Putini “pajtohet” me propozimin amerikan për armëpushim

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se “mbështet” një armëpushim 30-ditor me Ukrainën, por sipas tij, “ka gjëra që duhet të diskutohen”.

Ai ka thënë të enjten në një konferencë për media së bashku me presidentin bjellorus, Alexander Lukashenko, se armëpushimi duhet të çojë në paqe të qëndrueshme.

“Ne pajtohemi me propozimin për një armëpushim për ndërprerjen e armiqësive, por nisemi nga fakti se ky armëpushim duhet të çojë në një paqe të qëndrueshme dhe duhet të t’i përjashtojë shkaqet rrënjësore të kësaj krize”, ka deklaruar Putin, raportoi TheGuardian.

Sipas Putinit, kushtet për një armëpushim janë që të diskutohet se kush do të japë urdhra për t’u ndërprerë armiqësitë dhe sa do të vlejnë urdhrat, kush do të vendosë për armëpushim dhe si do të zgjasë kjo fazë përgjatë kufirit ruso-ukrainas.

“…Si do të trajtohen aspektet e tjera përgjatë linjës së kontaktit 2000 kilometra? Siç e dini, trupat ruse po përparojnë praktikisht në çdo sektor të linjës së kontaktit dhe ekzistojnë të gjitha kushtet që ne të rrethojmë njësi të mëdha. Pra, çfarë do të ndodhte gjatë atyre 30 ditëve? A do ta lejonte kjo që Ukraina të vazhdojë një mobilizim të detyruar, një furnizim me armë në Ukrainë, në mënyrë që njësitë e sapomobilizuara të mund të trajnohen, apo nuk do të bëhet kjo?”, është shprehur ai.

“Të gjitha këto çështje duhet të studiohen me kujdes nga të dyja palët”, ka shtuar Putin.

Putini i ka falënderuar forcat ushtarake për luftën në Kursk, duke thënë se zona tashmë është nën kujdesin e tij. Ai ka thënë se ushtria ukrainase ka humbur luftën atje, derisa shtoi se për ushtarët e mbetur ekziston “dorëzimi ose vdekja”.

Lukashkenko ka folur për miqësinë me Putinin, duke thënë se Evropa po tenton t’i mashtrojë por ata “s’do ta bëjnë pasi ne i dimë interesat tona”.

Sipas presidentit të Bjellorusisë, nëse Rusia dhe Shtetet e Bashkuara arrijnë marrëveshje, këtë duhet ta pranojnë edhe Ukraina e Evropa.