Hapja e kafeneve dhe restoranteve nga nesër, hapja e kufijve nga 1 qershori në marrëveshje me vendet fqinje, si dhe shfuqizimi i orës policore duke e pasur parasysh se ajo nuk po respektohet. Këto mësohet jozyrtarisht se janë konkluzat nga mbledhja e sotme e Komisionit për Sëmundje Infektive të cilat nëpërmjet ministrit të Shëndetësisë Venko FIlipçe do të propozohen deri tek qeveria, e cila e ka fjalën përfundimtare për miratim. Mbledhja e Qeverisë fillon në ora 16:00 dhe për pak orë pritet që të dalin me urdhëresë me fuqi ligjore.
Në javët e fundit, ministri i Shëndetësisë rregullisht ka paralajmëruar relaksimin e masave dhe kthimin e jetës në normale, posaçërisht në periudhën kur numrat e të prekurve ka arritur nga pesë defi në shtatë në bazë ditore. Hapja e kafeneve dhe restoraneve edhe më herët është përmendur si pjesë e masave lehtësuese në pakon e dytë, pas vendimit të parë me të cilin u hapën autoshkollat, qendrat e provimeve dhe disa sporte në ambient të hapur.
Por nga ana tjetër kryeministri Oliver Spasovski ka lënë të hapur mundësinë për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme, por me kusht që vetëm nëse ka nevojë. Ai tha se deri në fund të javës, do të bëhet një vlerësim nëse nevojitet gjendje e re e jashtëzakonshme, e treta me radhë.
Oliver Spasovski, kryeministër
“Nëse është e nevojshme, nëse kushtet janë të domosdoshme që të merremi me të gjithë këtë situatë më lehtë përmes gjendjes së jashtëzakonshme, atëherë do të marrim një vendim të tillë. Por tani në këtë moment nuk kemi asnjë vendim në lidhje me këtë”
Por si për lehtësimin e masave ashtu edhe për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme i rëndësishëm do të jetë edhe vlerësimi i mjekëve dhe komisionit për sëmundje infektive.
Arben Zeqiri /SHENJA/