
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Izet Mexhiti thotë se nëse hapet çështja e ndryshimit të himnit kombëtar, një nga zgjidhjet e mundshme është që himni të jetë vetëm me muzikë, pa tekst. Ose siç thotë Mexhiti në një paraqitje i ftuar në emisionin “Dialog në Lajm”, me një tekst që do të jetë më gjithëpërfshirës, transmeton Portalb.mk.
Ai thotë se tema e ndryshimit të stemës shtetërore nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes së koalicionit qeveritar me VMRO-DPMNE dhe nuk është prioritet i Qeverisë, por parimisht është diskutuar çështja e stemës dhe himnit.
“Nëse stema është një relike komuniste, dhe himni vjen nga periudha komuniste, atëherë himni duhet të përshtatet me kohën e re, me kohën moderne me frymë evropiane. Mund të jetë një himn vetëm me muzikë dhe pa tekst, ose teksti mund të jetë më gjithëpërfshirës”, tha Mexhiti.
Nëse tashmë po hapen këto tema, siç thotë ai, duhet bërë në paketë dhe teksti “gjuha që flasin 20 përqind e qytetarëve” të modifikohet dhe të zëvendësohet me “gjuha shqipe”.
Kryeministri Hristijan Mickoski konfirmoi javën e kaluar se partitë e koalicionit qeverisës e kanë hapur çështjen e ndryshimit të stemës pasi, siç tha ai, vendi është një nga dy vendet postsocialiste që ende e kanë stemën e vjetër, me disa modifikime të vogla.
Himni shtetëror u propozua që të intonohet në shkolla. Projektligji për arsimin e mesëm kaloi në lexim të parë, por në seancën komisioni për fazën e dytë është tërhequr nga Kuvendi për shkak të amendamenteve të BDI-së, kundërshtimit të tyre pikërisht ndaj këtyre dispozitave. Më pas, ministria përkatëse e tërhoqi këtë projektligj, si propozuese e tij, me arsyetimin që politika të mos futet në arsim.
Kujtojmë që nismë për intonimin e himnit shtetëror nëpër shkolla pati vjeshtën e vitit 2023, ku disa komuna të Shkupit të cilat drejtohen nga kryetarët e VMRO-DPMNE-së e cila ishte në opozitë aso kohe. Ky veprim u cilësua si veprim provokativ dhe me tendencë për nxitjen e raporteve mes bashkësive etnike. Ndërkaq në korrik të vitit 2024 Këshilli Komunal i Velesit vendosi që në vitin e ri shkollor 2024/25, çdo të hënë në turnin e parë dhe të dytë do të këndohet himni kombëtar i Maqedonisë së Veriut në fillim të mësimit në shkollat fillore.
Nga ana tjetër, hera e fundit që u propozua ndryshimi i stemës ishte nga Qeveria e Nikolla Gruevskit dhe BDI-së në vitin 2014, por ajo nuk arriti të sigurojë një shumicë prej dy të tretash për të mbështetur këtë ide. Ishte një luan i kuq në një sfond të verdhë të artë në formën e një mburoje, si dhe një kurorë në pjesën e sipërme në formën e një fortese. Ndër shpjegimet e dhëna nga qeveria e asaj kohe ishte se Maqedonia dhe Bjellorusia ishin të vetmet vende në Evropë që kishin një stemë shtetërore të frymëzuar nga heraldika sovjetike.