
Kryeministri i Maqedonisë, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve në lidhje me bum-in e shpallur të infrastrukturës dhe nëse qeveria, përveç rrugëve dhe hekurudhave që po ndërtohen, planifikon diçka të re, informoi se priten lajme shumë të mira për qytetarët maqedonas gjatë muajve prill dhe maj. Ai tha se bëhet fjalë për një marrëveshje ndërshtetërore që do të nënshkruhet me një shtet shumë të fuqishëm evropian, e cila do të përfshijë investime që llogariten në miliarda euro dhe do të përdoret për projekte në infrastrukturë dhe shëndetësi.
“Pritet një lajm i mirë për qytetarët maqedonas gjatë muajve prill dhe maj. Pres një marrëveshje ndërshtetërore që do të nënshkruajmë me një shtet shumë të fuqishëm evropian. Do të jetë një investim që matet në miliarda, jo në miliona, dhe do të shkojë për projekte në infrastrukturë dhe shëndetësi. Për momentin, ky është fokusi, por ky portofol mund të zgjerohet. Megjithatë, pritet një marrëveshje e tillë ndërshtetërore, që do të përfaqësojë më shumë se 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto,” shpjegoi kryeministri.
Sa i përket projekteve specifike, Mickoski tha se publiku do të informohet shumë shpejt, pasi të përfundojnë negociatat.
“Së shpejti do ta merrni edhe këtë informacion. Le të presim përfundimin e negociatave, pasi kjo do të jetë një lajm jashtëzakonisht pozitiv dhe një kthesë e madhe. Le të flasim për gjëra të mira. Kjo është ajo që dëshiron kjo qeveri, që çdo ditë të flasim për lajme të mira,” shtoi ai.