Turqia jep sihariqin: Ilaçi kundër COVID-19 gati në muajt e verës

Prof. dr. Hasan Mandal, president i Këshillit të Kërkimeve Shkencore dhe Teknologjike të Turqisë (TUBITAK), dha të hënën informacione në lidhje me situatën aktuale në hulumtimet që po bëhen në vend për prodhimin e bari dhe vaksinës kundër COVID-19.

Kreu i TUBITAK-ut bëri me dije se në vend po zhvillohen 17 projekte mjekësore për prodhimin e ilaçit dhe vaksinës që do të përdoret si kurë për sëmundjen e shkaktuar nga koronavirusi i ri.

Ai tha se studimet për ilaçin dhe vaksinën në fjalë po bëhen njëkohësisht nga shkencëtarë turq.

“Fillimisht dua të sqaroj një çështje që ngatërrohet në opinionin publik. Çfarë janë ilaçi dhe vaksina? Të dyja këto studime po zhvillohen njëkohësisht. Me ilaç kuptojmë kurën për qytetarët tanë të infektuar, të cilët kanë nevojë për trajtim mjekësor. Kurse vaksina është një teknologji që përdoret tek personat aktualisht jo të infektuar dhe që s’kanë fituar ende imunitet, për të prodhuar një zgjidhje të qëndrueshme kundër mundësisë së infektimit në të ardhmen. Pra, kjo është një situatë në të cilën kemi nevojë edhe për barin, edhe për vaksinën”, deklaroi prof. Mandal.

Turqia – potencoi ai – po zhvillon 17 projekte për ilaçin dhe vaksinën kundër llojit të ri të koronavirusit, ku janë përfshirë 29 universitete, 8 kompani farmaceutike dhe 9 institucione kërkimore.

“Sa i përket barit, me lejen e Allahut ne do të arrijmë një fazë të rëndësishme, që është ajo e dhënies së ilaçit, në muajt e verës. Ndoshta kemi shansin për ta realizuar edhe më herët. Ne duam të ndajmë me opinionin publik një sihariq të rëndësishëm në muajin qershor”, u shpreh presidenti i Këshillit të Kërkimeve Shkencore dhe Teknologjike të Turqisë.