
Gazeta gjermane “Bild” shkruan se në një pjesë të madhe të Evropës ka shqetësim për negociatat amerikano-ruse dhe ka mundësi që ushtria amerikane të tërhiqet nga Kosova. Sipas burimeve anonime të “Bild”, Italia po përgatitet për një tërheqje të mundshme të ushtrisë amerikane nga Kosova.
“Aleatët evropianë do të mbetën të vetëm në Ballkan kundër mikut të Putinit, Aleksandar Vuçiq dhe ushtrisë së tij të fuqishme serbe”, thuheT në artikullin e gazetës gjermane.
Krahas kësaj, “Bild” shkruan se shërbimet perëndimore të sigurisë dhe politikanët kanë frikë se negociatat amerikano-ruse mund të çojnë në tërheqjen e trupave amerikane nga një pjesë e madhe e Evropës.
Një burim anonim sigurie nga Evropa Lindore i tha Bild: “Sipas informacioneve që kemi, po flasim për kërkesat e Putinit nga viti 2021, gjegjësisht tërheqja e trupave amerikane nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s që u bashkuan me Aleancën e Atlantikut të Veriut pas vitit 1990.
Skenari më i keq i mundshëm që ekspertët kanë më shumë frikë është një pushtim rus i ish-republikave sovjetike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, si dhe një luftë e gjithanshme me Poloninë.
Ish-ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, shkroi në rrjetin social X: “Lavrov kërkoi që NATO të kthehej brenda kornizës së vitit 1997 dhe të tërhiqej nga të gjitha vendet përveç Gjermanisë Lindore në interes të stabilitetit të Evropës. Pra, pse Putini nuk do të kërkonte të njëjtën gjë në Riad?”
Sipas informacioneve të “Bild”, për momentin Rusia dhe SHBA nuk po negociojnë vetëm për bazat amerikane në Ramstein të Gjermanisë dhe bazën ajrore në Britaninë e Madhe.
“Pjesa tjetër e Evropës duhet të përgatitet për ndryshime të rëndësishme nëse Trump dhe Putin arrijnë një marrëveshje”, tha gazeta gjermane në një artikull.
Portali kosovar “Kosova Press” ka publikuar një deklaratë të një përfaqësuesi amerikan të NATO-s në të cilën ai thotë se “zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë se mbeten të përkushtuar ndaj Aleancës Veriatlantike, duke përfshirë edhe praninë amerikane në Evropë, dhe se vendosmëria dhe mbrojtja e NATO-s duhet të mbetet e fortë”.
Në një përgjigje për portalin Kosovar, thuhet se edhe SHBA-ja e ka bërë të qartë pritjen e saj nga aleatët e NATO-s për të bërë më shumë, për të investuar më shumë në sigurinë e përbashkët.
“NATO po përshtatet vazhdimisht me mjedisin në ndryshim. Kjo është pjesë e asaj që duhet për të qëndruar të përgatitur. Angazhimi ynë për stabilitetin e të gjithë Ballkanit Perëndimor është i palëkundur. KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244, për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e tyre të lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, në rolet e tyre përkatëse si mbrojtës të sigurisë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol themelor në KFOR, përmes kontributit të saj afatgjatë, i cili aktualisht arrin në mbi 600 trupa”, tha përfaqësuesi i NATO-s për “Kosova Press”.
Baza amerikane Bondsteel ndodhet afër qytetit të Ferizajit në pjesën lindore të Kosovës. Bondsteel është baza ushtarake më e madhe dhe më e shtrenjtë e ndërtuar nga Shtetet e Bashkuara në Evropë që nga Lufta e Vietnamit. Aty janë stacionuar disa mijëra ushtarë dhe civilë të cilët janë pjesë e forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), ku përveç SHBA-së, bëjnë pjesë edhe vendet evropiane. Në kuadër të forcave të KFOR-it në Kosovë janë edhe njëqind ushtarë maqedonas.
Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe Maqedonia e ka njohur atë si shtet të pavarur.