pozitive që rrezaton. Nuk di të thotë një fjalë të keqe. Nuk mban njeri në gojë. Njeri që di të mbaj konak me këshillat e tij dhe pa e lënduar asnjë. Njeri që beson në perëndi e që falet në xhami. Një njeri që di ta bëjë dhe ta gjejë këndin e që i ka hije këtij zotëriu si asnjë njeriu tjetër. Ka durim të jashtëzakonshëm: dëgjon me kujdes gjer në fund bisedën. Bujar. Mikpritës. Shtëpia e tij ka qenë është dhe do të jetë gjersa të ketë frymën e fundit, e hapur për miqtë, pikërisht për këtë vlen fjala e urtë: shtëpia e shqiptarit e mikut dhe e shtegtarit. Mikpritja e tij dhe e familjes së tij është e rrallë. Njeri që nuk di të kursehet asnjëherë për të ndihmuar hallexhinjtë. Fjala e tij shëron. Burrë i fjalës, i besës dhe i dollisë. Dollibash që rroftë e qoftë. Është dollibashi i fundit në anët tona. Zotëri që di të dojë familjen, të afërmit, shokët, mbi të gjitha popullin dhe atdheun e tij. Burra me të gjitha këto virtyte me të vërtetë janë të rrallë, shumë të rrallë.
2014
SUBI KAZAFERI
Një kujtim i paharruar me mikun tim Subi Kazaferin gjatë një aktiviteti kulturor në qytetin e Strugës. Pres me padurim dhe me ankth një lajm të mirë që do të më gëzonte, e do të më bënte me krahë si të shqiponjës. Për mirëqenien e mikut tim, më shumë se mik, për shokun tim më shumë se shok.
Rroj me shpresën se do të pimë kafe buzë liqenit të Strugës, më të bukurin në botë, me mikun tim të idealeve, me mikun tim të nderuar, më i miri nga të gjithë miqtë që kam pasur, kam dhe do të kem. Ai është Rilindësi i parë dhe i fundit, më i miri, më i edukuari, më hyjnori. Ai do të rrojë sa mali i shenjtë i Tomorit, sepse familjarët dhe shoqëria kanë nevojë për fjalën e ëmbël e burrërore të tij, këshillat e tij të çmuara.
Njeri i ngarkuar me energji pozitive: të mërziturin e bën të lumtur, të sëmurin e shëron fjala e tij, të lumturin e lumturon dhe e bënë të fluturojë nga hareja. Nga zemra i uroj shëndet dhe jetë të gjatë mikut tim të shtrenjtë Subi Kazaferit!
29 janar 2017
Nju Xherzi