Një i vdekur dhe disa të lënduar, përfshirë katër policë, në dy aksidente pranë Kriva Pallankës

Një prokuror kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë kreu një inspektim në vendngjarje në rrugën ekspres pranë Kriva Pallankës, ku dje ndodhën njëra pas tjetrës dy aksidente rrugore.

Fillimisht, një veturë “Volkswagen Golf” doli nga rruga dhe u përmbys, ku njëri nga pasagjerët humbi jetën. Djali i tij dhe drejtuesi i mjetit pësuan lëndime trupore. Prokurori publik ndërmori të gjitha veprimet për sigurimin e provave dhe hetimin e shkaqeve të aksidentit, ndërsa për të ndjerin u dha urdhër për autopsi.

Ndërkohë, gjatë kryerjes së inspektimit në vendngjarje, një automjet tjetër, siç dyshohet fillimisht për shkak të shpejtësisë së papërshtatur, përplasi një automjet të parkuar dhe plagosi katër zyrtarë policorë që po kryenin hetimet. Në aksidentin rrugor u lëndua rëndë edhe një pasagjere në automjet.

Prokurori publik po vazhdon veprimet për të hetuar shkaqet e këtij aksidenti gjithashtu.