SA VLERË KE TI ?

Me një rast një djalosh u takua me një njeri të mençur dhe i tha: “Unë kam ardhur të kërkoj këshillë, po më mundon ndjenja e pashpresës dhe nuk po dua të jetoj më. Të gjithë po më thonë se jam një i dështuar dhe budalla. Të lutem, o mësues, më ndihmo!”
Njeriu i mençur e vështroi djaloshin dhe i tha me ngut: “Më fal, por jam shumë i zënë dhe nuk mund të të ndihmoj. Ka një gjë urgjente që duhet të bëj”, pastaj, ndaloi për një çast, mendoi dhe shtoi: “Por nëse pajtohesh që të më ndihmosh, unë me kënaqësi do ta kthej mirësinë”. “Sigurisht, o mësues!” – tha djaloshi me entuziazëm, por me mendime të hidhura se shqetësimet e tij u neglizhuan përsëri.
“Mirë”, tha njeriu i mençur dhe e hoqi nga gishti i tij një unazë të vogël me gurë të çmuar. “Merre kalin tim dhe shko në treg! Urgjentisht kam nevojë ta shesë këtë unazë për t’i shlyer borxhet. Mundohu ta marrësh një çmim të mirë, por mos prano në asgjë më pak se një monedhë ari! Shko tani, dhe kthehu sa më shpejt që të jetë e mundur!”
Djaloshi e mori unazën, i hipi kalit dhe shkoi. Kur arriti në treg, ai ua tregoi unazën shitësve të ndryshëm, të cilët menjëherë e vështruan me interesim. Por kur dëgjuan se ai e shiste vetëm për një monedhë ari, ata shpejt e humbën interesimin. Disa shitës e përqeshën të riun në fytyrë, ndërsa të tjerët thjesht ia kthyen shpinën. Vetëm një shitës i moshuar ishte mjaft i sjellshëm dhe ia shpjegoi se një monedhë ari është çmim shumë i lartë për një unazë të tillë, dhe se ka gjasa që të merr vetëm këmbim nga bakri apo eventualisht nga argjendi, raporton “Bizlife” … Kur i dëgjoi këto fjalë, djaloshi u mërzit shumë, i kujtoi fjalët e plakut që mos të pranojë asgjë më pak se një monedhë ari. Ai tashmë e kishte kaluar të gjithë tregun, midis qindra njerëzve… I hipi kalit dhe shkoi.

Shumë i dëshpëruar për shkak të mossuksesit të tij, u kthye për ta parë njeriun e mençur. “O mësues, nuk munda ta plotësoja kërkesën tuaj” – i tha ai. “Më e mira që munda të arrija është argjendi, por ju më thatë që mos të pajtohem me diçka më të vogël sesa një monedhë ari! Ata më thanë se kjo unazë nuk është aq e vlefshme.” Njeriu i mençur i tha: “Është një gjë shumë e rëndësishme, djaloshi im! Para se ta shesësh unazën, nuk do të ishte ide e keqe, që së pari ta përcaktosh sesa është vlera e saj e vërtetë! Po kush mund të bëjë këtë më mirë sesa argjendari? Shko tek ai dhe mësoje sesa është çmimi i vërtetë i saj. Por, mos ia shit atij, pa marrë parasysh sa ofron! Pastaj, menjëherë eja tek unë.” Djaloshi e dëgjoi njeriun e mençur dhe shkoi te argjendari. Ai nëpërmjet një xhami zmadhues e studioi unazën një kohë të gjatë, pastaj e mati. Në fund, u kthye kah djaloshi dhe i tha: “Thuaj mësuesit tënd se unë momentalisht nuk mund t’i japë atij më shumë se 58 monedha ari për këtë unazë. Mirëpo, nëse më jep pak kohë, do t’ia blejë unazën për 70 monedha ari.” “70 monedha ari?”, bërtiti djaloshi. Ai qeshi, e falënderoi argjendarin dhe nxitoi të kthehej te njeriu i mençur. Kur e dëgjoi tregimin nga djaloshi mjaft i ngazëllyer, i tha atij: “Mos harro djalosh, se ti je si kjo unaza. I çmuar dhe unik! Vetëm eksperti mund ta vlerësojë vlerën tënde. Pse atëherë, po e humb kohën tënde duke humbur nëpër treg dhe duke dëgjuar mendimet e çdo budallai?”