Zyrtari i lartë amerikan: Kina e trajtoi koronavirusin sikurse BRSS-ja Çernobilin

Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien e ka krahasuar mënyrën sesi e ka trajtuar Kina situatën me koronavirusin, me atë të incidentit bërthamor në Çernobil më 1986, nga ana e ish-Bashkimit Sovjetik (BRSS).

Ai tha se Pekini e dinte se çfarë po ndodhte me virusin, por e gënjeu Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe i ndaloi ekspertët e jashtëm nga qasja në informacione.

“Ata lëshuan një virus në botë, i cili po shkatërron triliona dollarë pasuri ekonomike amerikane, të cilat ne po i shpenzojmë për të mbajtur të gjallë ekonominë tonë, për t’i mbajtur amerikanët të gjallë gjatë këtij virusi”, tha O’Brien në një intervistë për televizionin NBC.

Shpërthimi në uzinën bërthamore në Çernobil ka ndodhur më 26 prill të vitit 1986, duke përhapur re radioaktive mbi pjesë të mëdha të Bjellorusisë, Ukrainës dhe Rusisë.
Afro 8.4 milionë njerëz në këto zona janë ekspozuar ndaj rrezatimit.

Moska vonoi në zbulimin e informacioneve për incidentin.

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka akuzuar Kinën për fshehje të informacioneve lidhur me shpërthimin e epidemisë si dhe ka ngritur dyshime se virusi mund të ketë dalur nga një laborator kinez. Kina ka mohuar akuzat.

Më shumë se 5 milionë njerëz janë infektuar dhe më shumë se 340,000 kanë vdekur, që nga shfaqja për herë të parë e virusit, në dhjetor të vitit të kaluar në Kinë.