Strategjia e “budallait”, e promovuar nga Trump -i, dhe kureshtja e Sami Frashërit

Ne duhet të mundohemi t’i japim përgjigje pyetjes që e shtroi Samiu, të adaptuar për aktualitetin tonë, “Shqiptaria ç’ishte, ç’është dhe ç’do të bëhet?”. Në përgjigje të pyetjes duhet të mendojmë për shqiptarin e epokës së re, që synon integrimet, por vëzhgon me kujdes lëvizjet e qendrave hegjemone të vendosjes. Për rastin tonë, ato janë SHBA-ja, Turqia dhe Rusia, pse jo edhe BE-ja nëse arrin ta caktojë telefonin ku duhet kontaktuar. Këto qendra çdo ditë e më tepër do të bisedojnë për këtë pjesë të Europës. Theksi duhet vendosur në raportet Rusi-SHBA-Turqi, si dhe raporti Rusi-Turqi, veçanërisht në pozitën dhe rolin që do ta ketë kjo e fundit për Ballkanin.

Shkruan: Rizvan SULEJMANI, Shkup

Fraza e njohur e Sami Frashërit, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, mbetet aktuale edhe sot e kësaj dite? Për ta kuptuar këtë, duhet të bëjmë një analizë të shkurtër të rrethanave atëherë dhe sot. Kur e shkroi Samiu këtë pyetje, ishte kohë e turbulencave të mëdha politike e gjeopolitike dhe dukej se “bota” sikur “përmbysej”, njësoj si sot nën udhëheqjen e Trump-it, që duket se “përmbyset”. Fjalën përmbysje dhe bota jorastësisht e fus në thonjëza, ngase sipas shikimit tonë, as atëherë as sot nuk bëhet fjalë për “përmbysje të botës”, por për përmbysje të botëkuptimit tonë për rregullimin shtetëror dhe ndërkombëtar. Andaj para se ta analizoj aktualitetin e frazës së Samiut, përmes disa të dhënave, do të mundohem ta elaboroj shkurt iluzionin që e kemi krijuar për habitatin tonë.

Ne jemi të bindur se jetojmë në demokraci liberale të shpallur në religjion, me pretendime misionare që gjithë botës duhet t’i shpërndahet kjo e mirë e përgjithshme. Përderisa ne ishim të dehur nga bindja se e kemi zbuluar fundin e filozofisë, të tjerët shihnin përplasjen e një barke me pijanecë që festonin fundin e një shtegu pa rrugëdalje. Ne edhe pse nuk jemi në barkë që të festojmë, me padurim presim që t’i bashkëngjiteshim ahengut të tyre në vend se të shikojmë në çfarë drejtimi lëviz barka dhe rrezikun që i kanoset nga drejtimi që ka marrë. Ne vazhdojmë t’i mbledhim plaçkat dhe t’i mbathim veshjet shik, që të jemi sa më afër shijes së kësaj shoqërie të hareshme. Si gjithmonë, në mes të jehonës së këngës dëgjohen zëra të njerëzve të strukurë, pa name e nishane, që kërkojnë pak kujdes e maturi kur i vlerësojnë situatat. Vetëm kur një zë i fuqishëm i pushtetarit politik thërret dhe paralajmëron për rrezikun nga shkëmbi që i afrohemi dhe fundin fatal, atëherë zgjohemi dhe mundohemi të ndërmarrim diçka përnjëherë.

Nëse operuam me metafora e simbolika, ndoshta tash duhet t’i deshifrojmë këto dhe t’i shtrojmë në terma të njohura për ne. Trumpi 1.0 ishte alarmi i një politikani që u lëshua, por kurrë nuk u respektua. Zgjedhja e Biden-it për kryetar, edhe pse me protesta dhe sulm mbi Capitol Hillin, bëri që zgjedhja e Trump 1.0 të trajtohet si incident dhe alarm i rrejshëm. Fushata parazgjedhore për Trump-in 2.0 e zgjoi kërshërinë, por dehja nuk u kishte kaluar dhe ata jetonin me bindjen se megjithatë Amerika nuk do ta tradhtojë demokracinë liberale. Rezultati i zgjedhjeve, kur ai i mori të gjitha pushtetet, dy dhomat, por edhe gjyqësorin, jo vetëm me elektorë, por edhe me votë bindëse popullore, duket se nuk u lexua drejt, pasi u cilësua si pushtet i plotfuqishëm, por jo edhe autoritarizëm, diktaturë e mundësi për t’u vetëshpallur “zot”, së paku i hemisferës veriperëndimore. Vetëm kur i bëri publike qëllimet e tij për “Amerikën e para” me pretendime për ta futur nën kontroll Kanalin e Panamasë, për ta blerë Grenlandën dhe për ta bërë Kanadanë shteti i 51 i SHBA-së, elitat politike përjetuan ankthin e parë trishtues. Goditja fatale erdhi kur ai realizoi bisedën një orë e gjysmë me presidentin Putin dhe vendosi t’i fillojë negociatat për Ukrainën pa praninë e kryetarit të këtij shteti, Zelenski, që për tre vjet promovohej si hero i pamposhtur i civilizimit perëndimorë. Alarmi i kuq u ndez kur u kuptua se takimi nuk do të mbahet në asnjë vend të Europës, por në Arabinë Saudite. Tanimë ishte e qartë se partnerët e dikurshëm perëndimorë, të grumbulluar rreth “shoqatës aksionare” të njohur si Bashkimi Europian, për të nuk ishte vetëm se një grup burokratësh të humbur në kohë dhe hapësirë, që prodhojnë letra pa vlerë, strategji, pa ide e pa vizion. Në sytë e tij këta “burokratë të kënetës”, siç i quan ai, janë prirë të jenë preciz jo të saktë në parashikimin e së ardhmes sesa përafërsisht të saktë. Ata, duke jetuar me famën e vjetër si qendër e emancipimit botëror, nuk e shihnin se ditët e arta të asaj kohe qëmoti janë lënë mbrapa. Ata si liberalo-centristë nuk shohin se “bota” e hemisferës veriore, që ne e njohim si liberal demokrate, nuk është më qendër e vetme ndikimi në botë. Ajo e ka pandanin e sajë në sistemet autoritaro-centrike që janë shumë më efikase në ballafaqimin me krizat, por avancojnë edhe në zhvillimin ekonomik e tekniko-teknologjik. Nuk është bota më vetëm Perëndimi, por ajo tanimë shtrihet në katër anët e saj. Trump-i, me veprimet e tij, veçanërisht me këtë të fundit, deshi të bëj me dije se Europa nuk kufizohet në lindje me Rusinë e Gërbaçovit, një ari i ngrirë që pret fundin e saj, porse tani ajo është një arushë e ngritur në dy këmbët e para, pas së cilës fshihet kuçedra Kinë, që e strukur pret në gatishmëri t’i gllabërojë. Në jug nuk është më Afrika e robërve të zinj me krah të lirë pune, por një vend që do t’i sulmojë me demografi, por edhe me ekonomi. Në Lindjen e Mesme nuk jeton më myslimani oriental me fustan dhe deve, që nuk e ka idenë për lirinë andaj edhe nuk e meriton, por një mysliman i zgjuar dhe “i tërbuar”, që është i gatshëm të sakrifikojë gjithçka për tokën dhe vendin e vet. Ata lakmojnë modelin e suksesit ku edhe një mysliman që i beson Kuranin mund të bëjë çudira. Nëpër shkretëtirat e Arabisë, ku beduinët një kohë udhëtonin vetëm me deve, sot ngrihen pallate, zhvillohet teknologji, sport e kulturë. Në ato hapësira, që dikur orientoheshin me diellin, hënën dhe yjet për të gjetur një pikë uji, që shihej si mrekulli, sot GPS të shpie në qendra skijimi, në fushat e gjelbëruara të golfit. Ata priren të parët të ndërtojnë hekurudhë në gypa të vakumuar, mbi të cilën do të udhëtohet me 1000 kilometra në orë. Vërtet ata nuk kanë kapacitet të prodhojnë shkencë, dije e teknologji si Perëndimi e Lindja, por teknologjikja, dija dhe shkenca blihen në tregun e lirë për para të majme, ndërsa ata paranë e kanë me bollëk, bile për t’iu marrë lakmi. Andaj shumë qendra shkencore me qejf ua ofrojnë këto mrekulli teknologjike, bile para se t’i shijojnë ata që i kanë zbuluar e prodhuar.

Trump-i dhe njerëzit e tij përreth e dinë këtë gjë. Strategjia e tij është e qartë për ata që duan ta kuptojnë. Ky sistem politik e rend ndërkombëtarë duhet rrënuar. Për rrënim nuk ju duhet njeri i urtë, i ditur, por një “budalla”. Një “budalla” që në çdo moment mund të urdhërojë një shtet “të fshihet” prej faqes së dheut me kërcënim se nëse e do nevoja, mund “ta shtypë” pullën e kuqe të bombës atomike. Kjo strategji jo se nuk është e njohur në real-politikë, që nga themeluesi i saj Makiaveli. “Ia vlen që pushtetari ndonjëherë të bëhet budalla”, do të thoshte ai. Analistët amerikanë thonë se këtë taktikë e përdori presidenti amerikan Richard Nixon kur i detyroi vietnamezët të ulen në tryezën e bisedimeve në janar të 1973 në Paris. Ai, paraprakisht, i urdhëroi shërbimet që ta shpërndajnë lajmin se kryetari i Amerikës është “budalla” që i urren komunistët dhe nuk përton që në çdo moment ta shtypë pullën a bombës nukleare. Vetëm pasi e morën këtë informatë vietnamezët u paraqiten në tryezën e bisedimeve.

Për të kuptuar se strategjia e “budallait” nuk është as naive, as irracionale, duhet ndjekur hapat e tjerë të kësaj strategjie. Për këtë aventurë, ai e paralajmëroi atë që e quajti bomba atomike 500-miliardëshe që lidhet me financimin e IA (Inteligjencës Artificiale) dhe qendrat e grumbullimit dhe përpunimit të informatave, me infrastrukturën përcjellëse, përfshirë pavarësinë energjetike nën parullën “Drill, baby, drill”. Krahas kësaj, ai paralajmëroi edhe pushtimin e marsit, nëpërmjet përkrahësit të tij, Elon Musk, magnatit që e kontrollon pellgun e informatave. Strategji e qartë – nëse deri tani bota kontrollohej nga deti, sot e tutje do të kontrollohet përmes informatave, satelitëve, yjeve dhe planetëve.

Këto veprime, që shumëkush e vlerësoi si punë budallai, burrështetasit me përgjegjësi i kuptuan shumë seriozisht. Kësaj bombe “atomike” i erdhi përgjigja përmes DeepSeek-ut kinez, që analistët e quajtën momenti “Sputnik”. Nëse e para aludon në bombën atomike të hedhur mbi Japoni, për të ndaluar avancimin e komunizmit në Perëndim, e dyta aludon në satelitin e parë që e lëshuan rusët në hapësirë kur thanë: “нет” – jo, mjaft. Me këtë, atëbotë, filloi gara e armatimit të blloqeve ideologjike po sikur sot, që shpërfaqet përmes sistemit politik dhe ekonomik dhe, mbi të gjitha, teknologjik kinez versus atij amerikan, perëndimor. Ky moment do të ketë qenë vendimtar që pa shumë hamendësime ai i filloi bisedimet me Putinin. Ekipi i Trump-it me të drejtë do të bindet se koha nuk është në favor të tij. Ai vlerësoi se Europa ballafaqohet me tri sfidat shumë serioze, nga të cilat të varet e ardhmja e saj. Ato janë ngecja teknologjike, deficiti demografik dhe diversiteti kulturor, me penetrimin e atij islam, i cili çdo ditë e më tepër bëhet i dukshëm në metropolet europiane. Këto janë probleme që kërkojnë kohë, kurse ai kohë nuk ka. Duke e lënë Europën të zihet e përzihet në dhjamin e saj, ai pa humbur kohë do t’i drejtohet Kinës. Por, rrugët që të shpien atje kalojnë përmes shuarjes së zjarreve që digjen në Ukrainë dhe në Gaza, që në instancë të fundit janë efekte anësore të ngritjes së kësaj force. Fuqia e saj u shfaq përmes rënies së Afganistanit, vazhdoi me Ukrainën dhe Gazën, për të rrezikuar Mesdheun e Ballkanin. Takimi në Arabinë Saudite sikur paralajmëron se ai dëshiron me një goditje të mbysë dy miza. Kjo është strategji e “budallait” që bën rrëmujë, si elefanti në dyqanin e kristaleve, por në fund kjo mund të dalë e dobishme. Europa dhe ne merremi me copëzat e xhamave të thyer në vend se të përpiqemi t’i kuptojmë fenomenet dhe mbi këto gërmadha të gjejmë një skaj për ne. A është ky rasti i parë që “bota përmbyset”. Sigurisht se jo. Nëse është kështu, pse na duhet ta përkujtojmë kushtrimin e Samiut, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”?

Neve na duhet për t’u ndërgjegjësuar se “përmbysjet” e tilla janë ciklike, kurse rregullat e lojës në këso rrethana nuk dallojnë shumë. Për t’i kuptuar këtë do të na duhet të kthehemi vite prapa dhe t’i përshkruajmë rrethanat kur Samiu e lëshoi kushtrimin tanimë të njohur. Ajo ishte koha kur rrënohej një rend “botëror” që drejtohej nga perandori, kurse sistemet politike udhëhiqeshin nga mbretër e kalifë, të cilët me “bekimin e Zotit” merrnin timonin për t’i drejtuar velat e rendit ndërkombëtar. Ata dhe shumë të tjerë që mendonin e teoretizonin për atë rregullim shtetëror e ndërkombëtar nuk mund ta imagjinonin se ky zanat nuk u takon apriori atyre që i shihnin se njerëz me super vlera, bile hyjnore, dhe kurrsesi nuk mund ta bëjë atë edhe një “injorant” i zgjedhur nga masat popullore. Por, ja që ndodhi befasia. Një ditë të bukur, populli injorant u bashkua dhe krijoi shoqërinë e tyre mbi parime racionale pa ndërmjetësimin e Zotit, të quajtur komb dhe ngriti shtet-kombe. Momenti po sikur ky me të cilin përballemi i tronditi shumë pushtetarë, politikanë e mendimtarë, ndërsa disa prej nesh ishim të dehur në status quo-në e tyre, që i shpinte në humnerë. “Bota”, po sikur sot, edhe atëherë u “përmbys” për të mos u kthyer kurrë më në gjendjen e mëparshme. Thuhet se në atë kohë nëpër sheshet e Perandorisë Osmane brohoritej “Yaşardı millet, şaşardı devlet.” (Populli u gjallërua, shteti u hutua), kurse ndër gojëdhënat shqiptare qarkullonte thënia “bota u bë kos, kush gjeti lugë, gjeti”. Ata që nuk e gjetën lugën, mbetën t’i mëshirojnë të tjerët. Kishte edhe atëherë individë e dijetarë që nuk ishin të preokupuar dhe mahnitur nga hareja e pijanecëve në barkë, por e ndiqnin drejtimin e barkës. Ata e paralajmëronin rrezikun. Ata që me kohë lëshuan barkën dhe iu drejtuan bregut për të gjetur një skaj vendi, për të ndërtuar kush kasolle e kush pallat.

Të gjendur para situatës që e përshkruam dhe kujtimi nga një e kaluar, shqiptarët arritën të bëjnë shtet vetëm 20 për qind të territorit që e kontrollonin nën Perandorinë, kurse të tjerët mbetën nën sundim të huaj, madje një pjesë e madhe u shfarosën, u dëbuan e asimiluan. Nëse e shohim syhapur gjendjen në të cilën gjendemi si shqiptarë e që nuk është as për afërmi e mbyllur, shtrohet pyetja çka duhet të kuptojmë nëse nuk duam që edhe kjo copë që na ka mbetur ta humbim?

Shqiptarët pikë së pari duhet ta kuptojnë se strategjia e “budallait”, që e promovon Trump-i, nuk është as alogjike as irracionale. Përkundrazi, ajo është e bazuar në të dhëna të përpunuara dhe vizion të qartë. Ai e di se sfida kryesore është përballja Amerikë-Kinë, në fillim si luftë tregtare, pastaj teknologjike dhe luftë e kontrollit të informatave, si dhe kozmosit, ndërsa në fund pse jo edhe ushtarake. Ai është i vetëdijshëm se kjo luftë, që për momentin duket simetrike, shumë shpejt do të kalojë në asimetrike në favor të Kinës. Për këtë përballje sa më shpejt i duhet konsolidimi i brendshëm ekonomik e financiar, aq edhe ai i jashtëm. Trump-i është i bindur se këtë luftë nuk do të mund ta fitojë me liderë të tipit të funksionimit të BE-së, ku këndojnë “shumë gjela” që populli thotë se “vonë del mëngjesi”, por me liderë të fuqishëm dhe autoritarë. Atij i duhet Putini dhe Mohammed bin Salmani për ta zgjidhur problemin e inflacionit që mund të bëhet vetëm nëse Arabia Saudite dhe Rusia e rinisin prodhimin e naftës për ta ulur çmimin e energjisë. I duhen edhe paratë e Mohammed bin Salmanit dhe shteteve përreth për ta financuar “bombën” informative, siç i duhet edhe Erdogani për ta kontrolluar Mesdheun – një qendër takimi e tregut të madh europian me atë kinez. Vetëm nëse do t’i ketë përkrah këta liderë, ai do të mund ta nisë rrugën drejt Indo-Kinës, që në ecje e sipër duhet t’i bëjë për vete edhe mullatë e Iranit.

Duhet ta dimë se ne jemi pjesë e Europës dhe ndajmë fatin e saj, por edhe të bëjmë përpjekje të nxjerrim në pah përparësitë tona komparative. Ne duhet të mundohemi t’i japim përgjigje pyetjes që e shtroi Samiu, të adaptuar për aktualitetin tonë, “Shqiptaria ç’ishte, ç’është dhe ç’do të bëhet?”. Në përgjigje të pyetjes duhet të mendojmë për shqiptarin e epokës së re, që synon integrimet, por vëzhgon me kujdes lëvizjet e qendrave hegjemone të vendosjes. Për rastin tonë, ato janë SHBA-ja, Turqia dhe Rusia, pse jo edhe BE-ja nëse arrin ta caktojë telefonin ku duhet kontaktuar. Këto qendra çdo ditë e më tepër do të bisedojnë për këtë pjesë të Europës. Theksi duhet vendosur në raportet Rusi-SHBA-Turqi, si dhe raporti Rusi-Turqi, veçanërisht në pozitën dhe rolin që do ta ketë kjo e fundit për Ballkanin. Busulla kryesore e orientimit tonë duhet të jetë Turqia, pa larguar vëmendjen prej dy qendrave, por edhe ato anësore, që mund të paraqiten në ecje e sipër. Fati ynë në mënyrë direke ose indirekte është i lidhur me qëndrimet e këtyre qendrave hegjemone. Nëse nuk e kemi parasysh këtë realitet, rrezikojmë në rastin më të mirë kufirin, që sot e mbrojmë në Ibër të Mitrovicës dhe Vardar të Shkupit, ndërsa në rastin më të mirë të mundohemi ta mbrojmë Prishtinën në Graçanicë dhe Tetovën në Grupçin.