
Deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski ka paralajmëruar padi kundër deputetes Imërlije Saliut dhe kryeparlamentarit Afrim Gashi, pasi siç thotë, duke mos e futur në rend dite Ligjin për “branitellat” në Komisionin për Punë Sociale, Rini dhe Demografi, kanë bërë shkelje të Rregullores së punës së Kuvendit, transmeton TV21.
“LSDM do të parashtrojë kallëzim penal për shkeljen e Rregullores së Kuvendit dhe të drejtave të deputetëve. Shumica parlamentare e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe VLEN plotësisht e vendosin nën kontroll shtëpinë ligjvënëse dhe kryejnë sulm ndaj demokracisë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thotë mes tjerash Spasovski.
Spasovski vlerëson se veprimi i Saliut, që të fus në rend dite vetëm Ligjin për pensionet, është përpjekje e pushtetit që mos ta pranojë Ligjin për branitellat.
“Kjo është edhe një përpjekje e pushtetit që mos ta pranojë kërkesën e LSDM-së për diskutim për Ligjin për “branitellat”, përfundon Spasovski.