NJERIU DHE MASKA

Nga Myzafer Ramzoti

NJERIU DHE MASKA

Ese Sot,sot nuk ka nevojë të lodhemi për t’i kërkuar, nuk ka zor për t’i gjetur njerëzit që mbajnë maska sepse, për shkak të Koronavirusit-19, sot të gjithë mbajnë maskë, madje, të disa llojeve. Kjo ka bërë edhe më të vështirë të dallosh ata që mbajnë dy maska, ata që, nën të dukshmen për virusin kanë atë, të padukshmen. Në të vërtetë të gjithë, të gjithë lindin me një fytyrë të bukur, me atë të pafajsisë që u a dhuron perëndia por, nga që nuk çajnë dot përpara në jetë, shëmtojnë fytyrën e tyre me një maskë tjetër që mendojnë se u a mbulon shpirtin e zi. Sido qoftë, ata janë mësuar apo e kanë detyruar veten të mësohen që të jetojnë me maskë. Ajo nuk i bezdis si maska Korona-19 që të tjerët, ata pa maskë, nuk e durojnë dot. Ajo, maska tjetër, maska nën atë të detyruar nga virusi, është bërë pjesë e trupit të tyre, e qenies së tyre. Njerëzit që i rrethojnë, njohin vetëm atë që shohin se, fytyrën e tyre të vërtetë nuk e njeh askush e, ndoshta e kanë fshirë nga memorja edhe ata vetë. Hipokrizia jeton me ta, nën maskë e, mbi maskë, gjthë ditën, në prani të gjithkujt sidomos, në praninë e më të fuqishmëve, të atyre që kanë në dorë lavdinë, mirëqenien, egoizmin, pushtetin, mundësinë për të bërë përpara. Ditën, të dyja maskat pleksen e ngatërrohen me njëra-tjetrën por, natën, kur bien të flejnë të vetmuar, e heqin maskën dhe gjykojnë edhe pse shpirti e tyre nxihet e errësohet ngadalë derisa bëhet si nata pa hënë, terr i zi. Këtë e bëjnë vetëm kur flejnë të vetmuar se, po të shtrihen me bashkëshortet, flejnë me gjithë maskë. Edhe në dashuri shtiren si të përvëluar apo si viktima edhe pse e dinë shumë mirë se ato e, madje edhe dashnoret, i njohin mirë maskat e tyre, atë me të cilën kanë lindur dhe atë që ata, me mund dhe përpjekje, tinëzisht e kanë vendosur përballë shoqërisë e përballë tyre. Ai, ai të zgjat dorën shpërfillshëm, në të vërtetë, dridhshëm; diskuton me ty apo me atë sikur është dikush që në çdo fjalë i pikon mençuri, dituri, sikur sapo ka zbritur nga qielli, nga takimi me perëndinë. Por, në të vërtetë, ai në çdo moment është “indiferent” për atë që shqetëson bashkëbiseduesin e tij por jo për atë që e shqetëson atë vetë, apo që ti dhe ai tjetri si ti, mund t’ia afrojë, mund t’ia dhurojë. Derisa t’ia arrijë kësaj, mundohet të tregohet i veçantë, se e meriton vëmendjen tuaj apo të atij, se është i vlerëshëm për ty apo për atë. Ai, në të vërtetë, teksa bisedon me ty apo me atë, dëgjon e shikon çdo njeri rrotull vetes për të kuptuar, për të kapur, e për të nuhatur çdo bisedë që mund t’i shërbejë atij. Dëgjon çdo gjë që i thua gjakftohtë, pa të parë në sy se sytë e tij nuk kanë përqëndrim, sepse ato janë pasqyrë e shpirtit dhe dëshmojnë brendësinë e skutat e qenies. Kështu, maskat ndërrohen njëra pas tjetrës, si lypsarë, si servilë, si kërcënues apo si i kërcënuar, si i dijshëm, si mospërfillës, si i dashuruar, si i xhelozuar, si i zemëruar derisa t’ia arrijë qëllimit. Këto nuk janë maska Kovidi, këto përngjasin me maskat e karnavaleve, jo nga ato që na argëtojnë por, me ato që na bëjnë të qajmë, e që dikujtë, dikurë do t’i shërbejnë për të na e futur ne. Ata me të tilla maska mbijetojnë dhe, “ Zot ndalju dorën” se, nëse ti rrëzohesh, bie nga karrikja, thyen këmbën, qafën dhe ata mbijetojnë, bëhen eprorë, veshin maskën e eprorit apo dhe tënden, na e vënë këmbën në fyt e na fundosin siç bënë në ndërrim të sistemeve, në nëntëdhjetë e shtatën, në nëntëdhjetë e tetën …. E, siç po bëjnë në vazhdimësi kur, me votat e popullit , i a fusin popullit. Edhe në ato vite të paharruara, ata ndërruan maskat se, në të vërtetë, pavarësisht nga dukja, mbetën miq që s’duan t’ia dinë për asgjë në botë e, bile, as për njeri tjetrin. Harrova, më falni se harrova maskat e hajdutit, kriminelit, keqbërësit dhe, dhe në ndjekje të tyre, maskat e policëve. Të dy palët kanë maska por, ata i kanë për t’ju ruajtur njëri-tjetrit, për të mos u njohur me njeri-tjetrin se maskat e drejtësisë të ushqyera me para të pista, i vënë përsëri përballë njëri-tjetrit. Maskat!? A kanë nevojë për maska anti-virus ata që janë vetë maska virus? A ka virus që i shkatërron ato ?!

1 Maj 2020