Ilir SECI
Ktyne diteve kur përsillet jehona e aktit barbar të shembjes së godines të Teatrit Kombetar nga klika makute post-komuniste, natyrshem te bjen ne mendje se kjo barbari nuk asht gja e re, gja e panjoftun dhe e pazbatueme ma para. Jo, fatkeqesisht ajo shembje asht vazhdë e nji praktike shkatrrimtare prej afro tetë dekadash tashma. Praktike qe nisi me shkaterrimin ma te madh ne historine moderne shqiptare, me pushtimin komunist te 29 Nandorit 1944. Nga keto akte barbare shembjesh, padyshim që shkaterrimi i Pazarit te Vjeter te Shkodres asht nji nga aktet ma të randa…
Per me folë per Pazarin e Vjetër te Shkodrës duhet duhet ma se pari me e ba nji parantezë historike, parantezë si punë suaze ku me mujte mbasandej me e vendose tablonë. Shkodra asht qytet i lashte e zulmëmadh, ndertue aty ku derdhet Drinit i Bashkuem, ndertue aty ku derdhet lumi Kir qe vjen rrmyeshëm prej Dukagjinit, ndertue bri Liqenit te Shkodres, ndertue aty ku buron Buna e prajshme, i vetmi lume i lundrueshem ne Shqipni. Kam jetue ne Shkoder edhe mbasi kam krye shkollën aty, prandej e njoh mire…sa here që dilja shetitje bregut te Bunes tue kapercye urën dhe ecja deri ne Shiroke e ma pertej, mendojshe se njerezit e pare kur ngulen aty në agshollin e jetës e zgjodhen per qejf atë vend. E zgjodhen si me pase qenë të vetmit gjind atypari, qe pleqnojshin si me e ba nji qytet…
-“E do qytetin ne fushe por jo lerg maleve, e do qytetin ngat detit por jo krejt ngat dhe te lidhun me nji lume qe asht i lundrueshem derisa derdhet ne Adriatik? E do me klime te butë ku të bahet çdo peme qe njihet, vend qe nuk ka ligatina as mushkaja malarje?”
Me e ba me porosi nji qytet nuk ke si e ban ndryshe. Qarkue nga Kunora e Bjeshkeve te Nemuna e me dalje ne detin Adriatik, bri nji liqeni me uje te ambël perplot peshk…me plot reshje shiu qe njomin token e zharitun, vend ku shiroku asht aq i natyrshem sa nji lagjie te qytetit ia kane vndue emnin Shirokë…
Prandaj ngulen furkzën aty te paret dhe e flijuen Rozafen nusen e vllaut te vogel…Mbretnia Ilire e kishte kryeqender Shkodren, Roma me bregun tjeter te Adriatikut e kqyrte me lakmine e zogut te Ulkonjes qe pret momentin me kafshue…Mbas Romes erdh Bizanti, mbas Bizantit erdhen dyndjet sllave, mbas tyne erdhi Venediku qe ne Shkoder u soll si partner sepse e pa qe ne Shkoder kishte gjete partner te denjë…Mbas Venedikut e lakmuen osmanet qe per vite e vite me rradhe ranë cope me e pushtue, vete sulltanet u prinë ushtrive që rrethuen kalane e Rozafes, ne rrethime te egra, te pameshirshme, gjakatare, deri sa e shternguen me ra… Por me tanë këto sulme e pushtime, Shkodra ne shekuj e gjeti forcen me e rikrijue vetveten, me u ringjalle nga hini i vet si ngjallet zogu legjendar Feniks…Çdo herë që qyteti u pushtue dhe mbet ne meshirën e zaptuesve, disi ia doli me rilinde, Roma e rrafshoi duke vra jo vetem njerezit por edhe kafshet, duke pre peme e duke shterrue kroje, por qyteti mbrriti me u rilindë…Bizanti e dogj e plaçkiti por qyteti rilindi si ajo fara e grunit qe mbin mes brazdes, Sllavet e rrafshuen mes shekujve të gjashtë dhe të shtatë por qyteti u rilind, Osmanet e rrafshuen aq barbarisht dhe pamëshirshëm sa e shtërnguen edhe Zojën e Shkodrës me emigrue ne Itali, por prape fara e shpreses se mbijetesës mbiu mes shpuzës dhe hinit të zjermeve zharitëse…Qyteti rilindi edhe mbas vitit 1913 kur bishat sllave te Malit te Zi e bombarduen qytetin gjate rrethimit famekeq te Shkodres tue e plaçkite e djege cubnisht Pazarin e Shkodres e tue mos lanë gja në kambë…
Qyteti rilindi ne tana rastet kur u dogj apo rrafshue sepse ne çdo rast rilindi Pazari i Shkodres…Pazari i permendun që njihej në tanë Gadishullin Ilirik e ma gjanë…
Pazari i Shkodres ka qenë i ndërtuem në rrazë të kodrës ku ngrihet madheshtore Kalaja e Rozafes, sot i bie afersisht dy kilometra ne jug të qendrës së qytetit, aty ku sot gjindet parku i bregut të lumit Buna. Si na shkruen Barleti në veprën “Rrethimi i Shkodrës”, Pazari asht zhvendosë nga Qafa në fushë shumë kohna para ranies së qytetit në dorën e osmanëve. Per shekuj me rradhe ky Pazar shtrihej në kambë të Rozafës. Simbas revistës angleze “The Economist” në numrin e datës 12 Prill te vitit 1913, shkruhej se ky Pazar “…ishte pazari ma i bukur i ish-Perandorisë Osmane dhe ia kalonte ndoshta vetëm Pazari i Prizrenit.” Qyteti i Shkodrës ka pase gjithehere Tregun,(Pazarin), e vet, ky fakt përmendet në Statutet e Shkodrës të fillimit të shek. XIV me emrin “Favolete”, si vend tubimi, merkatë, pra vendi ku bahej tregtia. Ne vitit 1992 kur u rihapen Dhomat e Tregtise mbas ranies se diktatures, drejtori i kesaj dhome ne Shkoder me diftonte dokumentin original te nji marreveshje shkembimi tregtar mes Dhomes se Tregtise Shkoder dhe Dhomes se Tregtise Venedik, viti me sa e kujtoj ishte 1437…
Rolin aq te randesishem ketij Pazari ia perftonte pozita gjeografike, pazari ishte ngrite skejt Portit te vetem lumor ne historine e Shqipnise. Mbas shume ranieve e ngritjeve gjate historise se koklavitun te Shqipnise, Pazari i Shkodres edhe njihere rilindi fale administrimit te Bushatlinjve shkodrane, te cilet e bane kete Pazar nji nga ma të njoftunit e tregjeve Ballkanike. Kjo asht periudha kur ky Pazar pati nji rol të randësishëm tregtar deri në vitet ’70 të shek. XIX, kohe kur pazari mbrriti me pase rreth 3 mije njësi prodhimi e tregtimi. Bazue në dokumentet e kohes, shkruhet se në Shkodër, ne kohen e Bushatlinjve ekzistonte “Dhoma e Tregtisë ne Shkoder”, nji document qe daton me 8 Prill 1736 dhe njihej si “Komuniteti i Piazzës së Shkodrës” (kështu u quejt në atë kohë dhe u emnue Dhoma), që u shërbente tregtarëve dhe zejtarëve shkodrane e ma gjane dhe mbronte interesat e tyne. Mbas viteve ’60 të shek. XIX Pazari i Shkodrës dha shenjat e para të ranies ekonomike, vetekuptohet edhe politike e kulturore për shkak të ngritjes së manifakturave kapitaliste që konkurronin esnafet në sasi prodhimi, hapja e kanalit të Suezit më 1869, ndërtimi i hekurudhës Mitrovicë-Selanik më 1874, aneksimi i Ulqinit dhe Tivarit nga Mali i Zi më 1880, Mortaja e viteve 1814-1819, përmbytja nga ujrat qe pruni ndryshimi i rrjedhës së lumit Drin me rrjedhojë vershimin e Bunës në drejtim të fushës dhe përmbytjen e pjesës ma piktoreske të Pazarit, dekadenca e përgjithshme e administratës Osmane qe ne degradim e siper nuk u lodh per mirembajtjen e Pazarit, fuqizimi i portit te Selanikut dhe per fund tërmeti shkaterrimtar i vjetes 1905…Dhe per me i vndue kapak pushtuesit malazez, natën para se të largoheshin në maj të vjetes 1913, i vnduen zjermin Pazarit tue djegun sokaqet ma të mira, të drithnave dhe elbnave, tue shkatërrue plotësisht dugajat…
Por prape Shkoder Locja e gjet forcen me e ringrite Pazarin, te cilin te huejt na e pershkruejne si asht ma mire :
– “Ndamja mes pjesëve tregtare dhe rezidenciale të qytetit asht ma e theksueme këtu se në çdo qytet tjetër oriental. Të dyjat ndahen me fusha të hapuna dhe ullishte. Në nadje, pothuajse të tanë banorët meshkuj të Shkodrës dalin nga qyteti i ri në rreshta të gjata nisen për pazar dhe kalojnë tanë ditën atje. Para perëndimit të diellit ata kthehen në familjet e tyne – njerëzit ma të vorfën në këmbë mbartin ne kurrize thaset me ushqimet e bleme, tregtarët e pasun shkojne hypyn mbi kuaj dhe së mbrami vijnë pajtonat, të cilat ishin të panjoftuna këtu deri vonë si një metodë transporti.” –
– Theodor A. Ippen: Skutari und die nordalbanische Küstenebene (Sarajevo 1907), p. 27-32. (Perktheu nga gjermanishtja Robert Elsie.)
Nji pershkrim fantastik te ketij Pazari na e ka lane shkrimtarja amerikane Elizabeth Cleveland Miller ne librin “Bijte e Shqipes se Malit”, (Children of the Mountain Eagle), botue ne vjeten 1929 ne New York City, ku shkruen per kete Pazar :
-“Tesh ata iu afruen asaj që quhej Shkodra e Vjetër. nji pjesë e qytetit e ndërtueme vite e vite ma parë. Këtu ishin dugajat dhe këtu nëpër rrugë dhe në vendet e hapuna mbahej Tregu. Njerëz nga të tana anët, nga Malet dhe Fushat, sillnin gjana për me shite ashtu siç kishin ba Bora dhe njerëzit e saj të ditës. E Mërkura ishte Dita e Pazarit – thanë njerëzit . Bora e donte Ditën e Pazarit – turma njerëzish visheshin tanë shend dhe ndryshe nga ditet tjera, rrugët bllokoheshin me gjanat që kishin pru në Shkoder te tanë per shitje. Tesh ata po kalonin të tana dugajat e qytetit në rrugën qe shkonte në sheshin e tregut. Kadaldalë ata u aviten kështu që Bora kishte kohë me kqyre gjithçka. Dugajat ishin si kutia të mëdha të hapuna me nji distance krejt te afert me anën e rrugës ku ecnin gjindja. Mujshe me kalue aq ngat sa të mujshe me preke gjanat mbrenda tyne dhe të mund ikje drejt kudo – nuk kishte dyer. Mbrenda nuk kishte rafte dhe karrige. Bora kishte mbete e çuditun kur kishte pa gjana të tilla. Blerësit e dyqaneve uleshin kambëkryq në dysheme dhe mbanin me duert e tyne gjanat që shiteshin. Dani u ndal nga një dugaje. Ky ishte vendi ku baheshin rrypa lëkure për gratë Malsore. Dani dishironte me e ble nji për gruen se ai që ajo kishte mberthyem ishte vjetrue e zvjerdhe. Rrypat baheshin nga nië shirit i gjanë prej lëkure të randë të errët dhe të vezllueme me gozhda të ndritshme të vendosuna në lëkurë të ngurta, qindra prej tyre, afër së bashku në tanë rrypin. Tre burra u ulën në dyshemenë e dugajës së vogël dhe punuen në bamjen e rrypave. Nji burrë e mbajti rrypin dhe e studioi me thonj të vezullueshëm të ndritshëm, duke i nyjitun në birat e shpueme dhe duke i meshue me nji çekiç të vogël. Në anën poshtë ai nguli thonjtë për me i mbajtun ato fort. Dhe nji burrë tjeter I fryni një zjermi të vogël qymyrguri tue nxemun plumbin sa me marre trajten qe duhej. Bora pa tenxheren e vogël që i duhej me mbajte metalin e shkrimë. Si një shurup i trashë, argjendi u shfaq. Bora u përkul me pa. Në dysheme ishin pak kallëpe druri, blloqe me zgavra të premuna në formen e baskiave, (gozhdës). Ndërsa Bora kqyrte, burri derdhi plumbin në njanën nga kallëpe. U ba si mjaltë, tue mbushun birat, dhe mbasandej ai ngriti metalin e shkrime dhe e zhyti në ujë per me e ftofe plumbin. Dhe kur u hap mbas zhytjes atje u pershfaqen nji gjysë dyzine baskiash të vogla gati për me u fute në rrypa. Disa që nuk ishin në gjendje të mirë burri i gjuejti prapë në tenxhere për i shkri përsëri, dhe të tana të mirat ai i zgjodhi dhe i futi në nji kuti të vogël prej druni, vendosun ngat burrit që punoi me to. Bora u pervodh në errësinë në pjesën e pasme të dhomës së vogël. Aty punonte nji tjetër burrë, tue premun lëkurën në madhësinë e duhun.”
Libri ka edhe ma shume detaje te ketij Pazari te cilat kam deshiren me i pru ne nje perkthim te krejt kesaj vepre, por ajo qe duhet theksue asht se shkrimtaren e mahnit ky Pazar qe ka pershkrue ma mire se vete shqiptaret…
Pse ishte kaq me nam ky Pazar?! Qyteti i lashte i Shkodres jo rastesisht e gezon ate emen te madh qe ka…Fama vjen nga shekujt, qe nga koha e Agronit dhe Teutes e deri te Rrethimi i famshem i Shkodres kur ky qytet u bani balle Osmaneve edhe per 15 vjet tjera mbas vdekjes se Gjergj Kastriotit…Rezistence qe i dha ma shume emen dhe lavdi kesaj qendre te lashte e zulmeplote. Nga disa lexime dhe referenca historike u shtyna me ba kerkime se ne sa qytete te botes ka rruge ose vende me emrin Shkoder…
Shkodra asht ma shume e njoftun ne variantin latin te emrit te saj “SCUTARI” dhe kerkimi ne emnin e saj me pruni si rezultat te pakten 15 qytete te botes qe kane rruge me emrin e qendres se njoftun shqiptare… Nji nga rruget kryesore ne Venedik, (Venecia si i thone disa), nji rruge e vjeter dhe mjaft e vizitueme nga turistet quhet “Via Scutari”, shqip “Rruga e Shkodres”…Deshmi e lidhjeve te hershme te Shkodres me Republiken e Venedikut…Historia e provon me mijera here kete… Ne Stamboll nji lagje e tane mban emrin USKUDAR, varianti osman i emrit Scutari dhe ashr emertue ashtu nga fama e Shkodres sic thone disa kronikane te kohes…Nje tjeter prove qe perforcon kete lidhje me shqiptaret eshte edhe fakti qe perballe kesaj lagjie ne anen tjeter te Bosforit eshte lagjia tjeter me emnin “ARNAUTKOY” qe domethene “Fshati Shqiptar”… Ne Londer gjindet nje rruge me emrin “Rruga e Shkodres”,“Scutari Road”… Ne France ne jug te vendit gjindet nji rruge me emnin e Shkodres…”Rue Escutary”, dhe gjendet ne Aïcirits-Camou-Suhast, France… Eshte interesante te hulumtohet ma tej pse gjendet ky emer i Shkodres ne nje zone Baske ne kufirin mes Frances dhe Spanjes?!…Ne Hualpen Kili ka nji rruge me emnin e qytetit te Shkodres per kete teme kam shkrue edhe ma perpara…
Ne Itali ka me se shumti qytete qe kane rruge me emnin e Shkodres, deshmi e qarte kjo e lidhjeve te forta historike. Po i rendis me rradhe disa qytete qe gjeta…Ne Katania,…Ne Kozenca…Ne Milano…Ne Massa Itali…Ne Viareggio…
Dhe jo vetem aty…Ne Beograd, kryeqytetin e Serbise lagjia ma e vjeter e ketij qyteti dhe zona ma e vizitueme sot nga turistet quhet “Skadarlija”, nji emen qe i asht vendosun lagjes ma te vjeter te Beogradit nga banoret e atehershem qe shpresonin qe lagjia e tyre ti ngjasonte sadopak Shkodres. Jane disa kronika te kohes qe shpjegojne se perse serbet kerkonin te imitonin qendren ma te njoftun te asaj kohe ne Ballkan, Shkodren…Nji rruge ne Zagreb mban emrin “Skadarske Ulice” …shqip “Rruga e Shkodres”…
Si e theksuem ma nalt, mbas rrethimit të tmerrshëm nga ushtritë serbe dhe malazeze që perjetoi Shkodra, më 14 maj 1913 ne molin e Pazarit te Shkodres zbarkuen detashmentet e Flotës Ndërkombëtare. Fatkeqesisht mbasi malazezët e dogjën Pazarin, të cilin e kishin plaçkitun ma paea…Nga ato kontakte Shkodranet mes tjerash mbrriten me mesue lojen e futbollit nga marinaret angleze qe zbarkuen aty me 1913…E para ndeshje nderkombetare futbolli ka mbete ne histori bash aty te Pazari i Shkodres, kur rinia shkodrane zgjodhen nji ekip dhe luejten perballe marinareve angleze…ne te njajten menyre Shkodranet mesuen edhe bicikleten nga konsullata franceze ne Shkoder dhe mbrriten deri aty sa qe simbas gazetarit sportive Rifat Uruci, Shkodra mbrriti “Me organizue rrethin e pare ciklistik per amatore ne tane Europen”…
Me 29 Nanduer 1944 ne Shkoder hyne forcat e ashtequejtuna ‘çlirimtare” te cilat nen komanden e kryekriminelit Mehmet Shehu kryen krime nga ma te perbindshmet…keto forca pushtuese qysh atehere nisen shkaterrimin gradual te Pazarit te famshem te Shkodres, fillimisht vete duke djege e zharite dugajat e mbrapa shkaterrimin e lane me e krye refugjatet komuniste greke te sjellun ne Shkoder, greket komuniste qe u arratisen nga lufta civile greke dhe u strehuen pikerisht ne Pazarin e Shkodres tue u dhane mundesi me djege e shkaterrue ate Pazar me nam…greket e sjellun aty mbasi shkaterruen Pazarin e Shkodres iken per ne Bashkimin Sovjetik, vetekuptohet te knaqun mbasi ia kishin dale me djege te qete lavdine e Shkodres e tane kjo fale Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhes, ia dolen me djegun bash kryeqendren e Gegnise, Shkodren…Por urrejtja patologjike ndaj Gegnise e Enver Hoxhes dhe Mehmet Shehut, nuk do mjaftohej me kaq…ne vitin 1968 perbindeshat Enver dhe Mehmet do ta ngopnin oreksin e tyne patologjik anti-gege me rrafshimin e keti Pazari te famshem…Mehmet Shehu nji vit mbasi kishte dhane urdhen me rrafshue Kishen Historike ne Vaun e Dejes ku kishte vndue kunoren Heroi Yne Kombetar Gjergj Kastrioti, dha urdhnin tjeter me rrafshue Pazarin e Shkodres…Si argate te perbetuem antishqiptarë Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu nuk kishin çka banin tjeter pos me shkaterrue çdo grimce te identitetit tone mijeravjeçar…Per doktrinen e tyne vrastare Pazari i Shkodres ishte e kunderta e çdo vlere internacionaliste qe ata trumbetonin nate e dite…
Fakti asht qe Shkodra prej asaj dite qe i asht shkaterrue Pazari nga komunistet e deri me sot nuk e ka rimarrë ma veten, le te nenkuptohet se komunistët dine ku me godite – i rane thembres se Akilit, i rane shpirtit te Tregtise Shkodrane, dhe e shkaterruen Gegnine ate dite e sot…
- Elizabeth Cleveland Miller “Children of the Mountain Eagle” New York 1929 :
- Th. Ippen “Skutari und die nordalbanische Küstenebene” Sarajevo 1907 ;
- H. Bushati “Shkodra dhe motet”, Shkodër: Idromeno, 1999 ;
- Z. Tafilica “Pazari i Vjetër i Shkodrës, Art & Trashëgimi”, 2012 ;
- R. Dizdari “Monumentet”, Nr. 5-6, Tiranë: Instituti i Monumenteve të Kulturës ;