Vizioni politik i Ibrahim Rugovës në krye të LDK-së, besimi i forcave të tjera politike që bashkëpunuan dhe e mbështetën këtë vizion dhe besimi i fituar në mesin e popullit të Kosovës, ishin në epiqendër të të gjitha ngjarjeve të më pasme në kushte të pushtimit të Kosovës, nga të cilat secila, kronologjikisht, e ka peshën e veçantë dhe të lidhura me njëra-tjetrën e përbëjnë zinxhirin e shtetit në ndërtim.
Arben LABËNISHTI, Strugë
Lëvizja kombëtare shqiptare për çlirimin e trevave të copëtuara nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër nuk u shua asnjëherë. Është një plejadë e gjerë intelektualësh dhe luftëtarësh, nga të cilët dikush më i kthjellët për të vërtetën dhe rrugën që duhej ndjekur dhe të tjerë më pak të kthjellët, me veprimtarinë e tyre e mbajtën të gjallë këtë lëvizje. Në përpjekjet mes viteve 1988-1998, që përbën dhjetëvjeçarin e fundit para shkundjes së zgjedhës sllave nga Kosova, Ibrahim Rugova zë vendin e politikanit më të shquar si ideator dhe vizionar, të përkushtuar dhe më të qëndrueshëm, ndërsa në plejadën e figurave të shquara që përfshin gjithë historia e veprimtarisë kombëtare për çlirimin e trevave të pushtuara nga sllavët, ai zë vend në rreshtin e parë, në veçanti për efektin që solli veprimtaria e tij politike në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.
Shkëputja nga ideologjia komuniste dhe afrimi me Perëndimin
Në fund të Luftës së Dytë Botërore fillon ripushtimi jugosllav i Kosovës me ndihmën edhe të komunistëve shqiptarë. Kjo ndihmë vinte si rezultat i varësisë së PKSH-së ndaj PKJ-së dhe qëndrimit të saj ndaj nacionalizmit shqiptar në Kosovë (“reaksionarëve” sipas komunistëve), sipas së cilës ky nacionalizëm përbënte rrezik edhe për interesat dhe synimet e saj. Me këto arsyetime, komunistët shqiptarë u bënë jo vetëm bashkëpjesëmarrës me jugosllavët për ripushtimin e Kosovës, por, me heshtjen për krimet e PKJ-së, jo vetëm ndaj nacionalistëve, por edhe ndaj zhdukjes dhe keqtrajtimit të të mobilizuarve shqiptarë për në frontet jashtë Kosovës dhe eliminimit dhe persekutimit të shumë shqiptarëve brenda Kosovës, PKSH-ja u bë bashkëpunëtore në këto krime.
Pas shpërbërjes së Lidhjes së Dytë të Prizrenit, si organizata politiko-ushtarake më serioze për mbrojtjen e trevave shqiptare të cilave në fund të Luftës së Dytë Botërore iu ishin vërsulur për t’i ripushtuar jugosllavët, ishte Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare, organizata nacionaliste e mëpasme, e cila synonte çlirimin e trevave shqiptare nën robërinë sllave dhe bashkimin kombëtar në një shtet me kufij etnikë. Por, me burgosjen e drejtuesve të LNDSH-së dhe shpërndarjen e saj, brenda trevave shqiptare nën pushtimin sllav pothuajse shuhet rezistenca e organizuar nacionaliste shqiptare properëndimore. Më pas, prishja e regjimit komunist të Tiranës me Jugosllavinë socialiste, si rezultat i kontraditave të Stalinit me Titon, do ta stimulonte fillimin e themelimit në Kosovë të organizatave marksist-leniniste nën ndikimin e Shqipërisë enveriste. Kështu, pjesa më e madhe e organizatave politike, të themeluara deri në vitin 1990, kanë qenë organizata të indoktrinuara thellë nga ideologjia komuniste që kishin origjinë nga Tiran me frymë antiperëndimore. Sigurisht, shumë pjesëtarë të këtyre organizatave e kanë sakrifikuar veten e tyre dhe familjet e tyre për Kosovën, por pa e kuptuar të vërtetën e kësaj ideologjie dhe manipulimin e Tiranës në interes së ruajtjes së regjimit diktatorial enverist, të cilit ia kishte nënshtruar interesat kombëtare. Ky regjim i Shqipërisë binte ndesh me interesat e Kosovës me ato të vetë Shqipërisë në kufijtë politikë të 1913-ës dhe mbarë kombit shqiptar. Mjafton të kujtojmë se Tirana zyrtare e asaj kohe asnjëherë nuk e shtroi çështjen e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën robërinë jugosllave, si çështje për diskutim në organizata ndërkombëtare.
Thyerjen e kësaj ideologjie, që binte ndesh me interesat e shteteve perëndimore, në gjeopolitikën e të cilave për rajonin e Europës Juglindore Kosova zinte vend prioritar, e realizoi intelektuali që vinte nga Instituti Albanologjik, studiuesi i letërsisë dhe njohësi i historisë së shqiptarëve, Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1988), Ibrahim Rugova, i cili në dhjetor të vitit 1989 e themeloi Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Kryetari i saj, me idetë politike të tij, jo vetëm q e sfidoi regjimin komunist të Beogradit, por me qetësinë e një ideatori vizionari në politikë, u dha leksion organizatave majtiste të Kosovës dhe e ktheu vitalitetin dhe sytë e Kosovës nga ideologjia mashtruese e stimuluar dhe e propaganduar nga enverizmi, në drejtim të Perëndimit, si shtete me interesa më të përafërta me ato të Kosovës dhe me peshë në vendimmarrjet botërore. Ibrahim Rugova, me veprimtarinë politike të rezistencës paqësore, shpejt e fitoi simpatinë e popullit dhe vlerësimin e ndërkombëtarëve, për shumë nga të cilët ai u bë aleati më i besuar për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Politikan ideolog
Vizioni politik i Ibrahim Rugovës në krye të LDK-së, besimi i forcave të tjera politike që bashkëpunuan dhe e mbështetën këtë vizion dhe besimi i fituar në mesin e popullit të Kosovës, ishin në epiqendër të të gjitha ngjarjeve të më pasme në kushte të pushtimit të Kosovës, nga të cilat secila, kronologjikisht, e ka peshën e veçantë dhe të lidhura me njëra-tjetrën e përbëjnë zinxhirin e shtetit në ndërtim. Këto ngjarje, që e bëjnë historinë e një dekade para fillimit të Luftës së UÇK-së janë: Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Republikës së Kosovës dhe miratimi i Kushtetutës (7 shtator 1990), referendumi për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës (shtator 1991), zgjedhjet parlamentare dhe zgjedhja e presidentit të Kosovës (24 maj 1992), bojkoti paqësor i të gjitha institucioneve jugosllave dhe ndërtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës. Ky veprim politik i Rugovës u bë paraprijësi që ia hapi rrugën çlirimit të Kosovës.
Kosova ishte e robëruar, serbët e ruanin pushtetin e tyre me forcë policore, ndërsa shqiptarët që jetonin përditshmërinë nën këtë dhunë, kishin një drejtues i cili asnjëherë në retorikën e tij nuk u tregua i ashpër, nuk kishte urrejtje dhe nga goja e tij nuk doli asnjë sharje, por vetëm kërkesa e arsyetuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Me këtë model udhëheqësi, Ibrahim Rugova, i ishte përkushtuar veprimtarisë atdhetare për të mirën e popullit dhe vendit të tij. Ky ishte prijësi, të cilit, të mos harrojmë se, edhe babain dhe gjyshin në vitin 1945 ia kishin vrarë komunistët sllavë. Ai, me qetësinë e një intelektuali të bindur, se në rrethanat e atyre viteve, kjo ishte rruga më e arsyeshme për lirinë e popullit të Kosovës, me vendosmëri e prezantoi të vërtetën e saj para SHBA-së dhe demokracive të tjera perëndimore. Natyra e kësaj sjelljeje politike që e kishte ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës, vrapimi i Serbisë për terror e spastrim etnik dhe, sigurisht, interesat gjeopolitike të SHBA-së dhe aleatëve të tjerë të saj, e justifikuan ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për ta parandaluar spastrimin etnik të Kosovës dhe për ta shkundur zgjedhën serbe.
Politikan i kritikuar
Kritikat tendencioze drejtuar veprimit politik të Ibrahim Rugovës, të cilat e kanë edhe konotacionin e tradhtarit, kryesisht vinin nga kundërshtarët e tij politikë të vjetër, ata të së majtës, ideologjia e të cilëve, pas daljes së LDK-së në skenën politike të Kosovës, e cila u bë përfaqësuesja më e denjë e interesave kombëtare në udhën për pavarësinë e saj, e kishte humbur ndikimin që e kishte patur sa brenda Kosovës, po aq dhe jashtë saj, dhe, për pasojë, në këto rrethana ndjehej inferiore. Me kritikat e kësaj fryme destruktive nuk ia vlen për t’u marrë. Vetë Ibrahim Rugova, me kulturën, natyrën dhe vizionin që kishte, asnjëherë nuk e uli nivelin e tij për t’u marrë me ata. Përkundrazi, ai rrezatonte kujdes dhe paqe. Ai e përfaqësonte, e drejtonte dhe i shërbente Kosovës dhe kombit. Ky ishte misioni i tij.
Më poshtë do të shprehem për dy çështje, për të cilat është kritikuar politikani, Presidenti Rugova: atë të rezistencës paqësore, që i ishte afruar një momenti ku e humbte kuptimin, si dhe ngjarjen pasi ishte marrë peng nga serbët.
Pas disa vitesh rezistence paqësore kjo filloi të quhet letargjike dhe e pafrytshme në përballjen me pushtuesit serbë për ta fituar lirinë dhe pavarësinë. Vërtet, situata e asaj kohe logjikshëm ta krijonte këtë përshtypje. Ishin pjekur kushtet për t’u futur në një fazë tjetër të rezistencës, në atë të armatosur. Por, nuk mund të thuhet se Rugova nuk e kishte menduar dhe nuk përgatitej krahas rezistencës paqësore edhe për një moment të duhur, i cili do të kërkonte patjetër edhe rezistencë të armatosur. Qeveria e Kosovës e kishte themeluar Ministrinë e Mbrojtjes dhe kolonel Ahmet Krasniqi ishte drejtues i saj. Por, kjo kohë e gjeti Tiranën me qeveri të majtë, e cila ka luajtur rol të rëndësishëm në pengimin e avancimit të kësaj ministrie me forca ushtarake për rezistencë të armatosur, që ajo i kishte detyrim dhe përpiqej për t’i organizuar. Kjo, mendoj se bëhej në interes të një grupi tjetër, që kishte pikëpjekje ideologjike me pushtetin e atëhershëm në Shqipëri. Kur jemi në këtë rrafsh diskutimi, ndër të tjera, duhet ta kujtojmë ekzekutimin në kryeqytetin shqiptar të ministrit Ahmet Krasniqi, si një akt i cili – edhe pse i pasqaruar dhe ka ngelur enigmë – mendoj se flet shumë. Në kushte të tjera të Tiranës zyrtare, Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Kosovës do të ishte në drejtimin e djemve dhe vajzave nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare, të cilët me dashurinë për Kosovën dhe trimërinë për ta çliruar atë, pavarësisht bindjes politike dhe përkatësisë krahinore, u rreshtuan për t’i ndërtuar brigadat që e bënë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe jetësuan një epope të lavdishme me rëndësi historike për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar.
Momenti tjetër që provokoi qëndrim kritik ndaj Ibrahim Rugovës, në kohën kur NATO e bombardonte Serbinë, është marrja e tij peng nga forcat serbe dhe dërgimi pa vullnetin e tij në takim me Sllobodan Millosheviqin. Për këtë rast nuk e dimë nëse serbët nuk deshën ta zhdukin Presidentin Rugova, sepse nuk do të kishin ndonjë përfitim, por përkundrazi do të dëmtoheshin në sytë e diplomacisë dhe opinionit ndërkombëtar ose nuk kishin mundësi për ta realizuar atë. Ndërkaq, për qëndrimin e vet Presidentit në këtë ngjarje mund të thuhet se duhej të ishte treguar përfaqësues më dinjitoz dhe sakrifikues. Por, çfarëdo që ka ndodhur në qëndrimin e tij si peng, ai as e dëmtoi e as mund ta dëmtonte luftën e UÇK dhe të NATO-s ose, thënë ndryshe, serbët me Presidentin e marrë peng, sado që deshën, jo vetëm se nuk ia arritën, por çfarëdo që të bënin, nuk mund ta shfrytëzonin për ndonjë qëllim të tyre të veçantë.
Mbetet i vlerësuar
Kosova e dekadës përmbyllëse të shekullit XX është e lidhur katërcipërisht me veprimtarinë politike të Ibrahim Rugovës. Për rolin e tij në fitoren mbi përçarjen e fatalshme, për rolin shtetndërtues dhe suksesin e treguar që bashkësia ndërkombëtare ta kuptojë të vërtetën e çështjes së Kosovës dhe obligimin për zgjidhjen e saj, ai e meriton falënderimin, ashtu si populli i Kosovës e meritoi