Krenar Lloga – U qoftë i lehtë dheu i Shqipërisë!

Si fëmijë, në fillim të viteve ’90, shihja në Televizionin Shqiptar turma njerëzish që ndiqnin disa figura fetare dhe shpirtërore, të cilat në atë kohë i kuptoja shumë pak ose aspak. RTSH ishte i vetmi kanal në gjuhën shqipe me transmetim të plotë, ndërsa pak orë transmetim në shqip kishte edhe në MTV2. Si gjithë familjet shqiptare të kohës, edhe ne ishim ngujuar para televizorit, ndonjëherë edhe para radios, për të ndjekur zhvillimet e mëdha në ish-Jugosllavi, Shqipëri dhe botë.

Po ndodhnin gjëra të mëdha: shpërthenin luftëra, binin kufij, por ne nuk kuptonim. Flisnim për djemtë që iknin nga lufta dhe për ata që duhej të shkonin ushtar. Shpesh para shtëpive tona vinin refugjatë nga Shqipëria, që lypnin, por ne nuk e kuptonim se çfarë ishte kjo. Kishte edhe refugjatë boshnjakë, apo shitës ambulant bullgarë para shtëpive tona por prapë nuk e dinim çfarë po ndodhte. Ishim dëshmitarë të papërgatitur të një bote që po ndryshonte dhe ndiheshim “të detyruar” të shihnim këto ngjarje, madje edhe në televizor. Shumë programe nuk përkonin me moshën tonë, dhe një prej tyre ishte ai me gazetarin Ferdinand Samarxhi, i cili çdo javë sillte për publikun shumë ngjarje e ndodhi fetare.

Shqipëria e asaj kohe ishte një vend pa fe, pa praktikantë dhe pa objekte fetare, por me shumë zell e mall për besimin e ndaluar. Besimtarë vinin mes lotësh për të treguar se si ishin lutur dhe falur fshehurazi, si kishin përfunduar në internim apo edhe në burgjet famëkeqe të Shqipërisë. Tregohej se shumë hoxhallarë dhe priftërinj ishin vrarë e kishin rënë martirë vetëm pse besonin në një Zot.

E në atë kohë, nga katër udhëheqësit shpirtërorë, kuptohet më i dashuri për ne ishte Hafiz Sabri Koçi – themeluesi i Komunitetit Musliman të Shqipërisë. Po ashtu, të pranueshëm ishin edhe Imzot Rrok Mirdita, themeluesi i Komunitetit Katolik, dhe Baba Dede Reshat Bardhi, themeluesi i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Më pak popullor për ne apo më i yrryer ishte Kryepeshkopi Janullatos, themeluesi i Komunitetit Ortodoks.

Më kujtohet sesi botët tona të vogla përplaseshin çdo ditë. Nga njëra anë, filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re” përçmonin të gjitha religjionet dhe klerikët fetarë, duke i portretizuar si të këqijtë e kombit – të mbrapshtë, të shitur, të prapambetur apo shkurt thënë muslimanët dhe bektashinjtë paraqiteshin si bashkëpunëtorë të turqve, ortodoksët si grekë, ndërsa katolikët si romanë apo italianë. Nga ana tjetër, gjatë ditës, shihnim në televizor filma vizatimorë të dubluar nga TVSH për Jezusin e Nazaretit, pa e kuptuar se ai ishte Isa a.s. për ne muslimanët. Gjysmën e ditës indoktrinoheshim përmes filmave shqiptarë kundër fesë, dhe gjysmën tjetër mësonim për fenë. Megjithatë, përveçse ishte një fatkeqësi për kohën, kjo ishte edhe një mundësi për ne që të bënim shumë pyetje e debat në shtëpi. Pyetjet varionin nga ato më të thjeshtat: “Pse vishen këta klerikë kështu e ata ndryshe?”, “Pse një xhami ka minare dhe kupolë të rrumbullakët, kurse të tjerat kanë çati?”, deri te pyetja më e madhe: “Pse në Shqipëri ka shqiptarë me katër fe të ndryshme dhe pse tek ne nuk ka shqiptarë të tjerë përveç muslimanëve?”.

Përgjigjet ndryshonin sipas nivelit të shkollimit të atyre që na rrethonin: nga gjyshja që kishte mësuar në arabisht, deri te gjyshi që kishte qenë nxënës në shkollat e para shqipe. Disa përgjigje na pëlqenin, disa jo, ndaj pyesnim dikë tjetër në familje e shkollë për të marrë përgjigje të ndryshme. Por një gjë ishte unanime: më i urryeri ishte ai ortodoksi, Janullatosi. “Ai është grek”, thoshin. “E kanë sjellë grekët”, “Ai do t’i bëjë shqiptarët grekë”, “Ai do të na ndajë nga ne”. Ai ishte portretizuar si prifti te filmi Udha e shkronjave ose edhe më keq.

Ndërkohë, po rritesha dhe debati “grekë ortodoksë shqiptarë” apo “shqiptarë ortodoksë” gumëzhinte edhe në shkollat tona dhe në kafenetë e qytetit. Madje, nga kjo logjikë nuk e donim as Fatos Nanon dhe të tjerë si ai, sepse ishin “grekë” apo “progrekë që nuk e donin Shqipërinë” – naivitete dhe injoranca të kohës që përziheshin me komunizmin e përmbysur dhe me “të vërtetat” tona. Koha tregoi dhe rrëzoi të gjithë ato piskama te pavërtetësisë tipike ballkanike të ndërtuara nga paradokset ideologjike, nacionaliste apo kuazinacionaliste.
Por mua më pëlqen që tua tregojë rrefimin deri në fund, në vitin 2002, isha student në pas-luftën e Maqedonisë dhe në UEJL, për fatin tonë të mirë, patëm kolegë nga çdo hapësirë shqiptare – nga Lugina e Preshevës, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi e Diaspora. Për herë të parë, gjendeshim përballë shqiptarëve ortodoksë nga Korça që për çudin tonë agjëronin me ne në Ramazan, muslimanëve nga Pogradeci, katolikëve nga Tirana dhe bektashinjve nga Kruja. Ishte një botë magjike!

Ne po rizbulonim veten nga afër. Ishim të ndrojtur, me pyetje pafund, ndërsa shqiptarët nga Shqipëria na jepnin përgjigjen. Ne me paragjykimet tona të ngritura si muret e Berlinit, ata me progresivitetin e kazmës perëndimore. Ne po jetonim magjinë e të jetuarit bashkë, duke ndarë 24 orë me njëri-tjetrin – në mësime, bibliotekë, sport, mensë e zbavitje. Diskutonim për historinë e hapsirave shqipatare, tregonim të vërtetat tona që nuk shkruanin në libra, flisnim për kulturën tonë, sportin dhe normalisht për klubin e Shkëndijës, që na bashkonte në çdo ndeshje e në kthim na linte pa zë nga këngët në tribina. Por, normalisht i pashmangshëm dhe më interesanti ishte diskutimi për fetë respektive, shoqeruar edhe me interesin tonë për katër udheheqësit të institucioneve fetare në Shqipëri. Secili nga ne në ato orë te gjata që shpesh i kapte agimi, sheshoj paragjykimet dhe zhduku të pavërtetat qe shpesh zënë vend në mendjet që nuk përplasen me dritën e së vërtetës. Në atë kohë kuptova dhe më mësova të vërtetat e shokëve te mi se 4 themeluesit që rikthyen besimin në Shqipëri, nuk qenë thjesht klerikë dhe të punësuar të bashkësive fetare që bënin punën si gjithë të tjerët, por misionarë që duhej të mbillnin fenë në vendin e vështirë e të vetëm ateist në botë.

E në këto ditë që po i jepet lamtumira e fundit Peshkopit Janullatos, të parit të ortodoksëve shqiptarë, ne po shënojmë edhe fundin e kësaj epoke titanësh që në faqet e historisë së kombit tonë do të kujtohen me lavd dhe respekt.

I shkrova këto rreshta për t’i bërë vetes një përkujtese dhe për të përcjellë një mesazh se këta njerëz brumosën edhe tek unë, si tek shumë shqiptarë të tjerë, dashurinë e vërtetë të të besuarit në Zot. Ata jo vetëm që më bënë mua më shumë besimtar dhe musliman, por më bën të mësoj edhe thelbin e fesë, e që është toleranca dhe respekti reciprok, e që në Shqipëri e ndër shqiptarë është si askund tjetër në botë. Do ti kujtojmë gjithëmonë si njerëzit që rikthyen besimet dhe që do të vazhdojnë të jenë udhërrëfyes për shumë gjenerata.

U qoftë i lehtë dheu i Shqipërisë!