Ministria e Brendshme e RMV-së hapi Qendrën e re për trajnim multimedial që synon polici më efikase dhe profesionale

Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski sot në Qendrën për trajnime të MPB-së në Idrizovë zyrtarisht hapi Qendrën multimediale të trajnimit të MPB-së që realizohet në kuadër të projektit “Ndërtimi i sistemit hibrid arsimor në MPB të Maqedonisë së Veriut”, transmeton Portalb.mk.

Qendra është rezultat i bashkëpunimit të përbashkët ndërmjet misionit të OSBE-së në Shkupdhe Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe paraqet një hap real përpara në modernizimin e trajnimeve dhe krijimin e kushteve për përmirësimin e aftësive dhe njohurive të të gjithë anëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme duke integruar mjete inovative hibride dhe multimediale të të mësuarit.

“Projekti zbatohet që nga viti 2021 përmes një qasjeje shumëfazore, me qëllim krijimin e një sistemi të qëndrueshëm arsimor hibrid në Ministrinë e Brendshme, në të cilin njëzet e tre trajnerë hibridë, të përzgjedhur përmes një procedure të bazuar në merita, kaluan përmes një programi trajnimi hibrid me 10 module, duke mësuar se si të përdorin mjete moderne në vend për të krijuar dhe kombinuar trajnime online. Nëntë tema, gjegjësisht trajnime u krijuan sipas nevojës dhe, që atëherë, trajnerët hibridë kanë punuar vazhdimisht në ekipe për të krijuar trajnime gjithëpërfshirëse, ndërvepruese për secilën temë si: integriteti i policisë, policia kufitare, menaxhimi i stresit, puna policore në komunitet, aftësitë rifreskuese për trajnerët, aftësitë e komunikimit dhe aktivitetet finalizuese përmes krijimit të Qendrës multimediale”, theksoi ministri Toshkovski.

Ministri Toshkovski theksoi se qendra multimediale nuk është vetëm një objekt i ri, por një mundësi reale e re për zhvillim dhe përparim, pasi do të jetë vend për trajnime të vazhdueshme që do të përmirësojë efektivitetin dhe profesionalizmin e të gjithë punonjësve të MPB-së.

Shefi i misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadori Kilian Val nënvizoi se kjo qendër është krijuar për zhvillimin dhe zbatimin e programeve dhe trajnimeve efektive multidisiplinare duke përdorur mjete virtuale.

“Me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut edhe një herë po merr drejtimin në planet e saj për përmirësimin e trajnimit policor. Jam krenar për atë që kemi arritur së bashku dhe shpresoj në vazhdimin e një partneriteti të frytshëm në të ardhmen”, tha ambasadori Kilian Val, shef i misionit të OSBE-së në Shkup.