Taravari: Me një pako të zgjidhim çështjen e stemës, himnit dhe gjithë temat tjera të pazgjidhura

Jemi të gatshëm të diskutojmë gjithçka, një paketë masash që do të zgjidhin të gjitha çështjet e pazgjidhura nga e kaluara”, tha sot ministri i Shëndetësisë, nga koalicioni VLEN, Arben Taravari, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për ndryshimin e stemës shtetërore, transmeton Portalb.mk.

Pas një dekade, çështja e ndryshimit të stemës shtetërore në Maqedoninë e Veriut është rihapurnga kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski. Ai konfirmoi se me partnerin e tij qeveritar koalicionin VLEN kanë biseduar për këtë temë dhe kanë ngritur çështjen e ndryshimit të stemës shtetërore.

Taravari mendon se Maqedonia është një nga vendet e pakta postsocialiste, stema e së cilës nuk është ndryshuar.

“VLEN është gati të flasë për çdo gjë. Fatkeqësisht, në periudhën e fundit, tema më të ndjeshme janë zhytur nën qilim. Jemi të gatshëm të diskutojmë një paketë masash të pazgjidhura në 20-30 vitet e fundit dhe t’i zgjidhim si paketë, pse të mos përfshijmë stemën dhe himnin dhe 20 për qindëshin dhe çështje të tjera etnike nëse ka, dhe të fokusohemi te ekonomia, integrimi evropian, antikorrupsioni, paga më të mira, për një jetë më e mirë,…, theksoi Taravari.

I pyetur se çfarë duhet të qëndrojë në stemë, Taravari është përgjigjur se VLEN ende nuk e ka hapur këtë temë.

Ndryshe, dje pati reagime edhe nga krerë tjerë të partive politike në RMV. Kryetari i partisë Lëvizja Besa, Bilall Kasami dha dritën jeshile për ndryshimin e stemës shtetërore. Sipas tij, do të mbështeten ndryshimet në Kushtetutë, të cilat do të pasqyronin realitetin aktual të vendit.

“Në fakt, në një dalje të mëparshme publike kam thënë se një nga qëllimet e emërtimit të rrugëve në qytetin e Tetovës ishte që trashëgimia e sistemit të kaluar të qëndrojë ende, që është edhe shpjegimi i kryeministrit në pjesën për ndryshimin e stemës së shtetit. Jemi të gatshëm të diskutojmë një paketë amendamentesh kushtetuese, ku në vend të trashëgimisë së sistemit të mëparshëm, do të pasqyrohet orientimi aktual i vendit drejt Bashkimit Evropian. Ne jemi të gatshëm të diskutojmë, duke u siguruar që do të jetë një proces publik dhe transparent”, tha Bilall Kasami.

Në lidhje me çështjen për ndryshimin e stemës shtetërore u deklarua edhe kryetari i LSDM-ës, Venko Filipçe.

Ne besojmë se stema shtetërore pasqyron mjaftueshëm të gjitha karakteristikat heraldike të këtij rajoni. Të qarta janë edhe dobitë e Luftës Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste, nuk ka ndarje në etni. Nëse do të ketë një iniciativë të tillë, ne do ta kundërshtojmë me forcë ndryshimin e stemës shtetërore me të gjitha mjetet demokratike” tha ai.