MPB: Hetimi për liturgjinë fetare në Strugë, është në vazhdim e sipër

MPB: Hetimi për liturgjinë fetare në Strugë, është në vazhdim e sipër

Tre javë pas liturgjisë së Ditës së Shën Gjergjit në Strugë, në të cilën morën pjesë qindra qytetarë në kohën e përhapjes së pandemisë COVID 19, as policia dhe as Prokuroria Publike, nuk tregojnë se kush është fajtor për atë që ndodhi më 11 maj. Nga Prokuroria Themelore Publike në Strugë për Alsat thonë se po punohet për zbardhjen e rastit. Deri tek ta kanë arritur një pjesë e dokumenteve dhe të dhënave të nevojshme nga Ministria e Brendshme.

“Pas udhëzimeve të dhëna nga Prokuroria Publike po ndërmerren veprime dhe pritet që të arrijnë të gjitha të dhënat e nevojshme, veçanërisht në lidhje me vërtetimin e identitetit të personave që morën pjesë në liturgji”, u shprehën nga Prokuroria Themelore Publike-Strugë.

Nga Ministria e Brendshme hapur pranojnë se ekziston dyshim se ka pasur lëshime në punën e punonjësve të policisë.

“Ka fshehje të funksionit parandalues të Ministrisë së Brendshme”, tha Naqe Çulev – ministër i Brendshëm.

Këtë e vërteton edhe zëvendësja e tij.

“Të gjitha aspektet e veprimit policor janë duke u përpunuar dhe shqyrtuar”, u shpreh Sllavjanka Petrovska, zv/ministre e brendshme.

Për më tepër, Ministri Çulev thotë se SPB Ohër po punon për identifikimin e personave pjesëmarrës në liturgji, ndërsa janë ngritur kallëzime penale. Tre përfaqësues të këshillit të kishës, kreu i kishës së Shën Gjergjit dhe tre përfaqësues të agjencisë për sigurimin e ngjarjes tashmë janë thirrur në policinë e Strugës për bisedë informative.