Pastruesi i shkollës ngacmon nxënësen, i futet në tualet 

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se sot, rreth orës 14:40, zyrtarët e policisë nga Njësia për Punë të Brendshme (NjP) Gallatë kanë arrestuar J.F. (45) nga fshati Vrapçisht, pas një denoncimi të bërë nga një nxënëse e shkollës ku ai punonte si higjienist.

Sipas raportit policor, e mitura, në prani të nënës dhe gjyshes së saj, ka deklaruar se më 28 shkurt 2025, rreth orës 12:00, ndërsa ndodhej në tualetin e vajzave në shkollë, J.F. ka hyrë në pjesën tjetër të tualetit dhe është sjellë në mënyrë të pahijshme.

Menjëherë pas denoncimit, policia ka vepruar duke e ndaluar të dyshuarin, i cili është shoqëruar në stacionin policor për procedura të mëtejshme hetimore. Autoritetet janë duke punuar për zbardhjen e plotë të rastit.