Nga BDI thonë se shqiptarët në Maqedoni asnjëherë më parë nuk kanë qenë “kaq të nënçmuar, të sulmuar dhe të pambrojtur në institucione”. Sipas tyre, gjyqësori është kthyer në një instrument për zbatimin e një agjende monoetnike.
“Gjuha shqipe është bërë objektiv i sulmeve nacionaliste që synojnë ta degradojnë dhe ta zhdukin. Përfaqësimi i drejtë dhe proporcional, një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit, për herë të parë pas nënshkrimit të saj ka mbetur pa mbrojtje ligjore. Shërbimet e sigurisë janë spastruar nga profesionistët shqiptarë, ndërsa bizneset shqiptare janë përjashtuar nga proceset e prokurimeve publike. Kjo qasje diskriminuese dhe politika që margjinalizojnë shqiptarët dëshmojnë mungesën e legjitimitetit dhe kapacitetit të kësaj qeverie për të mbrojtur interesat e të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë. Shqiptarët nuk do të heshtin përballë këtyre padrejtësive dhe do të vazhdojnë të mbrojnë dinjitetin e tyre institucional dhe kombëtar të garantuar me sakrificë dhe marrëveshje ndërkombëtare”, shtojnë nga BDI.