Mickoski për punësimet e mijëra shqiptarëve në administratën shtetërore: Derisa unë jam kryeministër nuk do të ndodhë ajo që tha Mexhiti

Derisa unë jam kryeministër nuk do të ketë një gjë të tillë, kështu tha kryeministri Hristijan Mickoski për njoftimin e zëvendëskryeministrit të parë Izet Mexhiti se në administratën shtetërore dhe publike brenda një viti do të punësohen mijëra shqiptarë, transmeton Portalb.mk.

“Një gjë e tillë nuk ka dhe nuk do të ketë derisa unë të jem kryetar i Qeverisë maqedonase. Do të punësohen dhe është mirë të punësohen njerëz që do të jenë kompetentë dhe që do t’i përgjigjen në mënyrë të duhur atyre punëve. Tani, ne nuk kemi nevojë të diskutojmë për çelësat partiakë, çelësat etnikë, e kemi thënë”, tha Mickoski.

Ai shtoi se pas shfuqizimit të “Balancuesit” do të bëjnë një ligj që të ketë përfaqësim të drejtë, etnik.

“Duke qenë se ‘Badenteri” është kategori kushtetuese, ne duhet të harmonizojmë legjislacionin në përputhje me kategorinë kushtetuese. Dikush mund të ulet dhe të bëjë lista, këtë nuk e përjashtoj, por përderisa unë jam kryeministër, një gjë e tillë nuk do të ndodhë”, tha Mickoski.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor Izet Mexhiti në një aktivitet të partisë që drejton (Lëvizjes Demokratike) tha se Qeveria do të realizojë punësime të shqiptarëve. 

Megjithatë pas reagimeve në opinion dhe nga funksionarët, Mexhiti ndryshoi fjalët.

“Në vazhdimësi ka nevojë për punësime të reja. Kam folur për transformimet e vendimeve në shëndetësi të cilat vite të tëra kanë mbetur, 10 vite, 9 vite me kontratë në vepër. Ka vendim të qeverisë për transformim të vendimeve. Janë 1.500 punësime, po ashtu do të vazhdohet edhe në sektorët tjerë”, tha Mexhiti. 

Punësimet e mijëra shqiptarëve të cilat i paralajmëroi zëvendëskryeministri Izet Mexhiti kanë nxitur mospajtueshmëri në koalicionin qeverisës të RMV-së. Kundër kësaj reagoi edhe ministri i Administratës Publike Goran Minçev.