Me reformimin dhe pastrimin e partisë, do te vendosim standard të ri në rajon, paralajmëroi BDI-ja

Procesi i reformimit dhe pastrimit të BDI-së do të udhëhiqet nga Ali Ahmeti dhe kryesia e partisë, ndërsa kjo parti vlerëson se me këtë po vendoset një standard i ri për partitë politike në rajon, transmeton Portalb.mk.

“Deputetët e BDI-së i janë nënshtruar një vlerësimi të rrezikut të korrupsionit dhe kanë nënshkruar Kodin e Praktikës së Mirë dhe Integritetit të BDI-së. Ky kod përputhet me Kodin e Praktikës së Mirë në Fushën e Partive Politike, të miratuar nga Rezoluta e Komisionit të Venecias dhe e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE)”, raportoi BDI-ja.

Kjo parti vlerësoi se reformimi dhe vetingu i partisë është “standard i ri për partitë politike në rajon”. Ata paralajmërojnë se vetingu do të zgjerohet edhe në nivel të partisë.

“Kjo nismë ripohon përkushtimin e BDI-së për sundimin e ligjit dhe tregon përkushtimin e partisë për të trajtuar korrupsionin në rrënjët e tij”, deklaroi BDI-ja, duke kërkuar edhe nga partitë tjera të ndjekin këtë reformë.

Kujtojmë se, më 17 dhjetor 2024 Ministria e Punëve të Brendshme dorëzoi kallëzime penale në Prokurorinë Publike kundër ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Metodija Dimovski dhe ish-drejtorit të Lotarisë së RMV-së Përparim Bajrami dhe pesë personave të tjerë për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorimi i procedurës së shpalljes publike, dhënies së kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publiko-privat”.

Megjithatë pak para formimit të lëndës, Grubi dhe Bajrami ishin larguar nga shtetit dhe mbeten ende të pakapshëm për organet e rendit të RMV-së. 

Grubi kërkohet me fletarrest ndërkombëtar së bashku me ish drejtorin e Lotarisë Shtetërore Përparim Bajramin, për rastin ‘Lotaria’. Atyre u është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë

Në fund të vitit 2024, Artan Grubi së bashku me gjykatësin Enver Bexheti u futën në Listën e Zezë Amerikane për korrupsion dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore për të shpëtuar Sasho Mijallkovin. Në listën e zezë është edhe një funksionar i BDI-së, kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko.