Vërejtje të shumta për punën e deritanishme të Afrim Gashit si kryetar kuvendi vijnë nga partia opozitare LSDM. Vërejtjet kryesisht kanë të bëjnë me vendosjen e propozim ligjeve në procedurë të shkurtuar dhe atë një ditë para seancës, me çka siç thonë nga LSDM, nuk jepet mundësi të diskutohet dhe të intervenohet me amendamente. Rasti konkret siç njoftoi deputeti Fatmir Bytyqi, ishte propozim ligji për borxhin publik, i cili dje është dorëzuar në rend dite, e sot do të votohet.
“Disa herë kam tërhequr vëmendjen se thirrja e seancave me pretekstin e seancave urgjente, futja e pikave në rend dite me pretekstin se janë urgjente, se shteti nuk mund të funksionon, është vetëm thyerje e rregullores. Rregullorja jep një mundësi por interpretimi i dyfishtë, me teka të ndryshme të atij që duhet të thërrasë seancën. Mendoj që nuk i shërben demokracisë në vend. Jemi duke u futur në një skenar ku Parlamenti nuk kryen funksionin e saj bazë”, deklaroi Fatmir Bytyqi – LSDM.
Tollovinë e djeshme me deputeten Dauti, Bytyqi e quan si episod të dytë pasi episodi i parë siç thotë, ishte votimi i interpelancës kundër Dautit.
Nga Fronti Evropian, Gashin e quajnë si kryetar formal i Kuvendit ndërsa siç shtojnë, ai punon sipas urdhrave të VMRO-DPMNE-së.
“Fatkeqësisht z.Gashi është një ndër ata siç janë ministrat, që janë tjetërsuar duke dhënë një deklaratë dhe pastaj detyrohen tjera deklarata të japin. Kryetar joformal i Kuvendit të RMV-së është dikush tjetër, nuk është z.Gashi. Ai vetëm merr rrogën dhe kryen shërbimin gjoja se një shqiptar është kryetar i Kuvendit”, tha Blerim Bexheti – Fronti Evropian.
Kush është kryetari joformal?
“Po e keni në radhët e VMRO-DPMNE-së”, përgjigjet shkurt Bexheti
Nga Fronti Evropian edhe më tej nuk kanë vendosur për atë se kush do ta zëvendësojë Ilire Dautin në komisionin për politikë sociale dhe ende bëhen konsultime brenda Frontit. Megjithatë, sipas deputetit Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE, kjo nuk paraqet pengesë që komisioni të funksionojë, dhe me të mund të udhëheqë zëvendësi, Ilir Demiri.
“Në këtë moment ai komision mund të vazhdojë të funksionojë të punojë për shkak se mjeku Ilir Demiri është nënkryetar dhe ka mundësi që të punojë. Tani radhën e ka Fronti Evropian të shohim se kë do të propozojnë për kandidat për kryetar të atij komisioni dhe do të mund të flasim për atë çështje”, tha Bojan Stojanovski – VMRO-DPMNE.
Me komisionin për politikë sociale përsëri do të udhëheqë Fronti Evropian, në bazë të marrëveshjes politike pas konstituimit të Kuvendit. Siç njoftoi Bexheti, cilido që të jetë kryetari i ri, në komision përsëri nuk do të vendoset propozim ligji për branitellat.