Mexhiti porosi Minçevit: Hiq dorë nga retorika e Apasievit, sillu si ministër i të gjithë qytetarëve

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti nëpërmjet rrjetit social Facebook i ka dërguar porosi ministrit të Administratës Goran Minçevit, që të heqë dorë nga retorika e Apasievit dhe të sillet si ministër i të gjithë qytetarëve, transmeton TV21.

“Minçev të mos sillet si një kopje e Apasievit, sepse nuk i ngjajnë aspak njëri-tjetrit.

Goran Minçev duhet ta braktisë retorikën e Dimitar Apasievit dhe të sillet si ministër i të gjithë qytetarëve në vendin tonë të përbashkët.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të bëjë transformimin e marrëdhënies së punës nga kontratë në vepër në punësim të përhershëm për rreth 1500 të punësuar në shëndetësi, nga të cilët 750 janë shqiptarë. Për këtë jemi krenarë.

Përfaqësimi adekuat i shqiptarëve në institucionet shtetërore është kategori kushtetuese, e pandryshueshme, e pakthyeshme, që respektohet dhe do të respektohet, i pëlqen kjo Minçevit ose jo”, shkruan zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti.