IKJA ISHTE E DHIMBSHME…!
Shkruan:
Bexhet Asani
Zagraçani e Shumi fshatra të qetë, me bukuri të rrallë natyrore e mahnitëse. Këto katunde janë përballë syrit të diellit të mëngjesit, rrezja e parë e diellit njerëzit punëtorë të këtyre fshatrave, i gjente nëpër ara livadhe e vreshta duke punuar me zell tokën e tyre të dashur. Banorët e këtyre fshatrave ishin dhe janë njerëz të urtë e punëtorë. Këto fshatra kanë fushë të gjerë. Toka është pjellore e klasës së parë. Fusha mbillej, Nuk lihej një pëllëmbë tokë pa u mbjell. Fusha qëndisej me të lashtat: grurë, misër, groshë, trëndelinë, jonxhë etj., ndërsa Livadhet e Bajrollarëve ishin ballkoni i këtyre fshatrave, aroma e tërfilit të kuq, tërfilit të bardhë e të lule livadheve tjera parfumoste fshatrat tona. Këngës ia thoshin karkalecat cër,cër,cër. Aty këtu nga hendeqet dëgjohej kuatja e bretosave, ndjellin shi këto të bekuara do të na kalbet bari – flisnin si nëpër dhëmbë bujqit. Me të rënë muzgu i mbrëmjes shkëndijat hidhnin vallen nëpër livadhe, e bashkë me to edhe fëmijët e gëzuar, i kapnin ato dhe i vinin në ballë e drita e tyre herë ndizej e herë shuhej si llambë sinjalizuese. Kjo ishte shenjë ogurmirë, sepse me daljen e shkëndijave ia niste grumbullimi i bereqetit të ri.
Dy gorricat qëndronin hijerënda, njëqind metra larg njëra tjetrës. Nën hijet e tyre kosëtarët hanin zëmrën e drekën e kalitnin kosat e tyre, mbi kudhër. Gjatë kositjes së barit kosëtarët shihnin me mijëra e mijëra lule të bukura e aromatike. Prandaj ata çmonin të bukurën qoftë në peizazh qoftë në jetë. Nëpër livadhe kalonin gra të cilat u çonin bukë në fushë të afërmve të tyre. Kur kosëtari kollitej, lajmëronte tjetrin se afër tyre kalonte një grua edhe më e bukur se lulet që i shihnin përditë lëndinave e livadheve të shumta të fshatit. Këtë enigmë, e zbulova kur kositja në mesin e tyre. Dhe saherë që dëgjoja se ndonjëri nga ta kollitej dihej se aty pranë kalonte ndonjë grua e bukur. U uronte punë të mbarë dhe shkonte në punë të saj, Dhe me kaq përfundonte gjithçka. Ata çmonin të bukurën, me gjithë shpirt por pa zarar! Studiuesit e folklorit kanë vënë re se këngët erotike të kosëtarëve janë më të buta, e për këtë ka ndikuar bukuria e luleve nëpër livadhe dhe ngjyrat e tyre të larmishme e mahnitëse.
Pasi kositeshin livadhet mblidhej bari i thatë futej nëpër kasolle ose bëhej mullar afër ahurit të kafshëve shtëpiake. Dhe tani nën hijet e goricave mrizonin dhentë, goricat plehëroheshin me bollëk. Vapën e kalonin edhe barinjtë duke i rënë fyejve nën tingujt e këmborëve, blegërimës së bagëtive, të lehurat e qenve dhe orkestës së cicërimës së zogjve. Livadhet vaditeshin, bari rritej gjelblrimi fillonte përsëri. Në tërë atë pllajë livadhesh disa hektarëshe kullosnin lopë, viça, buallica e kuaj. Kosëtari dhe barinjtë e fshatrave etjen e shuanin te burimi i axhë Asllanit që ishte aty afër, i rrethuar me trëndafila, jargavanë e pemë të tjera aromatike e pemë frutore nga më të ndryshmet. Shtambën e mbushur te burimi e mbulonin me bar, ajo e mbante ujin e ftohtë për ca kohë. Rrallë herë mbushnim ujë edhe te livadhi i axhë Demerit, aty kishte një burim të vogël i cili thahej posa të kositeshin livadhet. Sot nuk ka asgjë nga kjo jetë idile. Nga kjo bukuri përrallore s’ mbeti asgjë! Rron vetëm kujtimi te të moshuarit që i mbajnë në mned. Te Livadhet e Bajrollarëve shtëpitë mbinë si kërpudhat. Meqë jemi te Livadhet e Bajrollarëve, si të mos përmenden Livadhet e Udenicës! Këto livadhe nuk e kanë përbërjen, bukurinë dhe cilësinë e Livadheve të Bajrollarëve mirëpo edhe Livadhet e Udenicës kanë karakteristikat e tyre. Këto livadhe gjenden në veri të fshatit Zagraçan afër 1km. Shtrihen në rrjedhën e djathtë të Lumit Shushicë. Meqë Shushica gjatë pranverës kishte dhe ka ujë me bollëk, kur i vaditnin livadhet gjatë ditës, ujin e linin lëshuar gjithë natën nëpër to. Dukej sikur tërë kohën rrinin të përmbytur, gjersa shterej lumi. Për këtë shkak nuk rritej bari sa duhej. Kur kositeshin livadhet përveç xixëllonjave kapnim edhe kaçadre – kacadre. Ku shkonte gëzimi i fëmijëve që kullosnin kafshët shtëpiake, kur kapnin ndonjë kacadre! Në jug të livadheve dhe në veri të Livadheve të Udenicës ka arra, thana e lajthi sa të duash. Kur i kullosnim lopët, viçat, mëshqerrat, kuajt qëronim ara të njoma e duart na ngjyroseshin si me këna dhe pas ca ditësh fillonte të na rrepej lëkura e duarve nga lëngu i idhët i lëvozhgave të arrës. Lajthitë i thyenim me gurë. Arrat, thanat dhe lajthitë sa të shijshme janë! Vreshtat ishin në veri të fshatrave. Gjatë muajit prill vreshtat punoheshin me bel, me lizgar siç e quajnë banorët e këtyre katundeve. Gjatë prillit priteshin hardhitë, pastroheshin kërcunjtë, grumbulloheshin hardhitë lidheshin si duaja dhe i çonin nëpër shtëpitë e tyre për t’ i djegur dhe për të pjekur petën në saç dhe bukën në çerep. Punimin e vreshtit me bel e prerjen e hardhive e bënin vetë fshatarët. Gjatë muajve të verës hardhitë e reja i rrallonin, gjethet e hardhisë i spërkatnin me gurkali e me squfur. Gjatë shtatorit i pari piqej rrushi i kuq – dhelpër e quanin kështu sepse piqej më herët dhe e hante dhelpra nga kjo e ka marrë emrin. Argatëve të shtëpisë të cilët punonin nëpër ara, prisnin misrin dhe e bënin kapica pastaj thenin kallinjtë e misrit, gruaja që përgatiste drekën kthehej njëherë te vreshti i saj mbushte një shervete – shami me rrush dhelpre dhe bashkë me tepsinë në kokë që mbante ia çonte punëtorëve në arë. Një apo dy ditë para se të vilej rrushi gratë me dy shporta në duar e me lesë – lese të thurur me purteka që e mbanin mbi kokë, të mbushura me topat e rrushit të zgjedhur e çonin nëpër shtëpitë e tyre. Kërcunjtë e hardhitë e dendur po thyheshin nga rrushi i kuq, rrushi i bardhë, rrushi i zi hamburg i ëmbël mjaltë. Aty këtu nëpër mezhdat e vreshtëve kishte mbirë dhe ndonjë pjeshkë e egër me fruta të ëmbël sheqer. Koshat mbusheshin me rrushin më të mirë e më të ëmbël në botë. Ëmbëlsinë ia jepnin rrezet e diellit e dheui i kuq i përshtatshëm për vreshtari. Sasinë më të madhe të rrushit ia shisnin fabrikës së pijeve e cila bënte grumbullimin e rrushit për gati dy javë rresht. Gjyshet, nënat, nuset, motrat tona pjesën tjetër ballin e rrushit e varnin në tavan për ta ngrënë në dimër. Bënin reçel rrushi nga më i miri, e pekmezi më mjaltë se mjalti. Ndonjë rrallë mbushte fuçitë për verë të kuqe. E më të rrallë ndonjë ziente raki rrushi. Purfundonte vjelja e rrushit në vreshta, fillonte vjelja e gështenjave. Mbledhja e gështenjave ishte ritual më vete. Edhe gështenjat gjendeshin në veri të fshatit Zagraçan. Disa ditë përpara pritej fieri i shumtë, ferrat dhe bari i keq. Secili në korijen e tij ndizte zjarr për të pjekur e zier gështenja dhe për t’ i djegur zhomkat siç i thonë sharkut në trevën e Strugës lëvozhgës së gështenjës. Gështenjat e ziera nga nënat apo gjyshet, qoftë me lëvore apo pa lëvore bëheshin varg me kërcellin e lule qenit (Bar pezmi, lat. Achilla millefolium) e cila rritet mbi 50 cm, vargun e gështenjave e varnin në qafë fëmijët si gjerdan dhe ashtu e mbanin gjersa shkonin në orët e vona të mbrëmjes, nëpër shtëpitë e tyre të gëzuar se kishin mbushur jo vetëm shportat por edhe koshat me gështenja pikla - kokrra. Gështenjat mblidheshin edhe nga njerëz lakmitarë, për të mos thënë hajdutë, e për këtë pronarët këndonin e zëri i tyre depërtonte nëpër pyllin e dendur të gështenjave e të dushqve dhe shkonte lartë në qiell: Kush m’ i mbledh gështenjat, Ju mbledhçin damarët. Damarët e këmbëve, Damarët e duërve, Eo,eo, eo, eo, eo, eo! Dhe këngën e vazhdonin vajzat me zërat e tyre melodik, duke pyetur njëra tjetrën nëpërmjet vargjeve poetike sesa shporta me gështenja kishin mbledhur. Përgjigjen e merrnin po nëpërmjet të këngës: se ka mbledhur dy shporta – tri shporta etj.
Të rriturit mbushnin ndonjë kosh apo thes me zhomka – shark, grumbullonin një gjysmë qerre me fier, groposnin afër shtëpisë gështenjat të mbuluara me fier e me dhe përsipër dhe në këtë mënyrë ruheshin për disa muaj të njoma e të freskëta për t’ i ngrënë gjatë dimrit dhe në fillim të pranverës. Një sasi të gështenjave e thanin dhe në këtë mënyrë ruheshin për gjithë vitin. Gështenjave të thata ua hiqnin lëvoret duke i futur më një thes e duke i përplasur për toke për disa minuta ose duke i rënë thesit me një hu druri derisa largohej lëvorja. Në këtë mënyrë i qëronin dhe pasi qëroheshin ato ziheshin në kusiçkë apo tenxhere.
Dhe kur terri i natës kaplonte pyllin e gështenjave e yjet xixëllonin lartë në qiell, grupe – grupe niseshin nëpër shtëpitë e tyre, në këmbë e me shportat plotë apo me qerret e ngarkuara me gështenja. Që nga fillimi i viteve shtatëdhjetë të shekullit të njëzetë pylli i gështenjave të Zagraçanit mori tatëpjetën: filloi tharja e gështenjave! Shkakun e tharjes së gështenjave nuk e dinte askush. Dhe për këtë kishte teori të ndryshme nga bashkëfshatarët e mi: s’ ka më dhen që të kullosin në pyllin e gështenjave e të bënin plehërimin e tyre, s’ ka as lopë, s’ bie shi, s’ ka të reshura sa duhet! Është ndonjë sëmundje kjo! E çfarë nuk thoshin?! Po asnjëra nga teoritë tona nuk doli! Shtetit as që i interesonte të bënte ndonjë analizë – studim për tharjen e tyre! Gështenjat lartësia e të cilave shkonte mbi 20 metra, mbetën si statuja gjigante të thata. Sa e shënova fjalinë se gështenjat tona kishin një lartësi përmbi 20 metra – në Wikipedia lexova se gështenja arrin lartësinë 25 deri 35 metra dhe me një trung me diameter 4 - 6 metra siç mund të shihet në foto kjo gështenjë ka një diametër mbi 2 metra! Në të kaluarën nga drunjtë e gështenjës kovaçi bënte qymyr. Fshatarët filluan t’ i sharronin, t’ i prisnin drunjtë e gështenjave trungjet e të cilave nuk i pushtonin as dy vetë. Aty këtu ka mbetur ndonjë dru i tharë gështenje nga ai pyll i dendur. Një rrënjë gështenje, sa për të dëshmuar këtë që po rrëfej e po shkruaj, të cilën nuk e pushtojnë dot 3 vetë trungun e saj, e ky monument natyre është pronë e familjes së Liri Ramadanit (Mjek në Vienë) nga Shumi. Ky dru nuk duhet të pritet sepse tregon gjurmët e pyllit të dendur të gështenjave që tanimë është zhdukur plotësisht. Pylli i gështenjave banorëve të Shumit dhe Zagraçanit u sillte të ardhura të mira materiale. Pothuaj çdo shtëpi vilte 500 deri më 1000 kg gështenja. Gështenja ishte një ushqim tepër i shëndetshëm, me të bënin dhe ëmbësira të ndryshme. Gështenja është frut fisnik. Një fjalë të urtë për këtë frut: Gështenja është buka e fukarenjve.
Pothuaj çdo dru – rrënjë e gështenjës sidomos fruti kishte emërtimin e tij si: rroke – gështenjë e cila qërohet lehtë edhe cipa e hollë e hidhët e që hahet pa u zier e pa u pjekur. Gështenja rroke ka një shije të ëmbël dhe kur përtypet mirë duket si qumësht. Është e ëmbël dhe e shijshme për t’ u ngrënë. Pulkë- a: Gështenjë që i është hequr lëkura, cipa a lëvozhga. Gështenjë e qëruar e thatë, e cila është gati për të ngrënë qoftë e pjekur apo e zier. E qërova e bëra pulkë gështenjën. Plloçak-u: Lloj gështenje për të pjekur e cila qërohet lehtë, bëhet pulkë. Peçak- u: (Nga sllavishtja gështenjë vetëm për t’ u pjekur) Mblidhe atë peçakun! Kokomarkë-a: Gështenjë kokërrmadhe. Merre atë kokomarkën. Sa kokomarka i paska kjo gështenja! Piklë-a: Gështenjë e dalë nga zhomka – mbështjellësi me gjemba, sharku. Sa pikla kanë rënë nga era! Te këmbët e ke një piklë mos e shkil. Gështenjat ishin shtruar me pikla. Mblidhi vetëm piklat. Pitaçkë-a: Lloj gështenje e pazhvilluar në formë të luçkës së kafesë, nga bishti i shtien një deçkë të fortë sa bishti i lugës dhe hanë gjellë sepse ka formën e lugës. Kjo gështenjë s’ i ka të mira, gjithë pitaçka i ka. Ymell-i: Lloj kanceri i gështenjave që del në degët e saj dhe ajo degë thahet. Del në degën e gështenjës është me gjethe të lëmuara dhe “frutat” e tij janë me kokrra të verdha sa një rruazë të mbushura me lëng. Shumë ymell i kishte rënë gështenjave. Thyeje atë ymellin!
Fshatarët janë përpjekur që ta përtërijnë pyllin me fidane të reja por më kot, fidanet sa rriten dy metra thahen menjëherë! Autori i këtij shkrimi ka ardhur në përfundim, në bazë të asaj që ka lexuar se pyllin e gështenjave në Zagraçan, e zhduku grerëza e zezë kineze. Ky insekt i rrezikshëm më vonë zhduku edhe kojret – koriet e fshatrave Frëngovë dhe Ladorisht të Strugës. Nga gjithë kjo histori e gështenjave mbi 300 vjeçare të Zagraçanit, ka mbetur vetëm toponimi “Te Gështenjat”. Gështenjat e Zagraçanit ishin të mbjellura nga banorët: ishin të mbjellura me pe, kjo mund të shihet sot e kësaj dite (2020) nga rrënjët që kanë mbetur dhe se sipas defterit të Perandorisë osmane të vitit 1582, katundi Zagraçan nuk ka pasur taksë të gështenjës, ko do të thotë se gështenjat janë mbjellë më vonë, pas viti 1582.
Krasta flori. Krasta ndodhet në perëndim të fshatrave dhe përfundon në veriperëndim të Zagraçanit. Mbi fshatin Shum, nga banorët quhet krastulkë, krastulka. Është krastë pak më e vogël nga Maja e Spasit, për nga lartësia. Krasta ka shërbyer për kullotjen e lopëve, dhenve dhe kuajve. Nëpër lëndinat e krastës kullosnin kuajt kur nuk kishin punë në fushë apo në mal. Çdo shtëpi kishte kalë. Gomarë pothuaj s’ kishte fare. Rrallë nja dy familje mbanin nga një gomar edhe atë për pak kohë. Kalin e çonin te lëndinat, ia lidhnin me litar dy këmbët e para 30 cm larg njëra tjetrës. Pasi ia lidhnin këmbët, kalit ia hiqnin kapistallin për të mos ia vjedhur kjo qe arsyeja. Këtë lidhje e quanin pengesë. E pengove kalin? Ia lidhe këmbët kalit? Zakonisht kjo pengesë i vihej mbi patkua te zogu i këmbëve të para. Rrallë pengohej kali afër gjunjëve. Kali kulloste që nga mëngjesi e gjer në mbëmje. Në krastë kafshët e tjera kullosnin gjatë stinës së pranverës gjersa kositeshin Livadhet e Bajrollarëve dhe Livadhet e Udenicës në veri të Zagraçanit dhe të Majës së Spasit, përreth Lumit Shushicë, nga mesi i qershorit.
Në fillim të viteve tetëdhjetë të shekullit të njëzetë, shteti ish jugosllav, krastulkën dhe krastën e madhe në jugperëndim të Shumit dhe të Zagraçanit gjer te shkolla tetëvjeçare “Baftiar Banushi”, e mbolli me pisha pa i pyetur dhe pa dëshirën e banorëve të këtyre katundeve. Nuk u rrit asnjë pishë. Pse? Do të pyesni ju. Sepse banorët gjatë natës disa i shkulën disave ua lëviznin rrënjët dhe ato gradualisht thaheshin. Unë si i ri, isha kureshtar dhe doja të dija pse bashkëfshatarët e mi nuk lejuan pyllëzimin e krastulkës me pisha?! Disa vetë që i pyeta, m’ u përgjigjën njëzëri: “Kur do të rriten pishat, ata (shteti) nuk do të na lënë t’ i kullosim dhentë dhe lopët. Nën hijen e pishave bari nuk rritet më”. Ishte kohë pa kohë për këtë veprim të tyre bashkëfshatarët e mi mund të torturoheshin e të burgoseshin sepse kishin “dëmtur pronën shoqërore!” Ata ia arritën qëllimit. Krenohem me guximin e tyre. Çudi, për këtë nuk u mor asnjë në përgjegjësi. Sot kullotat janë por kafshët jo. Bashkëfshatarët e mi nuk mbajnë më asnjë kafshë! Pothuaj një numër i madh i kafshëve shtëpiake janë zhdukur. Kanë mundur të mbijetojnë vetëm delja e dhia. Sot (Viti 2020) ka vetëm dy – tri tufa dhensh të përziera me dhi, në Shum dhe në Zagraçan.
Në krastë rritet llapushka. Kjo bimë zakonisht rritet në vende të larta dhe të thata siç është krasta jonë. Kërcelli i saj mund të rritet mbi një metër e gjysmë lartësi. Është bimë njëvjeçare. Lulëzon në pranverë dhe thahet nga vjeshta. Kërcellin e saj në të kaluarën bashkëfshatarët e kanë përdorur si lëndë djegëse, me të piqnin petat me saç në oxhak ose në oborr të shtëpisë ditëve të ngrohta të pranverës, verës dhe vjeshtës.
Llapushka – Bari i peshkut (Lat. Verbascum Phlomoides) Në Zagraçan më vonë edhe në Shum si u krijua fshati, të gjitha shtëpitë ndërtoheshin me gurë. Nuk kishte asnjë shtëpi të ndërtuar me plita (tulla të papjekura). Krasta është gjithë gropa. E këto gropa nuk janë asgjë tjetër por janë mademe. Një gropë është një madem i një familjeje. Zagraçani kishte ustallarë të dëgjuar për gdhendjen e gurit dhe gjetjen e mademit. Të gjithë nxirrnin gurët nga mademet e tyre me kazmë, qysqi, lopatë e shat. I vetëm ishte Uke Mumi i cili për nxjerrjen e gurëve përdorte dinamitin te mademi i tij. Dheri i Bardhë një toponim tjetër ky i krastës flori. Dheri i Bardhë gjendet në veri të Zagraçanit, rrëzë Majës së Spasit, sot aty afër kanë ndërtuar shtëpitë djemtë dhe nipi i Tair Memetit nga Zagraçani. Një toponim i lashtë. Çudi, ky toponim si nuk është prekur nga ndikimi sllav i cili në të kaluarën ka qenë i tmerrshëm, siç e patë edhe te emërtimet e gështenjave. Te gropa e madhe, e cila duket edhe sot, ishte mademi i dheut të çerepëve. Aty gërmohej dheu i cili ka ngjyrën e bardhë, çohej në shtëpi dhe bënin çerepë. Në çerep piqej buka e misrit dhe buka e grurit por edhe peta etj. Dheun e çerepëve e merrnin edhe posht në fushë, në verilindje të Zagraçanit afër arës së Kipe Qoses, përreth kanalit ujitës, afër vreshtëve dhe burimit të Asan Qoses, sot burimi i Fikriut, rrugës për në Belicë. Burrat sillnin dheun e bardhë në shtëpi ndërsa gratë i bënin çerepët, kishte ndonjë grua që kthente në mënyrë profesionite anët e çerepit. Ishte me të vërtetë një punë e rëndë përpunimi i baltës së çerepëve të cilën e shkilnin me këmbë gratë me orë të tëra. Pasi çerepët merrni formën e duhur lihshin të thaheshin për disa ditë. Pse “krasta flori”? Ishim duke ndenjur me një plak këtu e 30 vjet më parë. Ishte usta shumë i mirë, i përpunimit të gurit por si njeri ishte i mbrapshtë! Po ja që edhe nga njerëz të tillë mund të dëgjosh diçka të mirë. “Krasta jonë është flori!” – tha. U bëra kureshtar dhe doja të dija ku do të dilte plaku. “Krasta jonë ka gurë të mirë. Gurët në sipërfaqe edh epse duken si të djegur janë të mirë për themelet e shtëpive dhe ndërtimin e jamave (gropave skeptike). Krasta jonë ka shumë çakall (çakëll), sot edhe gurët edhe çakalli bëjnë para!” Doli fjala e tij. Tani i japë të drejtë këtij bashkfshatarit tim sepse ka 30 vjet, që nga viti 1990 kur edhe u shpërbë ish Jugosllavia, disa familje të fshatrave Shum dhe Zagraçan, pikërisht nga këto gurë dhe ky çakëll nxjerrin bukën e gojës dhe relativisht jetojnë mirë. Krastës së Zagraçanit iu drejtuan për disa vjet edhe disa kompani private, të cilat vidhnin çakëllin. Mezi arritën fshatarët t’ i ndalonin këto kompani! Në krastë ku janë tani rezervoaret e ujit të pijshën i cili vjen nga Belica e Sipërme ishte Ara e Vërçarkës. E ka marrë këtë emër sepse atë e ka mbjellur një grua nga Vërça e martuar në fshatin tonë. Atë arë të rinjtë e shndërruan në një fushë sportive për futboll të vogël. Gjer para 25 vitesh, aty luanin futboll të rinjtë e fshatrave tona. Ara e Vërçarkës nuk është më. Ajo u dëmtua nga rezervuaret e ujit. Në krastën tonë jeton gjarëpri i gurit. Është gjarpër helmues. Nuk mbahet mend që ky gjarpër kaq i rrezikshëm të ketë pickuar ndonjë njeri. Nëna dhe babai im tregonin se kur janë zgjuar në mëngjes gjarpërin e kanë gjetur në shtrat midis tyre dhe nuk i ka pickuar. Babai im e ka marrë me një shkop e ka nxjerrë jashtë dhe nuk e ka vrarë sepse ai ishte gjarpëri i shtëpisë dhe prandaj nuk i kishte kafshuar! Ka pickuar dhentë, lopët, kuajt etj., por jo njerëzit. Në këto anë ka shumë besëtytni dhe legjenda për gjarpërin e shtëpisë. Edhe sot ekziston besimi se s’ ka shtëpi pa gjarpër dhe se gjarpëri është roja i shtëpisë! Liqeni i Shumit apo gjoli dhe Lumi i Shumit janë perla të këtyre dy katundeve. Përreth liqenit në shekuj është festuar dita e ermemisë, më 14 maj sipas kalendarit të ri, atij gregorian. Te ky liqen në mileniume është rritur trofta e njohur e Ohrit. Vitet pesëdhjetë të shekullit të njëzetë u ndërtua hurdha e peshqve, në të cilën shumoheshin dhe rriteshin me dhjetëra tonë peshq e ngjala. Nga Burimet e Shumit, me ujë të pijshëm furnizohet qyteti dhe fshatrat e Strugës. Me gjithë këto të mira, bukuri të rralla natyrore e shtëpi moderne bashkëfshatarët e mi kanë marrë botën në sy, kanë ikur në Zvicër, në Gjermani, në Itali, në Amerikë – Nju Xherzi dhe në Kenerikë, në Austri dhe dy familje në Australi etj. Shumë pak dëgjohen zërat dhe lojërat e fëmijëve! Në këtë gjendje këto fshatra nuk kanë qenë as në Perandorinë osmane, as në sundimin jugosllav. Atëherë mbi 80% e banorëve merreshin me bujqësi e blegtori dhe vetëm 20% me kurbet, sot është e kundërta!
Ikja ishte e dhimbshme por kthimi është i pamundur e i tronditur!