
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka njoftuar se pas një kontrolli nga Inspektorati për Administratë, është vërtetuar keqpërdorimi i detyrës zyrtare nga ana e ministrit Izet Mexhiti dhe stafit të tij në kabinet. Nga partia e Mexhitit nuk kanë komentuar rastin. Demantuan nga Ministria e Administratës, transmeton Portalb.mk.
Nga BDI thonë se në bazë të vendimit të Inspektoratit Administrativ me numër 11-1653/2024, të datës 17.01.2025, Izet Mexhiti është zhveshur nga të gjitha kompetencat e tij, të cilat janë transferuar në Drejtorinë e Mjedisit.
“Me këtë vendim, Drejtori i ri është urdhëruar që të mos dërgojë për nënshkrim në kabinetin e Mexhitit asnjë dokument nga sektorët kryesorë të ministrisë, përfshirë Sektorin e Natyrës, Ujërave, Mbeturinave, Mjedisit dhe Ndotjes Industriale. Këta sektorë përbëjnë mbi 70% të kompetencave të Ministrisë së Mjedisit, duke e bërë këtë akt një zhvillim të paprecedentë”, thonë nga BDI.
Ata shtuan se ky veprim ka ardhur si pasojë e ankesave dhe denoncimeve të shumta nga qytetarë dhe kompani, të cilët janë kushtëzuar nga kabineti i Mexhitit për të dhënë ryshfet në këmbim të shërbimeve administrative.
Nga ana tjetër edhe pse u paralajmërua se Izet Mexhiti sot do të ketë paraqitje për mediat në një aktivitet partiak, i njëjti nuk u paraqit.
Në vend të tij u paraqit Bashkim Hasani i cili kur u pyet për reagimin e BDI-së nuk dha komente.
“Besoj që ditët në vijim do të ketë edhe deklaratë”, tha Hasani.
Ndaj deklaratës së BDI-së kanë reaguar nga Ministria e Mjedisit, por nuk komentuan konkretisht ingerencat të cilat i publikoi BDI. Ata thonë se Izet Mexhiti, si Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Lëvizja Demokratike dhe koalicioni VLEN, i kanë të gjitha kompetencat nga qytetarët, Ligji dhe Kushtetuta për të menaxhuar me institucionet, me kapacitet të plotë.
“Bashkimi Demokratik për Integrim për 22 vjet nuk ka kuptuar se organet qeveritare siç janë ministritë, nuk udhëhiqen nga letrat e arkivuara, por nga ligjet dhe Kushtetuta…Lidhur me kompetencat që cekë BDI, i përkujtojmë se kompetencat dhe ingerencat ndaj inspektorateve që iu morën atyre para 10 viteve, kjo qeveri i ka kthyer nën ministritë e ndryshme, aty ku e kanë vendin, për të cilën gjë BDI nuk guxoi ta thotë as edhe një fjali të vetme, nga frika se po i humb benefitet e një grupi nga kupola e tyre”, thanë nga Ministria e Mjedisit.
Ministria e Administratës ka thënë se akuzat e BDI-së anë krejtësisht të pasakta dhe të motivuara politikisht.
Inspektorati, siç thuhet në njoftimin e Ministrisë, i mohon dhe i hedh poshtëakuzat e tilla nga Bashkimi Demokratik për Integrim si gënjeshtra dhe manipulim.
“BDI, si parti që e mbajti robër administratën për më shumë se dy dekada dhe sistematikisht e ktheu në vegël për interesa partiake, tani po përpiqet të manipulojë opinionin përmes gënjeshtrave dhe dezinformatave. Inspektorati i Administratës Shtetërore nuk ka kompetencë për të shkarkuar ministrat nga detyra, as për të kryer hetime për korrupsion – këto janë në domenin e autoriteteve gjyqësore, të cilat BDI i ka bllokuar me vite për t’u mbrojtur nga përgjegjësia”, thanë nga Ministria e Administratës.
Ata thonë se ajo që ka ndodhur në të vërtetë ka qenë një inspektim i rregullt në Drejtorinë e Mjedisit, i kryer në përputhje me Planin Vjetor të Punës për vitin 2024. Kjo shkelje, siç thuhet në deklaratë, ka të bëjë ekskluzivisht me respektimin e procedurave ligjore dhe nuk ka asnjë lidhje me akuzat e bëra nga BDI.