
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi se Shqipëria është pranë nisjes së prodhimit në industrinë ushtarake, duke përfshirë artileri, municione, dronë luftarakë dhe uniforma vendase. Ai theksoi se ky proces po zhvillohet në bazë të ligjit të miratuar vitin e kaluar për industrinë ushtarake, ndërsa tashmë janë krijuar ente shtetërore si KAYO, që menaxhon uzinat e Poliçanit, Gramshit dhe Mjekësit.
Sipas ministrit, deri më tani ka pasur 21 shprehje interesi nga kompani të huaja për investime në prodhimin e municioneve, uniformave dhe mjeteve të blinduara. Aktualisht, negociatat po zhvillohen me pesë kompani për rigjallërimin e sektorit dhe prodhimin e pajisjeve moderne në këto uzina.
Vengu theksoi se, ndonëse Shqipëria është një treg i vogël krahasuar me vendet e tjera të NATO-s, synimi është që të forcohen kapacitetet prodhuese dhe të bashkohen forcat për modernizimin e ushtrisë shqiptare dhe rritjen e potencialit mbrojtës të vendit.