Republika Sërpska e miraton një draft të kushtetutës së re për ta përcaktuar atë si shtet

Asambleja Parlamentare e Republikës Sërpska e ka miratuar të enjten vonë një draft të kushtetutës së re, e cila synon ta përcaktojë si shtet entitetin serb të Bosnje e Hercegovinës.

Me Kushtetutën e re, ndër të tjera, liderët e Republikës Sërpska synojnë ta përcaktojnë këtë entitet si shtet të popullit serb, t’i japin të drejtën e vetëvendosjes, ta krijojë ushtrinë e tij dhe ta shfuqizojë Këshillin e Popujve dhe nënkryetarët nga dy popujt e tjerë përbërës.

Kjo kushtetutë është në kundërshtim me Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës, dhe rrjedhimisht me Marrëveshjen e Dejtonit.

Që nga Marrëveshja e Dejtonit për paqe, e cila u nënshkrua në vitin 1995 dhe i dha fund luftës në Bosnje, vendi përbëhet nga Federata Boshnjako-Kroate dhe Republika Sërpska e dominuar nga serbët etnikë, nën një qeveri të dobët qendrore.

Derisa Republika Sërpska mund të miratojë ligje për çështje të brendshme, ligjet dhe institucionet në nivel shtetëror mbeten mbi të gjitha, sipas Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës.

Drafti, i cili u miratua me 50 vota për dhe tetë kundër të enjten në Banjallukë, tani do të kalojë në një debat publik 30-ditor, pas së cilës Komisioni Parlamentar për Çështje Kushtetuese do ta hartojë një propozim që më pas do të debatohet sërish në Asamblenë Kombëtare.

Kjo është një lëvizje tjetër për ndarjen e Republikës Sërpska nga Bosnja e liderëve të këtij entiteti, pasi javën e kaluar Asambleja miratoi ligje që ndalojnë punën e institucioneve shtetërore të drejtësisë së Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

Edhe pse Gjykata Kushtetuese e Bosnjës pezulloi zbatimin e ligjeve, Republika Sërpska ka ngulur këmbë se ligjet do të zbatohen.

Veprimet e liderëve të Republikës Sërpska janë kundërshtuar nga opozita në këtë entitet dhe janë dënuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në një seancë më herët të enjten, Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska e kaloi gjithashtu një ligj që parashikon krijimin e një gjykate dhe prokurorie speciale në këtë entitet, të cilat, siç u tha, do të siguronin “mbrojtjen e rendit kushtetues” në Republikën Sërpska.

Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje e Hercegovinë tha për Radion Evropa e Lirë se miratimi i Ligjit për mbrojtjen e rendit kushtetues të Republikës Sërpska “përbën sulm të drejtpërdrejtë dhe të qëllimshëm” ndaj rendit juridik të Bosnje e Hercegovinës.

“Kjo jo vetëm që tregon mosrespektim flagrant të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga autoritetet e Republikës Sërpska, por gjithashtu përbën shkelje serioze të Marrëveshjes së Dejtonit dhe kornizës kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës, çka hap raste të reja të përgjegjësisë penale për ata që zbatojnë këto veprime”, tha ajo.

Çfarë pretendon Millorad Dodik?

Në fjalimin e tij në seancën e së enjtes, presidenti i Republikës Sërpska, Milorad Dodik, ndër të tjera tha se “nuk ka asgjë kundër” që nënkryetarët e Republikës Sërpska të jenë nga dy popujt e tjerë, por tha se kjo do të diskutohet nëse duan.

“I ftoj boshnjakët dhe kroatët të diskutojnë pozicionin e tyre në kushtetutën e re. Ne e dimë se ata janë të barabartë, por Republika Sërpska është shteti i popullit serb dhe të tjerëve që jetojnë këtu. Ky është përkufizimi kryesor”, tha Dodik.

Ai i tha opozitës në Republikën Sërpska se ata do të mbajnë “përgjegjësi politike dhe të tjera”, nëse nuk votohet kushtetuta e re.

Për ta kaluar kushtetutën e re nevojitet një shumicë prej dy të tretash në Asamblenë Parlamentare, ose 56 nga 83 deputetë. Shumica e mbledhur rreth Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur të Dodikut ka 53 deputetë, që do të thotë se të paktën tre deputetë të opozitës duhet të votojnë kundër liderëve të partive, të cilët në përgjithësi kanë thënë se nuk do të votojnë për kushtetutën e re.

Ramiz Salkiq, deputet nga Partia e Veprimit Demokratik, tha se kushtetuta e re është në kundërshtim me “dispozitat kryesore të Kushtetutës së Bosnjës dhe parimet themelore të Marrëveshjes së Dejtonit”.

Çfarë i parapriu seancës së Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska?

Seanca e Asamblesë Parlamentare të Republikës Sërpska vjen pas një sërë vendimesh që entiteti serb i Bosnjës i mori në ditët e fundit, pasi presidenti i saj Millorad Dodik u dënua më 26 shkurt nga Gjykata e Bosnjës me një vit burgim dhe iu ndalua ushtrimi i detyrës së presidentit për gjashtë vjet.

Asambleja Parlamentare e Republikës Sërpska miratoi ligje më 27 shkurt të cilat ndalojnë punën e Gjykatës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore të Hetimeve (SIPA) si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e Prokurorial të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

Dodik i dekretoi këto ligje më 5 mars.

Por, dy ditë më vonë, Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës i shpalli jokushtetuese këto ligje, duke i pezulluar përkohësisht, ndërsa pritet t’i ndalojë ato përfundimisht pas një shqyrtimi të plotë.

Sekretari amerikan i Shtetit Rubio tha më 8 mars se veprimet e Dodikut përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës, si dhe i minojnë institucionet shtetërore të saj.

Këto veprime të Republikës Sërpska janë dënuar pothuajse në mbarë botën, nga sekretari amerikan i shtetit Marko Rubio, te shefi i NATO-s Mark Rutte dhe disa ambasada të huaja në Bosnje e Hercegovinë.

Sipas Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska dhe Federata Boshnjako-Kroate janë entitete e që përbëjnë Bosnjën dhe ato nuk gëzojnë kompetencat e shtetit. Prandaj, sovraniteti dhe integriteti territorial janë të rezervuara vetëm për shtetin e Bosnje e Hercegovinës dhe jo për entitetet e saj.