Politikanë e media serbe pretendojnë se Kurti po sulmon serbët në Kosovë

Më 7 shkurt 2025, mediumi serb “Informer.rs” ka publikuar një artikull me titullin: “Tensioni në kulm! Fund i rrezikshëm i fushatës në Kosovë: a po i kërcënon Albin Kurti serbët në provincë me armë të zbrazura?!”. Në përmbajtje të këtij artikulli, ky medium pretendon se me rastin e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, të organizuara, siç u referohet, nga “institucionet e përkohshme të Prishtinës”, më 9 shkurt, kryeministri Albin Kurti nuk kursehet nga kërcënimet ndaj serbëve në fazën e fundit të fushatës, shkruan Sbunker.

Mes të tjerash, i referohet premtimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në njërin prej tubimeve në Suharekë, më 28 janar, ku premtoi se në mandatin e ardhshëm do të investohen një miliard euro në fushën e mbrojtjes.

“Pasi njoftoi se do të blinte armatim në vlerë prej një miliard eurosh, Kurti tha në mitingun e tij të fundit në Podujevë se ‘do ta ruante Kosovën cep më cep’”. Ky është edhe slogani i partisë së tij ekstremiste “Vetëvendosje” gjatë fushatës zgjedhore, të cilën e ka bazuar në kërcënimet e vazhdueshme ndaj serbëve në Kosovë dhe M,”,  ka shkruar “Informer.rs”.

Në fjalimin e tij, Kurti ka thënë se Kosova armatoset për të mbrojtur veten dhe nuk po investon për të sulmuar të tjerët, ashtu siç është pretenduar në vazhdimësi nga mediat serbe.

Ky medium ka cituar edhe kryetarin e Komisionit Parlamentar për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme, Milovan Drecun, i cili ka thënë se: “Kurti u ndal t’i tregojë publikut shqiptar se gjoja ishte ai që ’riintegroi‘, pra pushtoi veriun e Kosovës. Kurti vazhdimisht frikëson opinionin shqiptar me pretendimet se ekziston mundësia e një sulmi nga Serbia qendrore.”

Përveç deklaratave të politikanëve të njohur për qëndrimet e tyre kundër Kosovës, “Infomer.rs” nuk ka ofruar të dhëna që mbështesin pretendimin se premtimi për ta forcuar ushtrinë është kundër serbëve të Kosovës.

Fjalimet e Kurtit në fushatë i ka komentuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili në “RTS” tha se: “Ai e ka armën të mbushur gjatë gjithë kohës dhe dëshiron të qëllojë serbët, gjë që e ka bërë”. Kjo deklaratë e presidentit serb është shpërndarë nga “Informer.rs”, në një artikull me titullin: “Vuçiqi për retorikën e Kurtit: “Pushkët e mbushura dhe gjuajtje ndaj serbëve, Perëndimi po mbyll një sy”.

Informer.rs” në vazhdimësi gjatë fushatës në Kosovë ka publikuar artikuj duke i lidhur premtimet me gjoja tendencën që të sulmohen serbët. Ata kanë përdorur edhe incidentet e ndodhura gjatë kësaj periudhe për të fajësuar, megjithëse organet nuk e kanë zbardhur ende rastin. Një artikull u publikua pasi në murin e një shtëpie të një serbi u vendos mbishkrimi “UÇK”.

“Serbi i sulmuar nga Kurti ka qenë kumbarë i Vuçiqit. Në fasadën e shtëpisë së tij kanë shkruar mbishkrime “UÇK”, shkruan “Informer”. Sipas tyre, “Nikolla Jankoviq, babai i Llazarit të vogël, foshnjës së lindur në maternitetin e Pasjanit, të cilin e pagëzoi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u gjend nën sulmin e Albin Kurtit dhe terroristëve të tij”.

“Autorë të panjohur kanë shkruar mbi fasadën e shtëpisë së Jankoviqit mbishkrime “UÇK” dhe kanë skalitur posterat e Listës Serbe. Ai thotë se ka mundësi që ai të jetë në shënjestër sepse presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ishte kumbari i djalit të tij Llazarit dhe se dikush mund të shqetësohet nga uniteti serb”, shkruan “Informer”.

Më 11 janar 2025 ka filluar zyrtarisht fushata për zgjedhjet parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.