Vdekja e fëmijëve nëpër klinika, BDI: Të ndërmarrin hapa urgjente nga Ministria e Shëndetësisë

Përmes një kumtese BDI i ka bërë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë të merr masa për vdekjen e fëmijëve në Kliniia.

“Kur fëmijët, pjesa më e brishtë dhe më e shtrenjtë e shoqërisë sonë, janë në rrezik, duhet të ndalemi dhe të reflektojmë.

Fakti që më shumë fëmijë kanë humbur jetën në gjashtë muajt e fundit sesa në vitet e mëparshme duhet të jetë një alarm për të gjithë ne.

Secila prej këtyre humbjeve përfaqëson një jetë të prerë parakohe dhe një dhimbje të pamatë për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre.

E dimë që sfidat ekzistojnë, por askush nuk mund të pranojë që shëndetësia të degradohet deri në atë pikë sa prindërit të hyjnë në spitale me shpresë dhe të dalin me zemër të thyer.

Kjo nuk është një çështje partie apo politike. Është një thirrje njerëzore.

Fëmijët tanë meritojnë kujdesin më të mirë. Familjet meritojnë siguri dhe dinjitet kur kërkojnë ndihmë mjekësore.

Dhe vendi ynë meriton një sistem shëndetësor që është për shembull, jo për keqardhje.

I bëjmë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe të gjitha institucioneve të përfshira që të ndërmarrin hapa urgjentë.

Çdo resurs duhet të drejtohet atje ku është më e nevojshme – në shpëtimin e jetëve dhe përmirësimin e kushteve për më të vegjëlit.

Sepse asnjë prind nuk duhet të përjetojë dhimbjen e humbjes së një fëmije dhe asnjë fëmijë nuk duhet të humbasë shansin për jetë.

Ky është një moment që kërkon reflektim dhe veprim” – thonë nga BDI.