
Megalomania të bën të shkëlqesh në fillim, e më pas do të shndërron në një shënjestër të lyer me ngjyrë të kuqe në ballë! – thotë një thënie.
I dërguari i posaçëm i presidentit Tramp për situata të veçanta në botë, Riçard Grenell, granatoi kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin me artileri të rëndë, duke thënë se “ai nuk është partner i besueshëm për SHBA” dhe se “bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër tij”. Në ditët në vijim do të shohim se çfarë ka mbetur pas këtij “granatimimi” nga Albini. Në një deklaratë zyrtare të Departamentit të Shtetit thuhet se – “Riçard Grenell ka shumë miq në Kosovë, Shqipëri, Serbi dhe në mbarë rajonin. Administrata Tramp do të punojë në të gjithë rajonin për paqen, por ne kemi nevojë për partnerë të besuar. Qeveria e Albin Kurtit nuk ishte e besueshme as gjatë mandatit të parë të Tramp dhe as gjatë mandatit të Bajdenit. Kurti duket se gjithë kohën kërkon lumturinë aty ku të gjithë të tjerët e kanë humbur!
Republikanët dhe demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për ndërmarrjen e veprimeve kokë vete “për të destabilizuar rajonin”. Asnjë politikan nuk do ta donte as në ëndërr një sulm kaq të ashpër nga shteti më i fuqishëm në botë, vetëm pesë ditë para zgjedhjeve në Kosovë. Fakti është se SHBA-ja e themeloi Kosovën si shtet, por Kurti, për arsye që i dinë vetëm ai, ka ndërtuar në mënyrë të përhershme një politikë antiamerikane, deri në atë pikë sa sekretarin e mëparshëm amerikan Blinken e ka quajtur “naiv”, që është diçka e paprecedentë në komunikimin diplomatik.
Tani shtrohet pyetja, pse kjo shpallje politikisht-vrasëse pikërisht mu tani?
Përgjigjja është se Kurti, i cili shpesh vepronte në kundërshtim me qëndrimet amerikane, shpesh herë dinte të deklaronte para opinionit se ishte në kontakt të ngushtë me partnerët “strategjikë” perëndimorë. Duke vepruar kështu, ai bindi edhe ata njerëz që nuk e miratonin komunikimin e tij injorant me shtetin më të fuqishëm në botë, i cili sipas logjikës së vet duhet të jetë partner strategjik. Tashmë, kur me një deklaratë të tillë zyrtare nga Grenell, Kurti është një “shënjestër e kuqe” e artilerisë së rëndë amerikane, nga e cila askush nuk ka shpëtuar deri më tani. Nëse një njeri qëndron çdo ditë buzë një gremine dhe e shikon atë, një ditë edhe ajo do të shikojë ate. Duke mashtruar publikun se është në një marrëdhënie të padukshme me SHBA-të, dhe se deklaratat e tij kundërshtuese (e madje fyese) janë vetëm për një publik injorant, ai tani rrezikon të humbasë pushtetin madje duke fituar zgjedhjet. Kapaciteti i tij koalicioni është nën zero!
Duhet ditur se në SHBA, pavarësisht nga dallimet mes dy partive amerikane, ata i kushtojnë vëmendje të madhe vazhdimësisë dhe interesave afatgjata të vendit të tyre, duke përfshirë edhe mënyrën se si liderët e vendeve të tjera kanë vepruar me përfaqësuesit dhe institucionet e mëparshme amerikane. Kujtojmë tetë vite më parë kur aktivistët e VMRO-së rreshtuan fotot pos-mortale për ambasadorët e SHBA-së, BE-së dhe disa vendeve të tjera, pasi lideri Nikolla Gruevski i akuzoi ata para KSHZ-së për ndërhyrje në punët e brendshme.
Opozitat partiake janë thelbi i demokracisë dhe konkurrencës politike, por diku ka një vijë të kuqe që nuk duhet ta kalojmë, sepse aty ku mbarojnë interesat shtetërore të dikujt, mund të fillojnë vuajtjet e ndokujt. Demokratët dhe Republikanët kanë dallime dhe kundërshtime të shumta mes tyre, por çdo mospërfillje apo fyerje ndaj institucioneve amerikane paguhet shtrenjtë, sepse ata nuk lejojnë të cenohet autoriteti dhe dinjiteti i atyre institucioneve. Dhe këtu nuk ka asnjë tolerancë.
Tani një “bombë shkatërruese” është hedhur në oborrin e shtëpisë së Kurtit dhe partisë së tij. Askush në Kosovë nuk do të mund ta trajtojë këtë si “mendim personal” të Grenellit, sepse njeriu është emëruar drejtpërdrejt nga Tramp. Dhe i përgjigjet vetëm atij. Ai nuk e ka “mendimin e tij personal” para publikut. Ky është tashmë qëndrimi i Tramp-it dhe Departamentit të Shtetit. Për më tepër, fuqia e Grenellit është jashtëzakonisht e madhe në Shtëpinë e Bardhë.
Përkujtojmë se Kurti e ka sulmuar vazhdimisht Grenellin për vite me radhë me ndihmën e mbështetësve të tij, duke e etiketuar atë si “proserb”, “si të korruptuar” edhe pse e dinte se kjo nuk funksionon kështu në SHBA. Ju mund të përdorni miqtë atje për ide, udhëzime ose sugjerime, por vendimet sillen mbi bazën e analizave të hollësishme dhe kompetente. Politika e gabuar e Kurtit e ka çuar Kosovën në marrëdhënie të këqija me SHBA-në dhe gjithë Perëndimin.
Duhet të kemi parasysh se ndryshe nga administrata e Bajden-it, e cila dinte të toleronte deri në një masë vendet e vogla që janë aleate natyralë të Amerikës, duke pritur që ata të kthjellohen, Tramp nuk ka një tolerancë të tillë. Shembulli me BE-në, me Kanadanë, me Meksikën, me Panamanë e vërteton këtë. Tashmë është fare e qartë se kjo administratë nuk do të funksionojë në stilin “merre ose lëre”, por “merre e përkulu”!
Shkupi ka kryer kundërvajtje të rëndë me Dodikun!
Pavarësisht se kush e fton një tubim, takimi merr trajtim zyrtar me prezencën e shefit të shtetit, kryeministrit, apo bartësve tjerë të lartë vendas, dhe çështjet duhet programuar në detaje. Aty koordinohen edhe fjalimet. Por këtu Milorad Dodik bëri një bujë si në mallin e vet. Njeriun që askush në botë nuk e fton në asgjë, përveçse kur ai vetë udhëton në Rusi, ne e ftuam, pa e ditur se mund të na shndërroj në një cirk sa qesharak aq edhe tragjik. Dikush shumë budalla, por me shumë pushtet, e kishte menduar si ide të mirë të ftohej në Shkup njeriun më të izoluar në Evropë, si një patronist ekskluziv me autoritet për festën e “Shën Savës” (festë fetare serbe), ku do ulej së bashku me kryeministrin Mickovski! Por, do të mbente edhe një fjalim “historik”! Me performancën e tij “primitive-ekstravagante”, ai e ktheu vendin tonë në një “tualet fushe” brenda një ore.
Askush me një grimcë mendjeje në kokë nuk mund ta kuptojë se çfarë kërkonte tek ne njeriu që është në listën e zezë të dyfishtë amerikane dhe angleze (gjenocide dhe të korruptuar). Aq më tepër që ate askush nuk e fton askund, si nga shtetet anëtare të BE-së ashtu edhe nga ato jo-anëtare! Dhe ne e ftojmë me të gjithë flamujt (madje edhe flamurin e Republika Srpska), që është shkelje e normave ndërkombëtare! Duke vepruar kështu, organizatori (dhe jo vetëm ai), jo vetëm që shkeli ligjin ndërkombëtar duke fyer një vend tjetër (BiH), por gjithashtu shkeli ndjenjat e shumë njerëzve vendas që janë lënduar më shumë nga gjenocidi i mohuar i Dodik-ut. Të dyja aktet që Dodik bëri te ne janë të dënueshme sipas ligjit ndërkombëtar dhe dënimi minimal është dëbimi i folësit nga vendi. Dhe jo si ne – e ftuam, na fyeu e u tall, e më pas festoj në restorante elite me shumë të pranishëm!
Duke folur për konfliktin në Ukrainë, Dodik nuk tha se: “Presidenti rus Putin bëri gjithçka për të mbrojtur interesat kombëtare ruse… dhe se Rusia duhej të mos lejonte që NATO të ishte pranë burimeve të saj”! Prandaj, “duhet t’i drejtohemi vetes, njerëzve më të afërt, vëllezërve tanë…” – tha ai para kryesisë shtetërore dhe fetare në Shkup.
Në një situatë ku po vlon në oborret e Londrës, Berlinit, Parisit e të gjithë Europës e më gjerë, ne po luajmë rolin e budallas në shtëpinë e vet. Evropa dhe bota po përpiqen se si të gjejnë një rrugëdalje të vogël nga kjo situatë e vështirë, ndërkohë që ne po kënaqemi para pasqyrave iluzore. Njëlloj si ai macja budallaqe me emrin “Herkul”, e cila përballë pasqyrave iluzore ndjehej si të ishtë një Tigër i fortë!
Dodik na tha bukur, se e kemi gabim që lypim Evropën, “dhe është pikërisht kjo Evropë që është turpëruar më shumë në Maqedoninë e Veriut, e cila bëri shumë lëshime dhe fitoi pak nga ajo Evropë”. “Dhe një ditë do të duhet të ndalemi dhe të mendojmë me kujdes nëse duhet të vazhdojmë në këtë rrugë,” tha ai. Gënjejnë kur flasin për gjenocid, ata janë gënjeshtarë! Ai e mbylli fjalën e tij me fjalët “Rroftë Maqedonia!”. Rroftë Serbia! Rroftë Republika Srpska! “Rroftë Rusia vëllazërore”. Askush të mos u besojë veshëve! Duket se vetëm të çmendurit dhe fëmijët flasin të vërtetën lakuriqe. Por, edhe ata që e dëgjojnë nuk janë shumë të ndryshëm nga ata.
Por kjo është vetëm një këngë mjellmë, sepse “Vllaut të madhë” të tij tashmë i numërohen ditët e fundit në Serbi. Të rinjtë dhe fëmijët serbë kuptuan atë që të rriturit nuk mundën ose nuk donin! Vuçiq ndoshta po e shtyn me shumë udhëtimin e tij njëdrejtimësh nga Serbia për të parë nëse mund të ketë ndonjë shpresë pas takimit Trump-Putin! Kurse ne vazhdojmë të këndojmë këngën e mjellmës edhe atëherë kur të gjithëve u vjen për të qarë!