
Maqedonia e Veriut është shteti i vetëm në rajon që lista e personave në kërkim të publikuar në ueb-faqjen e policisë i ngjanë një përbërje qeveritare, pasi është e mbushur me ish-funksionarë. Drejtësisë nuk i ‘ikin’ vetëm funksionarët, në vend aktualisht ka gjithsej 1,435 fletarreste aktive, pjesa më e madhe janë nga Shkupi dhe Tetova. Analisti Bashkim Selmani thotë se i gjithë zinxhiri prokurori-gjyqësor-polici është i kapur nga politika andaj nuk mund të funksionojnë siç duhet, shkruan Portalb.mk.
Ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish zëvendëskryeministri Artan Grubi, ish-drejtori i EMV-së Vasko Kovaçevski, ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore Përparim Bajrami, janë vetëm disa prej funksionarëve të kaluar që shteti i kërkon me fletarrest ndërkombëtar.

Sistemi i drejtësisë ka dështuar që t’i mbajë përgjegjës këta persona për veprat e kryera. Nikolla Gruevski për shembull ariti që të marrë azil politiknë Hungari ku aktualisht jeton dhe vepron.
E gjithë kjo kjo ka ndikuar që besimi i qytetarëve në institucionet e drejtësisë, por edhe në qeveri të jetë shumë i ulët. Sipas matjes së fundit, vetëm dy për qind e qytetarëve i besojnë gjyqësorit në vend.
Profesor universitar i të drejtës Bashkim Selmani për Portalb thotë zyrtarët kur kapen me ‘gishta në mjaltë’ strehë kërkojnë dhe e gjejnë te politika, që sipas tij është tregues për kapje të shtetit.

“Ju e patë edhe vetë Mickoski e mbrojti Mexhitin, nuk ka përse ta mbrojë, gjithkush që ka gabuar para ligjit duhet t’i përgjigjet drejtësisë, kjo është vetëm një indikator bazë që tregon se gjithmonë figurat e mëdha kur kanë problem me ligjin kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë gjithmonë të strehuar nëpër organizimet e fshehta qeveritare dhe opozitare”, tha Selmani.
Ai thotë se gjyqësori në Maqedoninë e Veriut vazhdon të kontrollohet nga politika.
“Jo rastësisht edhe sot vazhdohet aktualisht që gjyqësori të jetë nën kontrollin e qeverisë dhe kjo ka ngulfat vet sistemin e demokracisë dhe funksionimin e shtetit të së drejtës. Sepse komplet mentaliteti gjyqësor dhe prokurorial është mbi atë që është e njohur dhe e koordinuar në mënyrë të heshtur mes partive”, tha Selmani.
Selmani shtoi se për të fituar një rast gjyqësor në vendin tonë, “duhet të intervenosh te njerëzit e afërt me partinë ose drejtpërdrejt të përfshihesh në subjekte politike”.
Drejtësisë nuk i ikin vetëm ish-funksionarët, policia është e paaftë t’i kapë edhe qytetarët e thjeshtë
Portalbi siguroi të dhëna nga Ministria për Punë të Brendshme në lidhje me numrin aktual të fletarresteve të lëshuara. Deri më 13 janar 2025 ka mbi 1.400 fletarreste aktive, pjesa më e madhe janë në Shkup dhe Tetovë.

Një pjesë e tyre janë të pakapshëm për institucionet e vendit ndërsa përbëjnë rrezik për qytetarët, pasi veprat për të cilat janë të dënuar janë të rënda dhe me rrezikshmëri të lartë.
“Veprat për të cilat janë dënuar këta persona janë të ndryshme, përkatësisht për “Vrasje”, “Tregti e pa lejuar me narkotikë, substancave psikotrope dhe prekursorëve”, “Tregtia pa leje dhe prodhimi i armëve dhe lëndëve plasëse”, “Vjedhjet dhe vjedhjet e rënda”, “Dhunë në familje”, “Krijimi i rrezikut të përgjithshëm”, “Grabitja” si dhe vepra të tjera” deklaruan nga SPB Tetovë.
Ka raste kur personat e lirë evidentohen si të burgosur
Bashkim Selmani para disa vitesh ka punuar në një nga gjykatat e vendit. Sipas tij, përpos paaftësisë për t’i kapur në kohë kryerësit e veprave të ndryshme penale, ka raste kur kjo bëhet edhe qëllimisht.
“Të tregoj një rast, para disa vitesh kam punuar në gjyqësi, shpesh herë ndodhte që kishte persona të cilëve edhe pasi ju shqiptohej masa e dënimit, trajtoheshin sikur janë nëpër burgje por që fatkeqësisht ato ishin në liri”, tha Selmani.
Fakti që shumë persona të cilëve u është caktuar masa e burgimit shëtiten të lirshëm për Selmnanin është skandaloze. Sipas tij, qeveria në vend që të përpiqet të kapë gjyqësorin edhe më shumë, duhet t’i sigurojë pavarësi financiare fillimisht.
“Qeveria e re në këtë drejtim po e bën të njëjtën gjë siç e ka bë qeveria e kaluar, edhe kjo pretendon që të jetë nën kontroll gjyqësori nëpërmjet personave të tillë që të kenë ndikim. Çdo qeveri që vjen fillimisht e stabilizion vetveten në aspektin gjyqësor që të ketë më pak përgjegjësi. Ata duhet urgjentisht të ndërmarrin masa fillimisht financiarisht ta bëjnë të pavarur gjyqësorin, pasi është pushtet në vete”, shtoi Selmani.
Sektori për Punë të Brendshme Tetovë: Veprojmë me shpejtësi
Portalb-i bisedoi me zëdhënësin e Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, Fatmir Rexhepin pasi ky qytet kishte numrin më të lartë të fletarresteve të lëshuara, por që nuk kishin përfunduar me burgosjen e autorëve.
Rexhepi sqaroi se jo të gjithë personat për të cilët ka të lëshuar fletarrest janë të pakapshëm për policinë – ndërsa për ata që ju kanë ‘ikur’, thotë se i kërkojnë përmes Interpollit.

“Personat të cilët janë në kërkim prej një kohe të gjatë dhe për të cilët ka disa urdhra për vepra të kryera, ata gjithashtu nuk janë në dispozicion të shërbimeve tona dhe ndodhen jashtë vendit dhe ndaj tyre janë lëshuar urdhërarreste ndërkombëtare. dhe të njëjtit jan në kërkim përmes Interpolit”, tha Fatmir Rexhepi.
Ai thotë se dëshmi për efikasitetin e tyre është numri i lartë i personave të arrestuar përgjatë vitit 2024.
“Ne veprojmë me shpejtësi dhe pa dallim në përputhje me çdo urdhër të lëshuar për personat të cilët kanë kryer vepra penale dhe të cilët me vendim gjykate janë në kërkim për vuajtje të dënimit me burg dhe këtë e dëshmojnë shifrat gjatë trajtimit të përditshëm dhe kapjen e personave të cilët janë në kërkim për shkaqe të ndryshme, duke theksuar se gjatë vitit 2024 janë arrestuar gjithsej 165 persona, nga të cilët 103 në Tetovë dhe 62 në Gostivar, të cilët kërkoheshin me një njoftim qendror ose me urdhër ndërkombëtar dhe u dërguan në burg për të vuajtur dënimin”, theksoi Fatmir Rexhepi.
Përkundër që ekziston ueb-faqja me informacionet e personave në kërkim, nga MPB-ja për Portalb sqarojnë se jo të gjithë këta persona publikohen, por vetëm ata për të cilët MPB-ja konsideron se mund qytetarët të ndihmojnë përmes informacioneve për ata persona.
Kujtojmë që Raporti i fundit i Komisionit Evropian gjithashtu pati kritika të ashpra për Maqedoninë e Veriut në sferën e gjyqësorit. Aty mes tjerash thuhet se pavarësia e gjyqësorit dhe kapaciteti institucional për ta mbrojtur atë nga ndikimi i padrejtë mbeten shqetësim serioz.
Sipas hulumtimeve të fundit mbi opinionit publik, besimi në gjyqësor është ulur në 2 për qind, që është në nivelin më të ulët që nga pavarësia e këtij vendi në vitin 1991.