
Trumpi po vepron shpejt…Presidenti Trump dhe administrata e tij do të jenë shumë më të vrazhdta sesa në mandatin e parë dhe këtë po dëshmojnë vendimet e fundit. Trumpi nuk ka nevojë të kujdeset për një mandat tjetër, ndaj po i thotë gjërat troç dhe po – vepron. Rreth 100 dekrete e urdhëra ekzekutive ka nënshkruar deri tani. Shumë premtime e kërcënime ka filluar t’i realizojë, për migrantët ilegalë, për tarifat doganore për Ukrainën, për USAID-in, për ndalimin e ndihmave për vendet e tjera, për daljen nga OBSH etj etj. Pakënaqësitë janë të mëdha, por ai nuk po merakoset shumë për këto protesta. Tani pritet marrëveshja për mineralet e rralla me Ukrainën (presidenti i Ukrainës ka shprehur gatishmëri) si shkëmbim për armë, pritet së shpejti edhe kontakti me Putinin, po bisedon me Kanadanë, Meksikën, Kolumbinë, me Kinën ka futur doganat shtesë. Po flet edhe për Panamanë, Rripin e Gazës, Groenlandën.. të gjitha këto për tre javë. Së shpejti do të jenë në rend dite edhe Bashkimi Evropian, Gjermania, NATO… Trumpi po i thotë gjërat shumë, shumë hapur dhe qartë, i pëlqyen apo jo dikujt. Ndaj të gjitha paralajmërimet e tija dhe të administratës së tij duhet të merren seriozisht.Trumpi akoma nuk po merret me Ballkanin Perëndimor dhe me vendet tona. Për Kosovën dhe Serbinë ka folur deri tani vetëm Grenelli, por disa postime të tij i ka shpërndarë i biri i Trumpit, e edhe dhëndërri i Trumpit është i interesuar për Shqipërinë, Serbinë… Me një fjalë, Trumpi akoma nuk ka thënë asgjë, por as kjo nuk përjashtohet. Do të ishte mirë që Kosova e Shqipëria të kenë raporte të mira me administratën amerikane, në veçanti Kosova, sepse nga Amerika varet në masë të madhe edhe siguria e saj dhe pozita ndërkombëtare.Duhet të kemi kujdes, sepse nëse Trumpi e flet ndonjë fjalë që nuk na pëlqen ajo mund të pasohet edhe me vendime e vepra, e dëmet mund të jenë të pariparueshme. Trumpi dhe administrata e tij duhet të merren seriozisht, na pëlqeu apo jo. Këtë e di edhe Gjermania, këtë e di Rusia, Kina dhe BE, e dinë të gjitha vendet e botës. Këtë duhet ta dinë edhe vendet tona.
