Raportohet se SHBA dhe Ukraina janë pajtuar për kushtet e marrëveshjes për minerale

Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina janë pajtuar për kushtet e një marrëveshjeje për minerale, e cila konsiderohet kyçe në kuadër të përpjekjeve të presidentit amerikan, Donald Trump për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, kanë raportuar mediat të martën vonë, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Burime të afërta me zhvillimet kanë thënë se në të nuk përmenden garanci të sigurisë, apo zotime për dërgim të mëtutjeshëm të armëve, mirëpo që Shtetet e Bashkuara duan që Ukraina të jetë “e lirë, sovrane dhe e sigurt”.

Megjithatë, dërgesat tjera të armëve janë ende duke u negociuar mes Uashingtonit dhe Kievit.

Trump u ka thënë gazetarëve se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dëshiron të shkojë të premten në Uashington për të nënshkruar “një marrëveshje shumë të madhe”.

Ai e ka bërë këtë deklaratë një javë pas shkëmbimit të deklaratave të ashpra mes dy liderëve.

Presidenti amerikan, i cili e konsideron marrëveshjen si shpagim të ndihmës ushtarake të Uashingtonit për Kievin – në vlerë të miliarda dollarëve – ka thënë se në Ukrainë do të duhet të ketë forca paqeruajtëse, nëse arrihet marrëveshja për paqen.

Moska, e cila ka nisur luftën në Ukrainë, tre vjet më parë, ka refuzuar idenë e angazhimit të forcave të NATO-s.

Disa shtete evropiane kanë thënë se janë të gatshme të dërgojnë forca paqeruajtëse në Ukrainë. Trump ka thënë të hënën se Moska do të pranonte prezencën e paqeruajtësve, mirëpo Kremlini e ka hedhur poshtë këtë deklaratë të martën.

Përpjekjet e shpejta të Trumpit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, dhe përmirësimi i marrëdhënieve me Moskën, i kanë rritur shqetësimet për mundësinë e koncesioneve amerikane ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, që më pas do të mund të minonin sigurinë në Ukrainë dhe Evropë, dhe të ndryshonin situatën gjeopolitike.

Javën e kaluar, Trump e ka quajtur Zelenskyn “diktator” që ka nevojë të bëjë marrëveshje të shpejtë për paqe, apo rrezikon të humbë shtetin.

Lideri ukrainas, në anën tjetër, ka thënë se presidenti amerikan jeton në një “hapësirë dezinformatash”.

Kthim mbrapa i parave të “taksapaguesve amerikanë”

Marrëveshja mund t’i ofrojë SHBA-së qasje në mineralet e rralla të Ukrainës.

“Ajo çfarë po bëjmë tani është se po themi, shikoni, duam që kjo të arrihet”, ka thënë Trump.

“Taksapaguesi amerikan do t’i kthejë paratë e veta”.

Zelensky ka refuzuar të nënshkruajë një draft paraprak të marrëveshjes për minerale, pasi Uashingtoni ka kërkuar qasje në minerale në vlerë të 500 miliardë dollarëve.

Kievi ka protestuar, duke thënë se ka pranuar ndihmë më të vogël ushtarake nga Uashingtoni, dhe që në të nuk përmenden garancitë e sigurisë për të cilat ka nevojë Ukraina.

Sipas marrëveshjes së re, bazuar në raportimet për media, SHBA-ja dhe Ukraina do të themelojnë një Fond Investimi për Rindërtim, për të mbedhur dhe investuar të hyrat nga mineralet ukrainase.

Ukraina do të kontribuojë në 50 për qind të të hyrave, minus shpenzimet operative, dhe kjo do të vazhdojë derisa kontributet të arrijnë shumën e 500 miliardë dollarëve.

Shtetet e Bashkuara, në anën tjetër, do të bëjnë zotime financiare për zhvillim “të një Ukraine stabile dhe ekonomikisht prosperuese”.

I pyetur se çfarë do të marrë Ukraina në kthim nga marrëveshja për minerale, Trump është cituar të ketë thënë se 350 miliardë dollarë veçse i janë dërguar nga SHBA-ja, ndërsa parashihen edhe “shumë pajisje tjera ushtarake dhe e drejta për të luftuar”.

Sipas të dhënave ukrainase, ky shtet ka depozita të 22 prej 34 mineraleve të identifikuara nga Bashkimi Evropian si kritike.

Aty përfshihen materiale industriale dhe ndërtimore, metale të çmuara dhe me ngjyra dhe disa elemente të rralla të tokës.