Mexhiti nga Struga paralajmëron investimin 1 milionë euro për ujësjellësin

Në një takim të mbajtur me strukturat e Lëvizjes Demokratike në Strugë për themelimin e degës së partisë në këtë qytet, zv.kryeministri i parë dhe kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, përcolli mesazhe të rëndësishme për qytetarët dhe zhvillimin e Strugës.

Duke theksuar përkushtimin e Lëvizjes Demokratike për qytetarët, Mexhiti tha:

“Për ne nuk ka dallim se kryetar i cilës parti është duke udhëhequr me komunat, ne kontribuojmë për qytetarët tanë, prandaj të njëjtën po e bëjmë edhe me komunën e Strugës që nuk e udhëheqim ne.”

Një nga pikat kyçe të takimit ishte njoftimi për një investim madhor në infrastrukturën e qytetit. Mexhiti bëri të ditur se qeveria, gjatë ditëve në vijim, do të hapë tenderin për përmirësimin e ujësjellësit në qendër të Strugës, një projekt që kap vlerën prej 1 milionë eurosh.

Ai gjithashtu nënvizoi se Struga i përket të gjithë shqiptarëve, duke theksuar:
“Ne kemi kërkuar hisen për Strugën tonë, sepse Struga nuk është as e BDI-së, as e Lëvizjes Demokratike, as e asnjë partie politike, por kjo është Struga e shqiptarëve.”

Takimi në Strugë shënon një tjetër hap për konsolidimin e Lëvizjes Demokratike dhe angazhimin e saj për të përmirësuar jetën e qytetarëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.