Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski thotë se lakrat e Maqedonisë që ishin për eksport, e që i ktheu Kroacia, janë të sigurta.
Shton se nga kontrollet e kryera te prodhuesi, rezultoi se në kulturën bujqësore të theksuar nuk është detektuar përdorim i substancave të ndaluara për mbrojtje.
Advertisement
“Për dërgesën e kthyer nga Kroacia është intervenuar menjëherë, është kontrolluar se kush është prodhuesi, e kush eksportuesi. Nëpërmjet Inspektorati për bujqësi janë kryer kontrolle shtesë, janë marrë mostra nga produkti i eksportuar.
Analizat e bëra dolën negative, përkatësisht treguan se një preparat i tillë nuk është përdorur në kulturat bujqësore”, tha Tripunovski duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me rastin.
Ministri Tripunovski tha se nuk e di nëse ky është një gabim i kontrolleve kufitare kroate, por kategorikisht deklaroi se në Maqedoni te bujku në fjalë nuk janë gjetur pesticide të tilla të paligjshme në Maqedoni dhe as analizat nuk kanë treguar përdorimin e substancave të ndaluara.
Ai theksoi se janë forcuar kontrollet në fushën e tregtimit të paligjshëm, gjegjësisht të paautorizuar me preparate për mbrojtjen e bimëve.
“Jemi duke punuar në zgjerimin e listës së lejuar të preparateve, në mënyrë që bujqit të kenë qasje në më shumë preparate që janë ndoshta më të lira dhe më efikase”, tha ministri Tripunovski.