
Çdo shfrytëzues ka të drejtë të kërkojë korrigjim të faturës përmes telefonit, përmes postës elektronike dhe në zyrat e pranimit të Qendrave të Energjisë së Konsumatorëve të Elektroshpërndarësit, thonë nga kompania, duke shtuar se Elektroshpërndarësi është duke investuar në modernizimin dhe përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes, dhe në kuadër të këtyre investimeve plotësisht është rikonstruuar rrjeti në Haraçinë dhe Hasanbeg.
“Megjithë investimet në këto rajone, qytetarët shkatërrojnë pajisjet dhe lidhen ilegalisht në rrjet, gjë që është krim. Vjedhja e energjisë elektrike në këto lagje është mbi 50 për qind. Vetëm në gjashtë muajt e fundit janë regjistruar mbi 100 denoncime për vjedhje në prani të MPB-së. Si rezultat i këtyre investimeve, disa konsumatorë tani për herë të parë marrin lexime të sakta të rrymës së harxhuar”, thanë për MIA-n nga Elektroshpërndarësi, në pyetjen për të komentuar për protestat e qytetarëve nga Haraçina dhe Hasanbegu të cilët janë të pakënaqur me faturat e tyre.
Siç theksojnë ata, matësit i lexojnë çdo muaj, ndonëse sipas Rregullave të Furnizimit, kompania ka detyrim ligjor që t’i lexojë një herë në tre muaj.
“Përqindja e leximit të njehsorëve në baza mujore është rreth 85 për qind dhe kjo përqindje rritet në 95 për qind vetëm brenda tre muajve. Këtë vit, numri i kërkesave për korrigjim të bilanceve të raportuara në periudhën dhjetor të vitit 2024 deri në janar 2025 është 20 për qind më i ulët se në periudhën dhjetor 2023 deri në janar 2024. Vetëm 15 për qind e kërkesave për korrigjim janë arsyetuar dhe për to janë korrigjuar faturat”, saktësojnë nga Elektroshpërndarësi.
Qytetarët e Haraçinës dhe Hasanbegut të organizuar përmes rrjeteve sociale kanë protestuar sot për të shprehur pakënaqësinë e tyre për faturat e larta të energjisë elektrike. Disa prej tyre thonë se faturat mujore variojnë nga 35.000 deri edhe 75.000 denarë.