
Kjo valle me origjinë të Epirit e mori emrin e Osman Takës, atëherë kur valltari patriot Osman Taka, një nga luftëtarët kryesorë të degës çame të Lidhjes së Prizrenit me qendër në Prevezë, u kap rob dhe u burgos në Burgun e Janinës, ku dhe u dënua me varje.
Para se ta varnin ai shprehu dëshirën e tij të fundit: një orkestër, e cila të luante vallen çame. Osman Taka nisi të kërcejë para valiut të Janinës dhe bashkëshortes së tij. Vallen e kërceu shumë bukur.
Dokumente arkivorë të Janinës thonë se pas kësaj valleje e shoqja e valiut i ka kërkuar atij që Osman Taka të mos vritet. Dhe në të vërtetë ai u fal, e që nga ajo ditë kjo valle u quajt Vallja e Osman Takës.
Vallja kërcehet nga djem që vendosen në trajtë shkalle. Nisja është e qetë, me hap të thjeshtë, lëvizjet janë plot hijeshi dhe e bëjnë këtë valle tepër burrërore, njëkohësisht edhe elegante.
Vallja e Osman Takës është një valle tradicionale çame, me të gjithë elementet çame. Ajo është valle epike, por brenda këtij epizmi ka një lirizëm, ka një lirshmëri që i tërë trupi kërcen në organikë me shpirtin e atij që e kërcen vallen, por edhe me ata që i bien veglave muzikore.
E veçanta e kësaj valleje është se sa mjedis më të ngushtë të ketë, aq më bukur e më mirë kërcehet. Vallja ka disa pika kulminacioni.
Pikën kulmore e ka, në momentin kur në mënyrë akrobatike, valltari kryesor kthehet në urë dhe mbi barkun tij luajnë valltarët e tjerë.
Kur interpetuesi i saj përkul trupin në formën e një ure, nuk kemi thjesht të bëjmë me një urë të zakonshme trupore, por me atë që quhet ura e brezave, e historisë, e përpjekjeve, e sakrificave, e gjakut dhe mençurisë popullore.