
Kryeministri Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski dhe ministrat do të marrin pjesë në samitin e qeverive hungarezo-maqedonase më 3-4 mars 2025, i cili do të mbahet në Republikën e Hungarisë, transmeton Portalb.mk.
Sipas agjendës, është paraparë takim kokë më kokë i kryeministrit Hristijan Mickoski dhe kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban. Në kuadër të samitit qeveritar është planifikuar të zhvillohen takime dypalëshe mes ministrave të linjës të dy qeverive, të cilat do të pasohen nga një seancë e përbashkët qeveritare mes dy qeverive.
“Në kuadër të vizitës është planifikuar që Ministri i Politikës së Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski dhe Ministri i Politikës së Jashtme dhe Tregtisë Peter Szijjártó të nënshkruajnë Plan Veprimi për shkëmbimin e ekspertizës nga Akademia Diplomatike Hungareze për nëpunësit publikë për temat e dakorduara reciprokisht të integrimit në BE, proceset e administrimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe politikë së tregtisë së jashtme në Budapest“, njoftuan nga Qeveria.
Pas përfundimit të seancës ndërqeveritare, konferencë të përbashkët për media do të mbajnë kryeministri i Qeverisë së Maqedonisë, Hristijan Mickoski dhe kryeministri i Qeverisë hungareze, Viktor Orban.
Kujtojmë se Kuvendi i RMV-së më 11 shtator 2024 votoi huamarrjen në vlerë prej 500 milionë eurove nga Hungaria.
Kompanitë në vend do të mund të shfrytëzojnë 250 milionë euro nga kredia hungareze.
Bëhet fjalë për kredi prej 500 milionë eurove nga Hungaria me normë interesi prej 3,25 përqind, me periudhë të pagesës prej 15 vjet, gjegjësisht grejs periudhë e përfshirë prej tre viteve. Ato të holla do të hyjnë si mjete në buxhet, prej nga 250 milionë euro do të orientohen drejt Bankës Zhvillimore, ndërsa ajo përmes bankave komerciale duhet t’i plasojë në sektorin privat për investime, ndërsa 250 milionë eurot e tjera janë të dedikuara për projekte infrastrukturore, gjegjësisht për financim të komunave.